NAXHI KASARUHO*
Më 15 janar të vitit 1962, 55 vjet më parë, u hap Konservatori Shtetëror i Tiranës, shkolla e lartë e muzikës. Ishte një ditë e bukur me diell sikur të ishte një fillim pranvere, ndonëse jemi në mesin e dimrit dhe shirat e të ftohtit do të ishin normale në këtë fillim janari. Dukej sikur ishin përzier stinët, kishte humbur ekuilibri kohor.
Pranvera kishte ardhur para kohe duke përzënë dimrin. Kështu erdhi edhe hapja e Konservatorit para kohe në mes të vitit shkollor.

Në verën e vitit 1961, të gjithë studentët shqiptarë që studionin në kryeqytetet e shteteve të kampit socialist u kthyen në Tiranë pa i përfunduar studimet. Vendi ynë i kishte ndërprerë marrëdhëniet me këto shtete dhe nga ky moment studentët që studionin jashtë shtetit nuk do të ktheheshin më aty për të vazhduar studimet. Në këta qindra studentë të degëve të ndryshme që u kthyen në atdhe ishin edhe rreth 25 studentë të fushës së muzikës si: kompozitorë, dirigjentë, instrumentistë, këngëtarë e teoritikë, të cilët nuk e dinin se si do të vazhdonte më tej shkollimi i tyre muzikor, mbasi në Tiranë akoma nuk kishte një shkollë të lartë muzike.
Ndoshta, kjo situatë ka qenë arsyeja kryesore që nxiti qeverinë e asaj kohe që të fillonte urgjentisht procedurat e hartimit të programeve mësimore për çeljen e Konservatorit Shtetëror të Tiranës në mes të vitit shkollor.
Mësimi do të zhvillohej në godinën e Teatrit të Operës dhe Baletit (sot Universiteti i Arteve). Në detyrën e Drejtorit të Konservatorit u emërua Prof. Albert Paparisto, që njëkohësisht ishte edhe Drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit.
Stafi Pedagogjik do të ishte:
– Çesk Zadeja – pedagog i kompozimit
– Marie Kraja – shefe e katedrës së kantos
-Ymer Skënderi – shef i katedrës së instrumentistëve
– Hamide Stringa – pedagoge e historisë së muzikës
-Mihal Ciko – pedagog i kantos etj.
Përveç këtij stafi si mësues të jashtëm u angazhuan edhe shumë artistë të mirënjohur si: Ramadan Sokoli, Ramiz Kovaçi, Tish Daija, Mustafa Krantja, Rifat Teqja, Ramazan Kaponja, Isuf Spahiu, Milto Vako etj. Ne, studentët e Konservatorit, ishim me fat dhe patëm privilegjin që mësimin për pesë vjet rresht ta zhvillonim në godinën e Teatrit të Operës dhe Baletit.
Ne patëm mundësinë që të ishim përditë mes artistëve më të shquar të vendit ku ndiqnim me respekt dhe vëmendje aktivitetin e tyre artistik, ku shfaqeshin në çdo javë katër shfaqje nga literatura muzikore më prestigjioze e krijimtarisë të klasikëve të mëdhenj botëror. Konservatori Shtetëror i Tiranës u kthye në panteonin e përgatitjes së muzikantëve të së ardhmes.
Pakkush ka menduar në atë 15 janar të vitit 1962 se këta muzikantë të rinj me instrumente në duar, që hynin në Portën e Madhe të Teatrit të Operës dhe Baletit për të studiuar në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, do të bëheshin personalitete dhe artistë të mirënjohur e me kontribute në zhvillimin e kulturës sonë kombëtare.
Nuk marr përsipër të bëj diferencime e të evidentoj këto figura të shquara të artit tonë muzikor, por do të përmend këtu një grup studentësh të 15 janarit 1962 si: Feim Ibrahimi, Limos Dizdari, Ferdinand Deda, Robert Radoja, Margarita Kristidhi, Mira Gjoni, Eno Koço, Muharem Denizi, Gëzim Laro, Robert Papavrami, Shqipe Mingomataj, Myzejen Mullai, Baniamin Kruta, Piro Miso, Vangjo Kosta, Spiro Kalemi, Lumturi Mara etj., të cilët na bëjnë të ndihemi krenarë e t’u jemi mirënjohës për gjithçka që kanë bërë për kulturën tonë kombëtare.
Duke vlerësuar maksimalisht vlerat intelektuale, artistike të këtyre artistëve që u bënë korifej të muzikës sonë dhe për t’u shprehur mirënjohjen për kontributin në kulturën tonë kombëtare, për t’i memorizuar në memorien e opinionit të gjerë në vitin 2012, në kuadër të 50-vjetorit të hapjes së Konservatorit, u ula të shkruaj një libër me titull: “Konservatori Shtetëror i Tiranës”, duke i portretizuar të gjithë këta studentë, që më 15 janar 1962 hapën shkollën e lartë të muzikës.
Duke qenë vit jubilar i një shkolle prestigjioze gjysmëshekullore, menduam se Universiteti i Arteve do të organizonte një takim për ta përkujtuar ditën e hapjes së Konservatorit, por nuk ndodhi kështu. Rektorati në mes të muajit dhjetor 2011 organizon një mbrëmje që nuk u mor vesh se çfarë ishte kjo festë e çfarë përfaqësonte në atë mes dhjetori. Për të festuar 50-vjetorin e Konservatorit, një grup studentësh organizuan në një nga sallat e Teatrit të Operës dhe Baletit një takim më 15 janar 2012, ku u promovua edhe libri “Konservatori Shtetëror i Tiranës”.
Mbrëmja kaloi në një atmosferë festive ku ish-pedagogë e studentë me nostalgji, dashuri, respekt e mirënjohje u shprehën për Konservatorin dhe kontributin e tij në kulturën tonë kombëtare dhe sollën kujtime për shkollën tonë të dashur të hapur këtu e 50 vjet më parë. Në këtë fillim janari 2017, duke mos pasur ndonjë njoftim se Universiteti i Arteve do të festonte 55-vjetorin e Konservatorit, u ula të shkruaj këtë shkrim për ta kujtuar 15 janarin 1962, datën historike të çeljes së shkollës së lartë të muzikës, Konservatorin Shtetëror të Tiranës, panteonin ku u përgatitën muzikantët e së ardhmes. Gëzuar 55-vjetorin e hapjes së Konservatorit Shtetëror të Tiranës!
*Muzikolog, ish-student i 15 janarit 1962.
© Panorama.al











