TIRANE – Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 25-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim që prej datës 30 mars 2013, pasi akuzohej se kishte tentuar të vriste dy oficerë të forcave speciale RENEA. Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë se i arrestuari është Belind Luli, i cili dyshohet se shoqërohej me një tjetër person në momentin e ngjarjes, i cili ende nuk është identifikuar. Ngjarja për të cilën akuzohet Luli ka ndodhur pas mesnate, më 30 mars të këtij viti, te mbikalimi i Rinasit, kur efektivat e RENEA-s, Rigers B., 29 vjeç dhe Tonin K., 33 vjeç, po udhëtonin me një automjet tip “Citroen”. Një automjet tip “Range Rover”, ngjyrë e zezë, me targa angleze, që drejtohej nga Luli, ka kaluar paralel me makinën e policëve dhe personi që ndodhej në sediljen e parë, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të makinës së tyre. Njëri nga efektivat e RENEA-s, Tonin K., në kushtet e vetëmbrojtjes, i është kundërpërgjigjur me zjarr automjetit nga po qëllohej dhe në këtë kohë autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes.











