Thjesht Margaritë…

Nov 13, 2011 | 12:07

Nga fëmijëria e “uritur” deri në rolet e suksesshme që të gjithë i njohim. Jeta e aktores Margarita Xhepa vjen e gjitha e përmbledhur në librin që Angjelina Xhara Papalilo i ka dedikuar. Nga bisedat e gjata që të dyja kanë bërë bashkë, ju kemi përmbledhur copëza të fëmijërisë së saj, emocionet e para prej dashurisë e deri te dy martesat e mëvonshme. Recitimet e para të “Bagëti e bujqësi” deri te rolet e Shekspirit.

Thonë që nëse një pjesë e jetës nuk të shkon mbarë, do të të shpërblehet në pjesën tjetër. Sidoqoftë, nëse do sillnim jetën e një personazhi që e ka përshëndetur për së pari botën që në vitet ’40-të, nuk është se vlen shumë. Shumica prej tyre në ato vite nuk e kanë përqafuar lehtë jetën. Arsyet të gjithë i dimë se pse ishte e vështirë jetesa në ato vite në Shqipëri. Varfëria kryesonte ndër shoqe. Janë pikërisht fragmente të fëmijërisë kur e kujton veten skajshmërisht të uritur, me të cilat autorja e librit të aktores Margarita Xhepa, Angjelina Xhara Papalilo, e ka nisur rrëfimin e saj për të treguar deri në ditët tona jetën e artistes. Të rrëfyera nga vetë protagonistja, autorja hedh në letër gjithë peripecitë që kanë shoqëruar fëmijërinë e Margaritës (apo Rita siç e thërrisnin). Që nga lufta për t’u ushqyer, përpjekjet e nënës së saj, Maries dhe të atit që punonin gjithë ditën duke shitur peshk a zarzavate, si e si të ushqenin fëmijët. Edhe këta të fundit pa dyshim që jepnin kontributin e tyre. Rita për shembull nuk kthehej në shtëpi pa e mbushur plot torbën me kërmij apo manaferra. Ky ishte edhe ushqimi që do të shoqëronte tryezën e tyre, shpesh i vetmi.
E megjithatë, fëmijët nuk shfaqnin kurrfarë pakënaqësie, si e si të mos e shihnin të ëmën të përlotur. Edhe pse as që e mendonin se shumë shpejt, kur vajza e madhe të ishte vetëm nëntë vjeç, lotëve të saj do t’u vinte fundi. Jo sepse ekonomia e shtëpisë do të përmirësohej, por sepse tuberkulozi nuk e la të jetonte gjatë. Vajza e madhe mori peshën e familjes mbi vete. Deri sa, nga martesa e dytë e të atit, katër fëmijëve të dikurshëm do t’u shtoheshin edhe tre të tjerë.

Tangoja e parë e dashurisë dhe ëndrra e fshehur
Në bisedat mes mikeshave kishte nisur të përmendej dashuria, fundja kishin hyrë në moshën e adoleshencës. Por për të parën herë, siç e përmend Margarita Xhepa, kënaqësinë e takimit të afërt me një djalë e ka pasur në vallëzimin e një tangoje, në mbrëmjet që organizoheshin dikur. Asgjë nuk ndodhi sigurisht, vetëm se për të ishte një emocion ndryshe. Asgjë nuk ngjau as me djalin që pak më vonë do të takonte në fshatin Libofshë, por ja që këto emocione të para nuk harrohen. E po në këto kohë, në moshë fare të vogël, vetëm 14 vjeç, babai e martoi me oficerin Adem Guskiqi. Do të zhvendosej nga Lushnja ku banonte dhe do të vinte në Tiranë. Dera që po i hapej, i ngacmoi ëndrrat. I bëri më të prekshëm pasionin që kishte për recitimin sepse, duke ardhur në Tiranë, do të mund të futej në Liceun Artistik, do të kishte më afër Teatrin Popullor. Dhe vërtet ashtu ndodhi. Përveçse nisi të studionte degën e dramës në Lice, hyri probiste me rrogë në teatër.

