Tiranë, nxënësit sherr me thika në konvikt

Oct 6, 2011 | 12:57
Shkolla e mesme ekonomike ku ndodhi plagosja

Tirane – Një adoleshent 15-vjeçar, nxënës i vitit të parë në Shkollën e Mesme Ekonomike në Tiranë, mbeti i plagosur me dy thika në bark, pas sherrit për një vajzë me shokun e tij të klasës. Nxënësi tjetër, që dyshohet të jetë edhe autor i plagosjes me thikë, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe mësohet se gjatë gjithë ditës së djeshme nuk është paraqitur as në shkollë, as në konvikt. Mjekët thanë se adoleshenti është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes. Plagosja ndodhi mbrëmjen e së martës, rreth orës 20:00, në rrugicën që ndan shkollën me konviktin e saj dhe dëshmitarë të plagosjes u bënë dhjetëra vajza e djem, të cilët ndodheshin në konvikt dhe kanë dalë në dritare, pasi kanë dëgjuar të bërtiturat e adoleshentëve. E megjithatë, dje, asnjëri prej nxënësve nuk pranoi të tregonte se çfarë kishte ndodhur, për arsye se edhe nxënësi i plagosur, Florenc L., nga Mirdita, nuk ka preferuar të denoncojë ngjarjen. Ai është pyetur paraditen e djeshme nga oficerët e Komisariatit Nr.1, e megjithatë nuk e ka treguar emrin e shokut që e ka plagosur, duke thënë se nuk e njihte. Por nga dëshmi të tjera, që janë marrë nga Policia menjëherë pas ngjarjes, disa nxënës që qëndronin në konvikt, bashkë me autorin dhe të dëmtuarin, kanë treguar se i akuzuari është po ashtu nga Mirdita dhe nxënës i vitit të parë, në të njëjtën klasë me 15-vjeçarin Florenc L. Sipas dëshmitarëve, sherri mes shokëve të klasës ka ndodhur për një vajzë, që po ashtu ndodhet në grupin e tyre, edhe ajo 15 vjeçe, të cilën autori pretendonte se e kishte të dashur. Duke dyshuar se Florenci e ngacmonte të dashurën e tij, ai e ka thirrur shokun, me të cilin kishin njohje që nga fëmijëria, duke qenë se ishin nga i njëjti vend dhe kanë dalë nga konvikti në rrugicën pranë shkollës. Aty kanë nisur të debatojnë me zë të lartë dhe në një moment, i dyshuari e ka goditur me thikë adoleshentin Florenc L. duke u larguar më pas me nxitim nga vendi i ngjarjes. Kanë qenë kujdestarët e konviktit ata që kanë lajmëruar në sallën operative për atë çfarë kishte ndodhur dhe kanë transportuar në Spitalin Ushtarak nxënësin e plagosur. Ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Komisariatit Nr.1, të cilët kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Masat e policisë në shkolla
Dhuna në shkolla është konsideruar si një fenomen shqetësues dhe në rritje në Tiranë. Për shkak të numrit të madh të nxënësve diversitetit dhe një sërë faktorësh të tjerë, ambientet e shkollave janë kthyer shpeshherë në vende ku kanë ndodhur krime me pasoja të rënda. Për këtë shkak policia e shtetit gjatë viteve të fundit ka hartuar plane masash të përforcuara madje duke arritur deri tek vendosja e një efektivi të policisë për çdo shkollë ku konsiderohet se kriminaliteti është më i lartë.

© Panorama.al

Te lidhura