Shefi i klubit të Tiranës, Rauf Dimraj, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka zbuluar kontratën mes Tiranës dhe ish-trajnerit Nevil Dede, duke i kërkuar Komisionit të Disiplinës që të marrë parasysh të gjitha kundërshtitë që ka klubi kundrejt Dedes. “Deri më sot, në klubin tonë nuk është paraqitur asnjë shkresë, asnjë letër, apo kërkesë nga vetë z.Dede ose nga ky Komision i respektuar, ku ne të njiheshim zyrtarisht e të kuptonim përmbajtjen e saktë të problemit e njëherësh të sqaronim para jush opsionin tonë. Dede nuk kishte asnjë lloj eksperience si trajner, por, për ta kënaqur atë në kontratën e vërtetuar para noterit, spikat që rroga e tij mujore është 400 000 lekë. Më datën 6 shkurt 2011, pas ndeshjes me Besën, drejtori i KF Tirana, në zyrën përkatëse, i komunikoi z.Dede shkarkimin nga drejtimi i ekipit. Z.Dede kërkoi: “Çfarë do të bëhet me mua si trajner”. Dhe iu dha përgjigja se: klubi do të zbatojë kontratën që është lidhur para noterit. Që nga data 7 shkurt e deri më sot, z.Dede nuk ka ardhur më në klub. Ndaj ja argumentet që na detyruan ta shkarkonim:
1. Z.Dede, në kontratë ka marrë përsipër detyrimin për ta nxjerrë ekipin kampion, por ecuria nuk ishte e tillë.
2. Z.Dede nuk realizoi dhe nuk lejoi të kryhej asnjë stërvitje individuale për lojtarë të federuar, p.sh., Pashaj, Muça, Hajdari, Taku etj. Ky veprim frenoi perspektivën e klubit.
3. Në ndeshjen Tirana-Vllaznia (0-2) të datës 13.11.2010, z.Dede doli në media dhe mori përsipër përgjegjësinë e humbjes. Po ashtu edhe për Tirana-Skënderbeu (0-0) dhe Tirana-Besa (0-0), ku u detyruam të bëjmë shkarkimin nga detyra.
4. Z.Dede është dënuar me dy javë pezullim nga Komisioni i Disiplinës, me vendimin përkatës të datës 15.12.2010, referuar ndeshjes Ballshi-Tirana. Ndaj i lutemi këtij Komisioni, që në analizën, gjykimin dhe qëndrimin ndaj kësaj kontrate”, thuhet pak a shumë në deklaratën e KF Tirana.
Ish-tekniku Dede: Dimraj po hedh baltë mbi figurat bardheblu
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-trajnerit (de fakto) të Tiranës, Nevil Dede. Ai e ka quajtur një shpifje të turpshme gjithë “apologjinë” e Rauf Dimrajit, duke e krahasuar me të njëjtën gjë që bëri edhe ndaj një tjetër figure të klubit bardheblu pak ditë më parë, si Indrit Fortuzi. “Unë di të them se kam një kontratë të rregullt me klubin të firmosur para një noteri nga të treja palët dhe këtë nuk ka shans që ta hedhë poshtë askush. Ah, ndoshta kjo është ajo që i ka djegur Dimrajit, që unë nuk kam punuar pa kontratë dhe ai të bënte ç’të donte me mua më pas. Kur jam shkarkuar nga drejtimi i ekipit, kam pyetur si presidentin Halili edhe shefin e klubit për vijimësinë kontratës dhe më kanë thënë se pagesa do të vazhdonte deri në fund. Unë deri tani jam paguar vetëm 2 muaj e gjysmë nga Tirana, ndërsa drejtova atë skuadër për 4 muaj dhe deri në fund të kontratës duket se kanë mbetur edhe rreth 5 muaj e gjysmë për t’u paguar”, tha dje Dede. Ish-trajneri ka konfirmuar edhe problematikën që ai ka pasur me drejtuesit e klubit. “Ndoshta është politika që bën Dimraji me klubin, duke denigruar figurat e Tiranës. Një gjë të tillë e bëri para pak kohësh edhe me Fortuzin. Kam një jetë te Tirana dhe nuk mund të më mësojë Dimraji, një person i emëruar aty që sot është, dhe nesër e shkarkojnë”, ka thënë Dede.











