
Dy vëllezër u qëlluan mbrëmë me armë pas një konflikti me fqinjin e tyre, i cili vrau njërin nga të rinjtë, ndërsa plagosi rëndë vëllain e viktimës. Autori i ngjarjes, i cili iku nga vendi i vrasjes, u arrestua mbrëmë rreth orës 22:30, tek rruga Myslym Shyri. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, në rrugën “Don Bosko”, pas një konflikti fizik mes vëllezërve dhe autorit të dyshuar të ngjarjes. Burime nga Policia thanë se vëllezërit Edmond dhe Ardian Salibasha, përkatësisht 53 dhe 40 vjeç, u sulmuan me armë nga fqinji i tyre. Njëri prej tyre, Edmondi, është qëlluar me plumb në zemër dhe ndodhet në gjendje kome në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë, Ardiani ka marrë 2 plumba dhe në momentin e rrëzimit ka përplasur edhe kokën në asfalt, ku për pasojë ka gjetur vdekjen mbrëmë rreth mesnatës në spital. I dyshuari si autor i ngjarjes, sipas Policisë, është Roland Lacej, 37 vjeç, që banon një kat më sipër Edmond Salibashës. Ai mësohet se u detyrohet dy të plagosurve një borxh prej 17 mijë eurosh të pakthyer ende pas blerjes së një shtëpie në pronën e dy vëllezërve. Nga të dhënat e para të grupit hetimor mësohet se shkak për grindjen është bërë banesa e autorit të ngjarjes. Ai e kishte blerë apartamentin te vëllezërit Salibasha, duke u dhënë pjesën më të madhe të parave, por kishte për t’u dhënë edhe 17 mijë euro. Sipas Policisë, shuma e papaguar është bërë sebep i grindjeve të vazhdueshme mes autorit dhe të plagosurve, shkak për të cilin kishin bërë disa kallëzime në polici, madje edhe padi civile në Gjykatën e Tiranës. Së fundi, duke qenë se kishin kaluar 4 vjet që nga koha e shitjes së shtëpisë, vëllezërit i kishin kërkuar Roland Lacejt që t’u lironte apartamentin dhe ata do t’i kthenin shumën prej 30 mijë eurosh që ai kishte paguar; gjë për të cilën ai nuk ka rënë dakord dhe kanë nisur konfliktet e vazhdueshme mes tyre.
NGJARJA
Pas grindjeve të vazhdueshme që Edmond e Ardian Salibasha kishin me Roland Lacejn për lirimin e apartamentit të shitur katër vjet më parë, blerësi dyshohet se pasditen e djeshme ka hedhur acid në tendën e ballkonit të Edmond Salibashës. Lacej banon në katin e tretë të godinës, një kat më sipër Salibashës, dhe në këtë mënyrë ka tentuar t’i dëmtojë banesën. Ky ka qenë momenti kur ka nisur konflikti mes autorit të vrasjes dhe 3 vëllezërve Salibasha, të cilët janë pronarë të dy godinave trekatëshe, si dhe të disa dyqaneve që ndodhen në katin e parë të tyre. Vëllezërit i kanë kërkuar fqinjit të zbresë poshtë në oborr dhe të sqarohen përfundimisht për atë çfarë po ndodhte mes tyre. Roland Lacej fillimisht është konfliktuar me vëllain e tretë të të plagosurve, Alfred Salibashën, dhe në këtë moment janë futur në mes Edmondi dhe Ardiani. Sipas dëshmitarëve, mes tyre ka pasur një konflikt fizik dhe tre vëllezërit e kanë goditur me grushte autorin duke e gjakosur. Në këtë moment ai ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Edmondit dhe Ardianit, duke i lënë të plagosur rëndë. Më pas ka hedhur armën dhe është larguar me vrap nëpër rrugica dhe, sipas dëshmitarëve, edhe ai vetë ishte i plagosur. Mbrëmë Policia konfirmoi se shtetasi Ardian Salibasha ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak.
