
Tërmeti që goditi pjesën lindore të Turqisë me një forcë prej 7,3 ballësh në shkallën rihter, mund të ketë marrë mbi një mijë jetë. Tërmeti ndodhi rreth orës 13:40, me orën lokale (12:40 në Shqipëri). Edhe pse numri i trupave të gjetur fillimisht ishte më pak se 100 vetë, duke mos marrë parasysh të zhdukurit, nga bilanci i thjeshtë i rrëzimit të ndërtesave besohet se janë rreth njëmijë njerëz të pajetë. Mediat lokale flasin për shkatërrimin e rreth 40 ndërtesave në qytete të ndryshme. Ndër viktimat e para ishte edhe një vajzë tetëvjeçare në Bitlis. Sipas të mbijetuarve që arritën të nxirreshin shpejt nga rrënojat e pallateve, të mbuluar ka ende njerëz të gjallë. Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan ka vizituar mbrëmë qytetin Van. Qyteti më i goditur ishte Ercis, afër kufirit me Iranin në një nga zonat më të rrezikshme për tërmetet në Turqi. Në këtë qytet janë rrëzuar 25-30 ndërtesa përfshirë edhe një fjetore. Televizioni shtetëror turk fillimisht deklaroi se në këtë qytet mund të ishin rreth 45 të vdekur dhe 150 të plagosur. Por ky njoftim u hodh poshtë nga shkencëtarët, të cilët besojnë se janë mbi një mijë viktima, për shkak të standardeve të ulëta të banesave në këtë zonë dhe fuqisë së madhe të tërmetit. Gjysmëhëna e kuqe turke tha se kanë nxjerrë nga rrënojat shumë të lënduar. Gjatë darkës u ndërtuan kampe dhe çadra për të strehuar të mbijetuarit e mbetur të pastrehë. Nëpër kampe u transportuar kuzhina lëvizëse, batanije, ushqim dhe ujë. Përpjekjet e shpëtimit u ndihmuan edhe nga avionët ushtarakë. Media turke ka raportuar se linjat telefonike dhe ato të elektricitetit janë ndërprerë. Pas tërmetit të fuqishëm janë ndjerë edhe dridhje të tjera. Epiqendra e tërmetit ishte në fshatin Tabanli, në veri të Vanit. Tërmeti ka shkaktuar panik edhe mes banorëve të disa fshatrave iraniane, afër kufirit me Turqinë.
Ndihma
Izraeli ka ofruar ndihmë nga ambasada e tij në Ankara për qeverinë turke, kur klima mes dy vendeve është e acaruar që pas incidentit të vrasjes së 9 aktivistëve turq në anijen e nisur për në Gaza. Tani pritet përgjigja e Turqisë. Tërmetet më të fuqishme që kanë goditur vendin u regjistruan në vitin 1999, nga të cilët u vranë më shumë se 20 mijë njerëz në Turqinë Veriore.











