TIRANE – Një lokal bastesh sportive është grabitur nga tre persona me maska gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të hënës në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Irfan Tomini” dhe autorët kanë arritur të vjedhim nën kërcënimin e armës rreth 100 mijë lekë të rinj. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se është bërë arrestimi në flagrancë i njërit prej autorëve të ngjarjes, të cilit i është sekuestruar edhe arma e përdorur për të kryer grabitjen. Sipas Policisë i arrestuari është 26-vjeçari Mariglen Cani, banues në Selitë të kryeqytetit, person me precedentë të mëparshëm penalë. Nga veprimet hetimore të kryera pasi forcat e Policisë së Komisariatit nr.2 dhe Seksioni Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë, rezulton se, Maringlen Cani në bashkëpunim me dy persona, është autor i dyshuar për vjedhjen me armë në lokalin e basteve sportive “Joy Lloto”. Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, u bë e mundur kapja e autorit të dyshuar, Cani, të cilit iu gjet e bllokua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip “Magnum”, me mulli, me 6 fishekë, të cilat i mbante pa leje. Kjo dyshohet të jetë edhe arma që autorët kanë përdorur për të kryer grabitjen e pikës së basteve, ku në momentin e ngjarjes ndodhej vetëm një prej punonjësve, i cili është kërcënuar dhe i janë marrë paratë. Burimet thanë se tashmë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunëtorët e Mariglen Canit, të cilët gjithashtu janë banorë të zonës së Selitës, në Tiranë.











