Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës pasi dyshohet se ka përplasur me automjet nënën e bashkëjetueses së tij, duke e lënë të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen “Skënderbeg” të qytetit të Lezhës.
Sipas hetimeve paraprake, rreth orës 02:05, i riu me banim në Tiranë kishte shkuar me automjet për të marrë bashkëjetuesen e tij. Në atë moment, sipas policisë, kanë dalë familjarët e saj dhe, pas një konflikti për motive që lidhen me marrëdhëniet familjare, 28-vjeçari dyshohet se ka goditur me makinë nënën e saj, shtetasen me iniciale K. H., 43 vjeçe.
Pas ngjarjes, ai është larguar nga vendi i aksidentit, ndërsa 43-vjeçarja është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia bëri të ditur se bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit me iniciale C. B., 28 vjeç.
“Nga veprimet e para hetimore rezulton se, rreth orës 02:05, në lagjen “Skënderbeg”, në Lezhë, 28-vjeçari, banues në Tiranë, ka shkuar me automjet për të marrë bashkëjetuesen e tij. Në këtë moment kanë dalë familjarët e saj dhe, për motive që lidhen me marrëdhëniet familjare, ai dyshohet se ka përplasur me automjet nënën e bashkëjetueses, shtetasen K. H., 43 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime trupore, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe veprimeve intensive të Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi C. B., 28 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.
E dëmtuara u transportua në Spitalin e Traumës, në Tiranë, ku vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti i përdorur në ngjarje“, njofton policia.
© Panorama.al












