Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i është drejtuar me një shkresë zyrtare ministrit të Brendshëm, Besford Lamallari, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke kërkuar informacion dhe llogaridhënie për ndërhyrjen e policisë gjatë protestës së zhvilluar këtë të enjte para Parlamentit.
Në letrën e tij, Blushi shprehet se ngjarjet sotme kanë ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si Policia e Shtetit ka ushtruar kompetencat e saj, duke iu referuar pamjeve të publikuara në media dhe dëshmive të qytetarëve, të cilat, sipas tij, pasqyrojnë “skena të një dhune të egër, çnjerëzore dhe krejtësisht të pajustifikuar ndaj protestuesve paqësorë”.
Në shkresë, Blushi kërkon përgjigje për disa çështje kryesore, mes të cilave se kush hartoi dhe drejtoi planin operacional të policisë, kush dha urdhrin për përdorimin e forcës ndaj protestuesve, sa efektivë u angazhuan dhe çfarë pajisjesh u përdorën, çfarë agjentësh kimikë u përdorën për shpërndarjen e protestuesve dhe nëse u respektuan procedurat ligjore, e të tjera.
“Kërkoj që të merren menjëherë të gjitha masat për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e zinxhirit komandues që urdhëroi dhe drejtoi ndërhyrjen policore, evidentimin e çdo shkeljeje të ligjit dhe vënien përpara përgjegjësisë administrative, disiplinore dhe penale të çdo punonjësi apo drejtuesi të Policisë së Shtetit që ka tejkaluar kompetencat e tij”, thekson Blushi në letrën e tij.
Letra:
Z. Ministër,
Z. Drejtor i Përgjithshëm,
Në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 23, nenit 25, nenit 27 dhe nenit 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 22 të Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, të Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe të nenit 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbi lirinë e tubimit paqësor dhe parimin e domosdoshmërisë e proporcionalitetit në përdorimin e forcës, ju drejtohem me këtë kërkesë për informacion dhe llogaridhënie institucionale.
Ngjarjet e ndodhura gjatë protestës së zhvilluar sot, më 23 korrik 2026, përpara Kuvendit të Shqipërisë, kanë tronditur opinionin publik dhe kanë ngritur shqetësime tepër serioze mbi mënyrën se si Policia e Shtetit ushtroi kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore. Pamjet e transmetuara gjerësisht në media dhe dëshmitë e shumta të qytetarëve pasqyrojnë skena të një dhune të egër, çnjerëzore dhe krejtësisht të pajustifikuar ndaj protestuesve paqësorë, të cilët po ushtronin një të drejtë të garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Nga sa është bërë publike deri në këtë moment, krijohet bindja se forca policore nuk është përdorur si mjeti i fundit, por si instrument represioni ndaj qytetarëve, në kundërshtim me parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit që kufizojnë ushtrimin forcës nga organet ligjzbatuese në një shtet demokratik.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton lirinë e shprehjes, paprekshmërinë e lirisë dhe sigurisë së personit, si dhe të drejtën e çdo qytetari për t’u tubuar në mënyrë paqësore dhe pa armë. Ligji “Për Policinë e Shtetit” e lejon përdorimin e forcës vetëm në raste të domosdoshme dhe në mënyrë proporcionale, duke detyruar punonjësit policisë të respektojnë në çdo rast dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut.
Nëse pamjet dhe faktet e bëra publike konfirmohen, atëherë kemi të bëjmë me një shkelje tepër të rëndë të standardeve kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare që rregullojnë veprimtarinë e Policisë së Shtetit dhe mbrojnë të drejtat themelore të qytetarëve. Për këtë arsye, dhe duke qenë se ngjarja përbën një çështje me interes të jashtëzakonshëm publik, kërkoj që brenda afateve ligjore të më vihet në dispozicion informacioni i mëposhtëm:
- Cili ishte plani operacional i Policisë së Shtetit për garantimin e mbarëvajtjes së protestës së datës 23 korrik 2026 dhe kush ishte drejtuesi përgjegjës i operacionit?
- Kush dha urdhrin për përdorimin e forcës fizike ndaj protestuesve dhe mbi çfarë vlerësimi operacional u mbështet ky vendim?
- Sa punonjës policie morën pjesë në operacion, cilat struktura ishin të angazhuara dhe çfarë pajisjesh të forcës u autorizuan për përdorim?
- Sa qytetarë janë shoqëruar, ndaluar ose arrestuar gjatë dhe pas protestës, mbi çfarë bazash ligjore dhe për cilat vepra penale apo kundërvajtje administrative?
- Çfarë lëndësh kimike ose agjentësh kimikë janë përdorur nga Policia e Shtetit për shpërndarjen e protestuesve gjatë protestës së datës 23 korrik 2026?
Ju lutem specifikoni:
llojin dhe emërtimin e secilit agjent kimik të përdorur;
bazën ligjore dhe procedurale mbi të cilën është autorizuar përdorimi tyre;
sasinë e përdorur;
njësitë policore që kanë kryer përdorimin;
nëse është respektuar protokolli për paralajmërimin paraprak të protestuesve përpara përdorimit të tyre;
si dhe nëse është kryer ndonjë vlerësim mbi pasojat shëndetësore që këto substanca mund të kenë shkaktuar tek qytetarët, përfshirë të moshuarit, gratë, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.
- Sa persona, qytetarë ose punonjës policie, kanë mbetur të lënduar dhe cili është bilanci zyrtar i dëmtimeve?
- A është urdhëruar nisja e një hetimi administrativ për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe, nëse po, cili organ po e zhvillon atë?
- A janë sekuestruar dhe ruajtur të gjitha pamjet filmike të kamerave trupore, kamerave operative dhe sistemeve të monitorimit të përdorura gjatë operacionit dhe a do të bëhen ato pjesë e një verifikimi të pavarur institucional?
- A është njoftuar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për këto ngjarje dhe a është referuar ndonjë rast për hetim disiplinor ose penal?
Ngjarjet e sotme nuk mund të relativizohen dhe as të mbulohen me heshtje institucionale. Përdorimi i forcës nga Policia e Shtetit ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën kushtetuese të protestës kërkon transparencë të plotë, përgjegjësi individuale dhe institucionale, si dhe një hetim të menjëhershëm e të paanshëm mbi çdo akt të mundshëm të tejkalimit të kompetencave apo përdorimit arbitrar të forcës.
Për rrjedhojë, kërkoj që të merren menjëherë të gjitha masat për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e zinxhirit komandues që urdhëroi dhe drejtoi ndërhyrjen policore, evidentimin e çdo shkeljeje të ligjit dhe vënien përpara përgjegjësisë administrative, disiplinore dhe penale të çdo punonjësi apo drejtuesi të Policisë së Shtetit që ka tejkaluar kompetencat e tij. Duke qenë se kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e lirive kushtetuese, funksionimin e shtetit të së drejtës dhe besimin e publikut tek institucionet ligjzbatuese, kërkoj që përgjigjja ndaj kësaj kërkese ti përcillet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe të bëhet publike në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Me respekt,
Deputeti TEDI BLUSHІ
© Panorama.al












