
Dhjetë apartamente në katin e dytë të një pallati në Tiranë u shkatërruan nga një shpërthim i fuqishëm eksplozivi, që ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Objektivi i krimit ka qenë apartamenti i biznesmenit Dritan Jazexhiu, ku dhe është vendosur sasia prej rreth 200 gramësh tritol. Nga presioni i fuqishëm i shpërthimit janë dëmtuar edhe banesat e fqinjëve në të njëjtin kat. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:20 të mëngjesit, në katin e dytë të një pallati të ri, që ndodhet në rrugën “5 Maji”, në Tiranë. Veç dëmeve materiale, eksplozivi nuk ka shkaktuar të plagosur, as në familjen e tregtarit dhe as te fqinjët, të cilët shprehen se kanë qenë në gjumë dhe janë tronditur nga shpërthimi i fuqishëm. Policia ka arrestuar brenda pak orësh autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili sipas burimeve është Klajdi Hoxholli, 21 vjeç. I arrestuari ka lidhje krushqie me tregtarin e dëmtuar dhe sipas policisë, ka vendosur sasinë e eksplozivit për arsye pronësie. Nga të dhënat e para hetimore, pas pyetjes së të arrestuarit dhe biznesmenit Jazexhiu, rezulton që 21-vjeçari pretendonte një pjesë të dyqaneve që administronte dikur edhe babai i nuses së tij, që është vëllai i Dritan Jazexhiut. Vjehrri i autorit ka ndërruar jetë disa muaj më parë për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme, ndërsa Hoxholli pretendon se duke qenë dhëndër i tij, duhet të trashëgojë një pjesë të dyqaneve. Për këtë arsye dyshohet të ketë nisur edhe konflikti mes tregtarit Jazexhiu dhe autorit të dyshuar të ngjarjes.
SHPERTHIMI

Banorët e një pallati të ri në rrugën “5 Maji”, në kryeqytet janë zgjuar të tronditur nga një shpërthim i fuqishëm, që ndodhi rreth orës 03:20 të mëngjesit të djeshëm, si pasojë e të cilit dyert e blinduara të apartamenteve të tyre ishin rrëzuar në tokë. “Përveç zhurmës së shpërthimit, ndjemë edhe një tronditje të fortë që fillimisht menduam se mund të ishte tërmet, por kur dolëm në korridor të trembur pamë tym dhe dyert e të gjithë banorëve të katit që ishin rrëzuar në tokë. E kuptuam që ishte eksploziv, por fatmirësisht asnjë prej banorëve nuk u plagos nga kjo ngjarje”, shprehen disa prej banorëve të dëmtuar të pallatit. Ndërsa familjarët e biznesmenit Dritan Jazexhiu nuk preferuan të japin asnjë shpjegim në lidhje me ngjarjen, duke ia lënë gjithçka në dorë policisë. Burime nga grupi hetimor thanë se sasia e tritolit të vendosur ka qenë rreth 200 gramë dhe për këtë arsye dëmet materiale janë të konsiderueshme. Por, fatmirësisht, duke qenë se dyert e dhjetë apartamenteve që ndodhen në katin e dytë kanë qenë të blinduara, kanë penguar dëmtimet e brendshme në apartamente dhe plagosjen e banorëve. Fqinjët e familjes së tregtarit Jazexhiu u shprehen dje se shpërthimi ka shkaktuar edhe çarje të mureve të pallateve dhe ka dëmtuar ashensorin e pallatit, dëmtime që janë mjaft të dukshme. “Nuk e kuptojmë se si autori ka marrë këtë iniciativë, pavarësisht problemeve që ka pasur me të zotin e shtëpisë, ku ka vendosur tritolin. Po ne të tjerët që nuk kemi asnjë lidhje me atë apo tregtarin, pse duhet të vuajmë pasojat e konflikteve të tyre dhe të detyrohemi të rikonstruktojmë shtëpitë”, shprehen banorët e pallatit, duke treguar se çdo punim që kanë kryer e kanë paguar nga xhepi i tyre.
Gruaja e tregtarit: Mrekulli që shpëtuan fëmijët

Bashkëshortja e tregtarit Dritan Jazexhiu, i cili administron disa dyqane në tregun “5 Maji” në Tiranë, nuk pranoi të japë shpjegime në lidhje me motivet e ngjarjes, por e quan mrekulli faktin që shpërthimi nuk shkaktoi asnjë të plagosur në familjen e saj. Arjola Jazexhiu tregoi dje se eksplozivi ka shkaktuar mjaft dëme materiale në apartamentin e saj, por ato janë të papërfillshme në krahasim me shëndetin e dy vajzave që flinin në dhomën përballë derës së jashtme. “Eksplozivi është vendosur poshtë derës së jashtme të apartamentit, që është përballë dhomës së gjumit, ku po flinin dy vajzat e mia. Fatmirësisht, dera e dhomës së tyre nuk ka qenë e mbyllur plotësisht, dhe ka lejuar qarkullimin e presionit të ajrit pas shpërthimit, ndryshe nga dyert e dhomave të tjera, që janë dëmtuar tërësisht. Në rast se dera e tyre do ishte e mbyllur, nga shpërthimi edhe ajo do ishte përplasur mbi krevatet e vajzave të mia, ashtu siç ndodhi me dyert e tjera dhe nuk mund ta imagjinoj se çfarë mund të kishte ndodhur”, u shpreh dje bashkëshortja e tregtarit Jazexhiu. Ndërsa në lidhje me shkaqet e ngjarjes dhe autorin, ajo nuk pranoi të prononcohej, duke u shprehur se gjithçka ia lë në dorë policisë.
Itali, hidrauliku shqiptar gjendet i vrarë me plumb në qafë
Një emigrant shqiptar me qëndrim prej shtatë vitesh në Itali është gjetur dje i vdekur në Prato. Sipas Policisë, shtetasi Alban Deliu ka gjetur vdekjen pasi është qëlluar me një plumb pistolete në qafë. Vdekja e 27-vjeçarit, sipas mjekëve ligjorë, ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnatës të së shtunës. Mediat italiane shkruanin dje se viktima punonte prej disa vitesh si hidraulik, ndërsa ishte edhe i martuar. Policia ka nisur hetimet menjëherë për ngjarjen, ndonëse motivet e ekzekutimit janë të paqarta. Sipas të dhënave të mbledhura nga hetuesit, shqiptari mbante armë, pasi ishte kapur me një të tillë pa leje në shtator dhe frekuentonte ambientet e gjahut. Po kështu, policia ka thënë se javë më parë, shqiptari ka pasur një konflikt në një lokal me disa persona të tjerë, por sherri ishte zgjidhur. Pas gjetjes së kufomës ditën e djeshme në ora 06:30 të mëngjesit, policia pyeti banorët e zonës të cilët thanë se nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë të çuditshme pas mesnatës të së shtunës. Natën e fundit të jetës, Alban Deliu kishte darkuar me motrën e tij, ndërsa hetimet nuk raportojnë asgjë të pazakontë për atë mbrëmje.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











