
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, i shoqëruar nga deputeti Andis Harasani dhe socialistë të tjerë, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj në lagjen e Kombinatit. Në një takim që kishte ngjallur interes, gjë që tregohej dhe nga pjesëmarrja e madhe e njerëzve, Malaj shpjegoi domosdoshmërinë e modernizimit të partive politike shqiptare. Sipas tij, ashtu siç janë partitë politike, e tillë do të jetë dhe qeverisja nesër. Pas 40 minutash, kur qytetarë të pranishëm u drejtuan pyetje dhe shqetësime dy deputetëve, disa persona u munduan të krijonin incidente në sallë. