
Tirana fiton në limit, kjo falë golit të tretë personal të Bekim Balës. Kastrioti iu fal Inkangos dhe Turdiut ndaj Apolonisë, ndërsa Skënderbeu nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Teutës. Emocione, grinte të madhe sportive, por edhe shumë gola, kjo ka qenë ajo çka dhuroi përballja në “Qemal Stafa”. Të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë, nëpërmjet një goli të Dimos, të cilit iu përgjigj shumë shpejt Bala. Shkodrani nuk u mjaftua me kaq, pasi realizoi edhe golin e dytë, të cilit iu kundërpërgjigj sërish kapiteni Dimo, nëpërmjet një 11-metërshi tepër të dyshimtë. Arbitri Çekaj dha një penallti inekzistente, e cila mund të ishte fatale për Tiranën, nëse nuk do të kishte shënuar edhe golin e tertë në fund të takimit. Gjithsesi, një trepikësh i vyer, që i mban në pozita kryesuese kryeqytetasit. Bardheblutë bënë diferencën, pasi janë shfaqur tepër kërkuese në çdo repart, një skuadër që luftonte për çdo top dhe që çdo dy minuta krijonte aksione të pastra goli, duke dominuar në fushë, sidomos gjatë pjesës së dytë. Ndërkohë në Krujë, Kastrioti nuk ka falur, teksa ka mundur me rezultatin e pastër 2-0 Apoloninë. Krutanët kanë mundur të sigurojnë tri pikët e plota, duke mbetur kështu mes tri vendeve të para të klasifikimit. Në një ndeshje të bukur dhe plot emocion, fierakët e kanë pasur të vështirë të depërtonin në mbrojtjen krutane, çka bëri që të mos merrnin atë për të cilin kishin ardhur. Në minutën e 27-të do vinte goli i parë, me autor Inkangon, i cili nuk fal, duke nxjerrë krutanët në avantazh. Kur pritej të përfundonte pjesa e parë, Turdiu bën surprizën falë një 11-metërshi. Kështu, në minutën e 46-të, një inkursion i Gramit, pas një pasimi të saktë nga Malakarne, që pengohet në mënyrë të parregullt nga lojtarët miq dhe gjyqtari akordon një 11-metërsh. Ekzekutimin nga pika e bardhë e merr përsipër Turdiu, i cili e shndërron në gol dhe këtu mbyllet gjithçka. Fierakët tentojnë në pjesën e dytë që të rrezikojnë në portën e vendësve, por nuk kanë forcën e duhur goditëse dhe detyrohen që t’i binden verdiktit të fushës. Sakaq, vazhdon seria negative e Skënderbeut të Korçës. Edhe pas largimit të Shpëtim Duros, skuadra e drejtuar tashmë nga çeku Stanislav Levi nuk arrin të bëjë kthesën, duke treguar jo vetëm një shterpësi në gola, por edhe në lojë. Edhe ndaj Teutës së Durrësit, kampionët në fuqi nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola, duke u renditur kështu në vendin e 9-të, me 7 pikë, në 6 javë kampionat. Në këtë ndeshje u vërejt mungesa e Daniel Xhafajt, një prej lojtarëve më të kritikuar nga presidenti Zeqo për shkak se nuk po arrin të shënojë sikundër vjet me Flamurtarin. Kujtojmë se sulmuesi ka qenë “Këpuca e Artë” e Superiores në dy sezonet e fundit me Besën dhe Flamurtarin. Ndërsa Teuta me këtë barazim kap Tiranën në krye me pikë të barabarta, por me golavarazh më të mirë janë bardheblutë ata që kryesojnë.
Lulzim Basha: Do t’ju mbështesim gjithnjë
Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, para se të fillonte ndeshja me Bylisin u takua me futbollistët e Tiranës. Ndryshe nga ish-kryebashkiaku, i cili nuk mbahet mend se kur e ka përmendur për herë të fundit fjalën “Tiranë” për futbollin, Basha jo vetëm është më afër ekipit, por ka premtuar dhe mbështetje e garanci financiare për klubin bardheblu. Në këtë takim me dyer të hapura, që zgjati rreth 20 minuta, qytetari numër 1 i kryeqytetit ka folur haptas me të gjithë të pranishmit, duke filluar nga financuesi kryesor, Refik Halili, e deri te futbollistët. Duke ndarë me ta lajmin për kthimin e klubit në një shoqëri aksionere, Basha shprehu angazhimin dhe vullnetin e Bashkisë së Tiranës për ta mbështetur atë. Ai tha se fondet dhe donacionet për skuadrën do të rriten, ndërsa shtoi se Bashkia e Tiranës do të demonstrojë angazhimin e saj për rritjen e mbështetjes për futbollin e Tiranës. Ndër të tjera, ai ka qetësuar edhe donatorin Halili, të cilin e ka pasur në krah gjatë këtij takimi. Madje, i ka premtuar se do t’i njihen kontributet dhe se ai do të jetë pjesë e drejtimit të klubit. “Me kalimin në shoqëri aksionere, ne do të shumëfishojmë përpjekjet për t’ju mbështetur. Do të përcaktojmë një buxhet sa më të mirë, do të vijojmë të thithim sa më shumë donacione e sponsorizime. Jo pa qëllim sot jam këtu edhe me Refik Halilin. Unë besoj se në fund të vitit ne do kurorëzohemi me marrjen e trofeut, siç i takon Tiranës dhe ju do të keni si klub shpërblimin më të mirë që keni pasur ndonjëherë në historinë tuaj. Ky është vetëm një takim formal, pasi ne do të shihemi sërish në zyrën time dhe do të flasim më nga afër. Fatmirësisht, një pjesë prej jush ju njoh edhe nga afër, siç është Klodian Duro, që e kam komshi”, – tha kryebashkiaku. Shefi i klubit të bardhebluve i dorëzoi kreut të Bashkisë uniformen e re të skuadrës, e cila mbante numrin 1 dhe emrin e zotit Basha. Mirëpo nuk përfundoi gjithçka me kaq, pasi kryebashkiaku ndonëse mungoi në shkallët e stadiumit, e ka ndjekur në televizor atë. Ai shtoi se këtë takim s’mund ta ndiqte, por ndaj Skënderbeut nuk do të mungonte në “Qemal Stafa”.
