Tiranë, dhunohet në klasë 15-vjeçari

Apr 29, 2011 | 10:17
Shkolla “Lapraka e re” ku ndodhi ngjarja

Një nxënës i klasës së nëntë të shkollës 9-vjeçare “Lapraka e Re” në Tiranë, është rrahur në mes të klasës nga dy djem më të mëdhenj në moshë.Shkak për konfliktin që përfundoi me dhunë brenda ambienteve të shkollës, është bërë një zënke që i dëmtuari ka pasur në rrjetin social të “Facebook” me shokun e tij të klasës.  Ngjarja ndodhi dje në pushimin 30-minutësh, në orën 10:30, në ambientet e brendshme të shkollës, kur dy të rinj kanë hyrë në shkollë e më pas në klasë, pa u penguar nga askush. Ata kanë rrahur 15-vjeçarin Olsi Belba, të cilit i kanë shkaktuar disa dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Policia është lajmëruar për ngjarjen nga drejtoresha e shkollës “Lapraka e Re”, e cila është vënë në dijeni për ngjarjen nga mësuesja kujdestare e adoleshentit. Ndërkohë, një ambulancë ka mbërritur pranë shkollës, duke transportuar nxënësin e plagosur në Spitalin Ushtarak. Pasi ka kryer veprimet e para hetimore, policia e Komisariatit Nr.3 ka mundur të identifikojë dhe të arrestojë dy autorët e ngjarjes, Kreshnik Ferrollarin, 22 vjeç dhe Fatjon Hysën, 21 vjeç. Sipas burimeve nga Policia, dy të rinjtë përveçse kanë plagosur 15-vjeçarin Olsi Belba, kanë shkatërruar edhe klasën, duke thyer disa orendi të saj.
KONFLIKTI
Nga të dhënat e siguruara nga grupi hetimor, rezulton se ngjarja në shkollën “Lapraka e Re”, që ndodhet në rrugën “Gjergj Legisi” në Tiranë, ka ndodhur pas një zënke mes dy shokëve të klasës, në rrjetin social të “Facebook”. I dëmtuari, 15-vjeçari Olsi Belba, ka debatuar në “Facebook” me bashkëmoshatarin e tij dhe, sipas deklarimeve që shoku tjetër i klasës ka dhënë në polici, Belba i ka sharë motrën. Sipas tij, debati fillimisht ka nisur me shaka, duke shkëmbyer batuta të ndërsjella në profilet e tyre të “Facebook”-ut, derisa situata është tensionuar, kur i dëmtuari i ka sharë motrën shokut të klasës. Më pas, ky i fundit ka lajmëruar për ndihmë dy kushërinjtë e tij më të mëdhenj, Kreshnik Ferrollarin, 22 vjeç dhe Fatjon Hysën, 21 vjeç, duke u ankuar se Olsi e kishte ofenduar nga nderi i motrës. Ata kanë biseduar nëpërmjet celularëve me nxënësin e klasës së nëntë dhe kanë rënë dakord që ta kapnin në befasi nxënësin tjetër, në kohën kur të mbaronin tri orët e para të mësimit, kur ishte edhe pushimi i gjatë 30-minutësh.
INCIDENTI NE SHKOLLE
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Tiranës, dy të dyshuarit Kreshnik Ferrollari dhe Fatjon Hysa, kanë hyrë në ambientet e brendshme të shkollës, rreth orës 10:30. Sipas dëshmitarëve, ata nuk janë penguar nga roja i shkollës, pasi i njihte si banorë të zonës. Duke i thënë se do takonin kushëririn e tyre, të cilin e kishin takuar edhe herë të tjera, për t’i justifikuar disa mungesa, dy autorët janë ngjitur në katin e dytë të shkollës dhe janë drejtuar në klasën e kushëririt, si dhe të 15-vjeçarit Olsi Belba. Dy të rinj, në praninë edhe të dhjetëra nxënësve të tjerë, e kanë rrahur adoleshentin, duke e goditur me grushte e shkelma e më pas e kanë përplasur nëpër bankat e klasës, që policia gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes i ka konstatuar të thyera. Në kohën kur nxënësit e tjerë kanë nxituar të lajmërojnë mësuesen, autorët kanë mundur të largohen, por janë arrestuar vetëm disa minuta më pas nga policia.

16 shtator 2009

Një adoleshent është plagosur me thikë nga moshatari i tij, në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri”, në Tiranë. Sherri mes dy 14-vjeçarëve kishte nisur pas disa fyerjeve në Facebook dhe më pas ka përfunduar në thika. Adoleshenti R. Elezi ka dalë jashtë rrethimit të shkollës dhe është kthyer me një thikë, duke plagosur nxënësin E. P.

28 janar 2010

Nje sherr i nisur në Facebook mes dy gjimnazisteve, ka përfshirë në konflikt edhe familjarët e tyre në një shkollë të Farkës në Tiranë, të cilët kanë shkuar për të zgjidhur problemin mes nxënësve, por janë përfshirë edhe vetë, duke u goditur me grushte. Protagonistë të ngjarjes kanë qenë Vëllezërit e nxënësit B.Topçiu, që kanë plagosur kushërinj të gjimnazistit G. Mustafa.

9 shkurt 2010

Bukurosh Muçeku, 18 vjeç, nxënës i vitit të katërt në gjimnazin e Kamzës, ka vrarë duke qëlluar me thikë, një emigrant i cili i kishte ngacmuar motrën në Facebook. Viktima, Robert Dishmema, 22 vjeç, i cili sapo ishte kthyer nga Greqia, është qëlluar për vdekje nga adoleshenti, i cili ka pranuar autorësinë duke thënë se Dishmema i ka ngacmuar motrën në Facebook.

“Roja i shkollës i lejoi autorët të hynin në klasë”

TIRANE – Disa nxënës të shkollës 9-vjeçare “Lapraka e Re”, në Tiranë, treguan dje ngjarjen që kishte ndodhur në shkollën e tyre, duke fajësuar për gjithçka rojën që kishte lejuar të futen brenda rrethimit e më pas në klasë, dy djem më të rritur. Nxënësit që nuk preferuan të flisnin me emër, treguan edhe motivet e ngjarjes, duke thënë se gjithçka ka ndodhur pas fyerjeve që Olsi Belba kishte shkëmbyer me shokun e tij të klasës në Facebook. Sipas tyre, shoku i tij kishte lajmëruar disa djem më të mëdhenj, të cilët e kishin rrahur. Madje, ata treguan se autorët nuk e kanë pasur aspak të vështirë të futeshin në shkollë, pasi ishin futur edhe herë të tjera, duke qenë se ishin banorë të zonës dhe roja i njihte. “Olsi ishte djalë i urtë dhe nuk bënte fjalë me njeri, nuk kishte as shokë dhe as kushërinj më të mëdhenj që ta mbronin. Por ai shoku i tij i klasës, për një fjalë gojë, që Olsi e kishte sharë në Facebook, lajmëroi dy djem më të rritur, që u futën dhe e rrahën brenda në klasë, duke e bërë për spital”, rrëfyen dy nxënës të shkollës “Lapraka e Re”. Nga ana tjetër, ata fajësuan për ngjarjen rojën e shkollës që lejon persona më të rritur të futen në ambientet e shkollës. “Ata dy djemtë që rrahën Olsin, ne nuk i njohim, por i kishim parë edhe disa herë të tjera, që futeshin pa problem në shkollë, si kushërinjtë e nxënësit tjetër. Roja nuk i pengonte ndonjëherë të futeshin, pasi i njihte dhe bënte disa herë muhabet me ta”, treguan nxënësit.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura