MITROVICE- Pronari i një kompanie private është arrestaur nga policia e Kosovës pas përjekjes së tij për të hequr barrikadën e vendosur nga serbët e veriut mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë.
Lajmi është konfirmuar nga agjencia kosovare e lajmeve Kosovapress, e cila raporton se rreth orës 14:00, është krijuar një rrëmujë pranë urës kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë, ku pas këtij rasti vërehet prani e shtuar e KFOR-it në këtë zonë.
Kosovapress thotë se policia ka arrestuar qytetarin që kërkoi të hiqte barrikadën që ndan qytetin e Mitrovicës, por policia dhe KFOR-i deri më tani nuk kanë arrestuar asnjë nga ata që i anë vendosur barrikadat.
Më tej Kosovapress raporton se vetëm 30 minuta më vonë policia nuk ka reaguar kur 11 persona me uniforma të ushtrisë ruse, kanë arritur me tri automjete tek ura kryesore e lumit Ibër në Mitrovicë, dhe janë ndaluar tek permendorja që ndodhet në cepin verior të kësaj ure. Ata janë lutur aty dhe kanë kënduar, siç thonin “për Kosovën”, ndërkohë që shoqëroheshin edhe nga një prift.
© Panorama.al











