Djali vret me çifte babanë: Doja të shpëtoja nënën

Oct 11, 2011 | 12:00

Djali 16-vjeçar shpëton nënën nga dhuna e bashkëshortit të dehur dhe vret në pakujdesi babain. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesnatën e së dielës, kur djali 16-vjeçar vrau me çifte babain e tij, i cili në gjendje të dehur po dhunonte bashkëshorten brenda në banesë. Policia tha se viktima e ngjarjes është 43-vjeçari Kujtim Muça, babai i tre fëmijëve, më i madhi djali 16 vjeç, Lorenc Muça. Ky i fundit është arrestuar si autor i vrasjes së 43-vjeçarit në Shëngjergj, periferi e Tiranës. Krimi ka ndodhur në banesën e familjes Muça, në lagjen “Panec”, në fshatin Fag të Shëngjergjit, në sy të dy vajzave të mitura të viktimës, 12 dhe 7 vjeçe. Burime nga Policia e Tiranës thanë se adoleshenti është arrestuar me akuzën e “vrasjes nga pakujdesia” dhe në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë gjahu teke, të cilën viktima e mbante pa leje. Sipas grupit hetimor, vrasja ka ndodhur aksidentalisht në grindje e sipër mes djalit dhe të atit, pasi autori po tentonte t’i hiqte armën nga dora viktimës. Të njëjtat burime thanë se 43-vjeçari, në gjendje të dehur, ka nisur të ushtrojë dhunë ndaj gruas dhe fëmijëve dhe në një moment ka marrë armën duke ia drejtuar të shoqes, Fatbardha Muça. Ky ka qenë momenti kur ka ndodhur vrasja. Djali, duke dashur të mbrojë nënën dhe motrat e mitura, është përleshur me të atin duke i hequr armën me forcë nga dora dhe, sipas Policisë, arma është shkrepur aksidentalisht. Në këtë mënyrë dyshohet të ketë ndodhur vrasja e 43-vjeçarit Kujtim Muça.
KRIMI NE FAMILJE
Një efektiv policie, banues në fshatin Shëngjergj të Tiranës, ka qenë i pari që ka lajmëruar për vrasjen e ndodhur në familjen Muça, vetëm disa metra larg shtëpisë së tij. Pasi ka dëgjuar krismën e armës, rreth orës 19:30, agjenti i policisë ka shkuar vetë në vendin e ngjarjes për të parë se çfarë kishte ndodhur e më pas ka kërkuar që drejt Shëngjergjit të shkonin efektivat e Komisariatit Nr.4 dhe të seksionit Kundër jetës dhe shëndetit, pasi kishte ndodhur një krim në familje. Drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta policie, por për shkak të terrenit të thyer dhe rrugës së keqe, policia ka mbërritur rreth 2 orë e gjysmë pasi kishte ndodhur ngjarja. Pasi është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, pyetja e familjarëve dhe autorit të dyshuar të ngjarjes, i cili ka pranuar autorësinë duke sqaruar edhe rrethanat e ngjarjes, policia ka prangosur 16-vjeçarin Lorenc Muça dhe ka transportuar drejt morgut babain e tij.
DESHMIA E AUTORIT
Për shkak të moshës dhe kushteve psikologjikë, pas kryerjes së krimit në familje, 16-vjeçari i arrestuar për vrasjen e të atit është marrë në pyetje në prani të një psikologeje dhe të avokatit. Burime nga grupi hetimor thanë se adoleshenti e ka pranuar autorësinë e ngjarjes, por duke shpjeguar se vrasjen e kishte kryer pa dashje. Nga deklarimet që ai ka dhënë para oficerëve të policisë, mësohet se vrasja ka ndodhur në momentin kur ai ka ndërhyrë për t’i hequr babait armën nga duart. “Babai vinte gati çdo natë i dehur dhe rrihte mamin, motrat edhe mua ndonjëherë, kam shenja dhune në trup. Të njëjtën gjë bëri edhe mbrëmë (të dielën). Madje, mori çifte dhe ia drejtoi mamasë, duke i thënë se do ta vriste. Unë shkova t’ia hiqja nga duart dhe nuk e di se si ndodhi, por arma u shkrep dhe e pashë që u rrëzua në tokë i përgjakur. Nuk doja ta vrisja…”, kjo është një pjesë e dëshmisë së 16-vjeçarit të arrestuar.

Gruaja e viktimës
Policia ka marrë në pyetje si dëshmitare kryesore të krimit në familje, Fatbardha Muçën, e cila është gruaja e viktimës dhe nëna e autorit të ngjarjes. Dëshmia e saj, sipas Policisë përputhet plotësisht me deklarimet që i biri ka dhënë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës pas arrestimit. Edhe ajo mësohet të jetë shprehur se vrasja është kryer aksidentalisht.

Arma e krimit
Pas arrestimit të djalit 16 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes nga pakujdesia të babait të tij në fshatin Shëngjergj të Tiranës, policia sekuestroi edhe armën e krimit. Sipas Policisë, arma e vrasjes është një çifte teke e kalibrit 12 milimetra, me nr. 0185, të cilën viktima, babai i autorit, e mbante pa leje. Në vendin e ngjarjes u gjet edhe një gëzhojë.

Vajzat
Sipas Policisë, në momentin e ngjarjes ku ka mbetur i vdekur 43-vjeçari, kanë qenë të pranishme edhe dy vajzat e mitura të viktimës, A. Muça, 12 vjeçe dhe Xh. Muça, 7 vjeçe. Një punonjëse sociale e Policisë së Tiranës ka shkuar në vendin e ngjarjes bashkë me ekspertët kriminalistë. Sipas Policisë, vajzat e mitura do t’u nënshtrohen disa seancave të terapisë psikologjike, pasi është e nevojshme për traumën që kanë kaluar.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura