Tirana kthehet në shoqëri aksionere, ja ç’pritet të ndodhë

Oct 13, 2011 | 13:15

Me 29 vota pro, që të gjitha të grupimit “Aleanca për qytetarin”, është miratuar dje në orët e vona të mbrëmjes nga Këshilli Bashkiak kthimi i KF Tirana në shoqëri aksionere. Në bazë të vendimit të marrë dje nga Këshilli, por që për të marrë forcë ligjore duhet të marrë fillimisht firmën e prefektit të Tiranës, Keltis Kruja, klubi është 100 për qind nën administrimin e Bashkisë, Tiranë, e cila ka të drejtën ekskluzive të administrimit të logos dhe aseteve. Këtu përfshihen fushat e futbollit në kombinat, “Ali Demi”, në Qytet të Nxënësve, si dhe anekset pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, duke futur këtu edhe vetë impiantin, ku ka zyrat klubi bardheblu. Të gjitha këto terrene konsiderohen pronë e klubit ose më mirë e bashkisë Tiranë, e cila ka të drejtën që edhe t’i shesë në formën e aksioneve ose t’i japë në përdorim pa të drejtë tjetërsimi. Mëngjesin e sotëm, shefi i komanduar i klubit, Alban Tafaj, pritet të paraqesë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) dokumentacionin e klubit për ta regjistruar këtë si shoqëri aksionere. Pas marrjes së këtij vërtetimi, klubi konsiderohet i rregullt edhe për Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila kishte vënë afat datën 15 tetor për plotësimin e dokumentacionit. Në të kundërt, Tirana do të gjobitej me 10 pikë minus në kampionatin aktual. Pas kalimit dhe të KF Tiranës në sh.a, mund të thuhet se të gjitha klubet e Kategorisë Superiore kanë marrë tashmë nga një formë juridike të pranuar “sui” nga FSHF-ja dhe nga UEFA.

© Panorama.al

Te lidhura