PRISHTINE- Kryeministri Hashim Thaçi ka përmendur për herë të parë mundësinë e fillimit të një procesi të ri në dialogun me Serbinë.
Kreu i Qeverisë në një paraqitje publike së voni ka deklaruar se me shtetin serb mund të bisedohet edhe për çështje politike.
Sipas tij, zgjidhja e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet në nivelin vendimmarrës politik.
“Ne duhet të kemi një zgjidhje, mund të them historike të përmbylljes së problematikës Kosovë-Serbi. Fillimisht kam qenë në favor që çështjet të fillojnë të zgjidhen nga lart poshtë. OK, komuniteti ndërkombëtar është pajtuar që të ketë çështje teknike, pastaj në nivele politike. Jemi pajtuar të gjithë. Kjo po shihet se pa një angazhim të lidershipit vendimmarrës është vështirë të shtyhen çështjet përpara”, ka thënë Thaçi, në një intervistë për RTK.
“Takimet në mes të lidershipit të Kosovës dhe Serbisë do të ndodhin herët e vonë. Diçka e tillë nuk është duke u kërkuar sot, prandaj do t’i japin mbështetje dialogut teknik në Bruksel”, ka shtuar Thaçi.
Kryeministri aktual nuk ka dhënë shpjegime se çka do të bisedohet nëse Serbia dhe Kosova ulen në tryezën e bisedimeve.
Por, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri nuk beson në një proces të ri bisedimesh.
Në një prononcim për Express, ajo ka thënë se kur Kryeministri Thaçi ka përmendur termin “politik”, ka menduar në raportet që duhet të ndërtohen me Serbinë sikur edhe me shtetet e tjera fqinje.
© Panorama.al