Vëllai i madh: Policia e dinte për konfliktet
Personi i katërt që u përfshi në konfliktin e djeshëm mes Edmond e Ardian Salibashës me fqinjin Roland Lacej, ishte edhe vëllai i tretë, Alfred Salibasha. Ai ka qenë i pranishëm, madje pohon që e ka goditur me grushte autorin e ngjarjes, i cili më pas i ka vendosur një pistoletë në gjoks dhe pasi e ka kërcënuar, i ka thënë që arma nuk është e vërtetë, por lodër. Alfred Salibasha është pyetur mbrëmë nga oficerët e Policisë së Tiranës, në ambientet e Spitalit Ushtarak, teksa priste që dy vëllezërit e tij të dilnin nga salla e operacionit. “Rolandi, pasi hodhi acid në ballkonin e tim vëllai, zbriti poshtë me një armë në dorë. Fillimisht u përball me mua dhe ma vuri pistoletën në gjoks. Kur e pyeta se çfarë bënte, më tha që ishte pistoletë lodër. Në këtë moment e kam goditur me grusht në gjoks dhe fytyrë dhe aty u afruan edhe dy vëllezërit. Kur e pa veten të rrethuar, ai qëlloi me pistoletë në drejtim të vëllezërve dhe e hodhi në tokë. Kur pashë dy vëllezërit e mi të shtrirë e të gjakosur dhe mendova se mund të kishin vdekur, nuk e pashë më se çfarë po bënte autori, por po mundohesha t’i ndihmoja. Policia është në dijeni të konflikteve të vazhdueshme mes nesh dhe atij personi, pasi ne kemi bërë edhe denoncime në komisariat”. Kjo ka qenë një pjesë e deklarimeve që Alfred Salibasha dha dje për oficerët e Policisë Gjyqësore.
“Vrasësi” u bleu shtëpinë vëllezërve 4 vjet më parë

Autori i dyshuar për vrasjen e njërit dhe plagosjen e tjetrit prej vëllezërve Salibasha pasditen e djeshme në Tiranë, katër vjet më parë ka blerë një apartament 80 metra katrorë në pronën e dy vëllezërve. Godina trekatëshe e ndërtuar nga vëllezërit Salibasha është ideuar në formën e një pallati dhe familjet që banojnë aty kanë një hyrje të përbashkët. Në katin e tretë të godinës jetonte që nga fundi i vitit 2007 Roland Lacej, ndërsa një kat poshtë tij jeton familja e Edmond Salibashës, i cili mbeti i plagosur rëndë dje bashkë me vëllain e tij. Sipas një akt-marrëveshjeje noteriale të datës 7 dhjetor 2007, Edmond Salibasha ka ndërtuar pa leje një banesë trekatëshe mbi truallin e tij, e cila ishte në proces legalizimi. Nga marrëveshja me Roland Lacejn, ata kanë rënë dakord që Lacej të blejë apartamentin në katin e tretë, me një çmim 47 mijë euro, nga të cilat 30 mijë euro janë likuiduar në datën e nënshkrimit të kontratës dhe pjesa tjetër, 17 mijë euro, do të likuidohej pas legalizimit të banesës. Por kjo shumë e papaguar ka sjellë mosmarrëveshje të vazhdueshme mes pronarëve dhe personit që ka blerë shtëpinë. Aq sa vëllezërit janë shprehur se do t’i kthejnë shumën e paguar dhe ai duhej t’u lironte shtëpinë. Madje, për këtë arsye, ata kanë bërë edhe padi civile në Gjykatën e Tiranë, që është pushuar më 9 mars 2011. Në padinë e tyre ata kërkonin zgjidhjen e akt-marrëveshjes me nr.7688, datë 07.12.2007 dhe detyrimin e Roland Lacejt të lirojë dhe dorëzojë apartamentin e ndodhur në katin e tretë të godinës trekatëshe me nr. pasurie 6/522+1-4, të ndodhur në rrugën “Don Bosko”, si dhe pagimin e dëmit të shkaktuar.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











