TIRANE – Një sallë lojërash fati dhe dy kalimtarë janë sulmuar e grabitur nga persona të armatosur gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme në kryeqytet. Në ngjarjet e ndodhura në dy zona të ndryshme të Tiranës, njëra në Vorë dhe tjetra në “Porcelan”, janë përfshirë pesë persona që sipas përshkrimeve kanë qenë të të armatosur. Në orët e para të mëngjesit, tre të rinj me maska kanë hyrë në ambientet e një kazinoje në Vorë dhe duke kërcënuar me armë punonjësit, kanë arritur të grabisin rreth 150 mijë lekë të reja. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se lokali i lojërave të fatit, ndodhet në një zonë jo shumë të ndriçuar dhe nuk kamerat e sigurisë nuk kanë qenë në punë në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Nga kallëzimi që është bërë në polici, punonjësit kanë deklaruar se dy pret autorëve janë futur brenda dhe i kanë vendosur pistoletën në kokë arkëtarit. Ndërsa tjetri gjatë gjithë kohës mbante armën e drejtuar nga personat e tjerë që ndodheshin brenda. Sipas dëshmitarëve, autori i tretë i grabitjes, ka qëndruar gjatë gjithë kohës tek dera e jashtme e kazinosë, për të vëzhguar hapësirën jashtë saj, në rast se mund të afrohej ndonjë patrullë policie, apo ndonjë person tjetër. Pasi arkëtari u ka dorëzuar të gjithë paratë që ndodheshin në kasë, rreth 150 mijë lekë, autorët janë larguar, ndërsa mësohet së kanë lëvizur me një makinë që e kishin parkuar jashtë kazinosë. Grabitja tjetër ka ndodhur në stacionin e fundit të zonës së njohur si “Porcelani” në Tiranë. Të dëmtuarit janë dy persona që kanë qenë duke qëndruar të ulur në trotuarin para një lokali, ndërsa pranë tyre ka ndaluar një makinë tip “Benz”, targën e të cilës ata nuk kanë arritur ta fiksojnë. Nga makina kanë zbritur dy djem të rinj, të pamaskuar, njëri prej të cilëve ka qenë i armatosur. I riu i ka drejtuar armën njërit prej personave të ulur në anë të rrugës dhe e ka urdhëruar që t’i jepte çdo gjë me vlerë që kishte me vete, ndryshe do ta vriste. Ata janë detyruar t’u japin grabitësve celularët dhe rreth 2 mijë lekë të reja që kishin me vete. Më pas autorët kanë hipur në makinë dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Të pyetur nga policia, dy të dëmtuarit nuk kanë mundur të japin ndonjë të dhënë të saktë për autorët, pasi sipas tyre zona ka qenë e pandriçuar dhe nuk i kanë identifikuar autorët.
Vjedhjet në Tiranë
Fenomeni i vjedhjeve dhe grabitjeve në Tiranë është kthyer në një problem për policinë. Sipas statistikave të përvitshme dhe zyrtare, vjedhjet zënë numrin më të madh të krimeve që ndodhin në Tiranë. Vitet e shkuara vjedhjet e automjeteve kanë qenë problematike ndërsa së fundi evidentohet rritje e numrit të vjedhjeve në banesa dhe ambiente të ndryshme biznesi si bankat, kazinotë, agjencitë e këmbimit apo sportelet e arkëtimit të pagesave të ndryshme. Çdo vit numri më i madh i personave të arrestuar dhe të ndaluar është kontingjenti i të akuzuarve për vjedhje megjithatë, kjo vepër penale shënohet gjithnjë e më shpesh në territorin e Tiranës. Sipas statistikave, vjedhja që konsiderohet si krim ndaj pasurisë, është vepra penale që ndodh më shpesh në kryeqytet.











