Thyhen xhamat e zyrave të PS e LSI

Apr 27, 2011 | 10:30

Në Tiranë janë shënuar incidentet e radhës së fushatës parazgjedhore kundër subjekteve politike, PS dhe LSI. Në zyrat elektorale të dy subjekteve politike, janë thyer me gurë xhamat e dyerve të jashtme, në rrugën “Qemal Stafa”. Përfaqësues të dy subjekteve kanë depozituar kallëzimet e tyre në Komisariatin Nr.4 dhe policia ka nisur hetimet për kapjen e autorëve, që mesa duket kanë vepruar gjatë natës. Dje rreth orës 07:00 në Komisariatin Nr.4, Tiranë, janë paraqitur për të depozituar kallëzim penal përfaqësues të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilët kanë deklaruar se, në mëngjes kanë konstatuar thyerjen e xhamit të derës së zyrës elektorale të këtij subjekti. Gjithashtu, rreth orës 10:00, në të njëjtin Komisariat, janë paraqitur për të depozituar kallëzim penal edhe përfaqësues të Partisë Socialiste. Ata kanë deklaruar se dje në mëngjes, në rrugën “Qemal Stafa”, në Tiranë, kanë konstatuar në zyrën elektorale të kandidatit për Njësinë Nr.3 Tiranë, një thyerje të xhamit të derës së kësaj zyre elektorale.

© Panorama.al

Te lidhura