Halili, sërish në drejtim
Donatori kryesor i klubit “Tirana”, Refik Halili, dje është rikthyer në tribunën VIP për të ndjekur nga afër ekipin e zemrës. Ai e ka parë ndeshjen ndaj Bylisit në shoqërinë e prefektit të Tiranës, Kruja dhe presidentit të ballshiotëve, Kapllanaj. Ky veprim vjen fill pas ndezjes së dritës “jeshile” nga kryebashkiaku Lulëzim Basha për njohjen e të gjitha kontributeve të dhëna në këto 8 vjet si dhe rikthimin e tij në drejtim të klubit.
Gafa, arbitri i fal 3 pikë Laçit, Sejdini: Ky është skandal
Takimi i djeshëm mes Laçit dhe Dinamos ka pasur brenda tij shumë emocione, të papritura, kartonë të verdhë dhe të kuq dhe në fund një fitore shumë të vështirë për laçianët, që janë ngjitur një vend më lartë në tabelën e klasifikimit, ndërsa Dinamo është zhytur edhe më shumë në krizë, duke qëndruar sërish në vendin e fundit. Golin e vetëm të takimit për vendësit, do të shënonte Vucaj nga pika e bardhë. Ndërsa, kryesori i takimit, Labion Mustafaraj, pasi është kontestuar dy ditë më parë, në ndeshjen Butrinti-Luftëtari, për një penallti të dhënë për gjirokastritët, është kontestuar ashpër edhe gjatë ditës së djeshme, ku ka dhënë një tjetër penallti tepër të dyshimtë në favor të laçianëve. “Me Dinamon po veprojnë si me Partizanin. Të paktën të na thonë se e kanë përcaktuar një fat të tillë dhe të largohemi vetë. Nuk ka kuptim e gjithë kjo që po ndodh. Është e pajustifikueshme një urrejtje e tillë ndaj ekipit tim. Nuk e di kujt i intereson gjendja e Dinamos në të tilla pozita. Unë nuk flas gjëra të paqena, ashtu sikurse e them që na kanë pritur shkëlqyer në Laç, them që këtë humbja na e kanë “dhuruar” në mënyrë të padrejtë. Të gabojnë gjyqtarët kur ndaj tyre nuk ka asnjë trysni si nga vendësit edhe nga ne, kjo është e patolerueshme. Një moment jam matur të tërheq ekipin nga fusha, por nuk e bëra këtë pasi më vinte turp. Është gjynah që sportdashësve laçianë dhe dinamovitë t’u bëja një gjë të tillë, duke tërhequr ekipin pa mbaruar ndeshja”, ka deklaruar trajneri i bluve, Faruk Sejdini, pas ndeshjes.
Superiore/ Java 6
Pogradeci-Shkumbini 0-0
Kamza-Tomori 2-1
Shënues: Pema 5’, Ndreka 10’/ Bakiu 19’ (p)
Flamurtari-Vllaznia 1-0
Shënues: Progni 3’
Laçi-Dinamo 1-0
Shënues: Vucaj 90+2’
Kastrioti-Apolonia 2-0
Shënues: Inkango 27’, Turdiu 45’ (p)
Tirana-Bylis 3-2
Shënues: Bala 31’, 53’, 90+3’/ Dimo 27’, 71’ (p)
Teuta-Skënderbeu 0-0
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H P
1. Tirana 6 4 1 1 13
2. Teuta 6 4 1 1 13
3. Kastrioti 6 4 0 2 12
4. Flamurtari 6 4 0 2 12
5. Laçi 6 3 2 1 11
6. Shkumbini 6 2 2 2 8
7. Bylis 6 2 1 3 7
8. Vllaznia 6 2 1 3 7
9. Skënderbeu 6 1 4 1 7
10. Kamza 6 2 1 3 7
11. Apolonia 6 2 1 3 7
12. Pogradeci 6 2 1 3 7
13. Tomori 6 1 1 4 4
14. Dinamo 6 0 2 4 -1
SHËNIM: Dinamo, minus tri pikë për shkak të dënimit nga FIFA për mos dhënien e rrogave të kroatit, Dario Bodrusiç.
Leonard Karaj
© Panorama.al