Pas hidhërimit vjen gëzimi

Margarita Xhepa me nipin

Sikur kishte qenë e shkruar që gjithë fëmijëria e rinia e Margarita Xhepës të ishte e tejmbushur me ngjarje, shpesh të hidhura. Pasi lindi djalin e parë, Artianin—, i vdes i shoqi nga një sëmundje e rëndë, duke e lënë kështu të vetme përpara sakrificave që kërkonte teatri, dhe përkushtimit që donte fëmija. Por sigurisht që kjo situatë nuk do vazhdonte përgjithmonë.
Gjatë hyrje-daljeve në shtëpinë e saj te Rruga e Durrësit, Margarita njihet me Xhavit Xhepën, këngëtari simpatik që nuk do të ishte më vetëm fqinji i saj. Në vitin 1956, ata u martuan për të sjellë më pas në jetë dy djem të tjerë, Ndriçimin dhe Sokolin. Ja ku nisi edhe etapa e dytë e jetës së saj, që ishte domosdo më e buzëqeshur. Punonte në Teatrin Popullor, kishte tre fëmijë dhe gjithë mbështetjen e të shoqit për të ndjekur rrugën e saj.

Rolet e para e ato të rëndësishme
Ofelia, Marçela, Klea, Helena, Regana, Dafina, Zina etj. ishin njëra pas tjetrës emrat e personazheve që do të interpretonte në skenën e Teatrit Margarita Xhepa. “Kur më thoshin që kam talent, unë s’e besoja. E ndieja veten larg Shekspirit, Çehovit, Ibsenit. Më dukeshin si planetë të panjohur, unë kisha qenë një letër e bardhë. Por fillova të rritem e të mësohem dalëngadalë falë mësuesve që kisha pranë”. E në këtë rritje, lumturia e saj reflektohej në çdo pore të fytyrës. Aq sa, nuk ishte e nevojshme të fliste kur shkonte në shtëpi. I shoqi e kuptonte menjëherë që kishte marrë një rol të ri.

Nga teatri në film

Me të birin, Ndriçim Xhepën

Filmi ishte një ëndërr më vete. Filmin jugosllav ‘Sllavic,’ që pa në bezen e bardhë në fushën e Myzeqesë me protagoniste një bionde si vetë ajo, e ruajti gjatë në mendje. Ia prishi gjumin ai film. Deri sa, njëfarësoj do t’ia prishte edhe roli i saj i parë në film, ai i Zyrakës te ‘Vitet e para’. E, nëse përvoja e parë kalon me sukses, ato që pasojnë janë pa dyshim më të lehta. Pas tij e kishte radhën filmi ‘Gjurmët’, ku Xhepa interpretoi përkrah Artistit të Popullit, Naim Frashëri. “Në fillim e ndieja që kisha pak teatralitet në rolin kinematografik, por kjo mangësi dalëngadalë u zvogëlua. Tituj filmash ku ajo do të vijonte të shfaqej e që ende edhe sot mund t’i kujtojmë lehtësisht janë: ‘Koncert në vitin ’36’; ‘Apasionata’; ‘Tokë e përgjakur’; ‘Dollia e dasmës sime’; ‘Pylli i lirisë’; ‘Dimri i fundit’; ‘Dora e ngrohtë’ etj.

Nënë e bir
Një nga filmat e vonë ku i kemi parë të dy Xhepa-jt së bashku, është filmi ‘I dashur armik’, ku Margarita luan rolin e nënëmadhes. “Ndriçimi donte të bëhej artist dhe çau vetë me një përkushtim të veçantë. Unë jam vetë aktore dhe e di mirë stërlodhjen e këtij profesioni. Kur më thonë fjalë të mira për Ndriçimin, ndiej krenari si nënë, por edhe si kolege”. E në fakt, fjalët e mira për të birin, sikundër thuhet gjithnjë pas një roli të tij, nuk kanë munguar.

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura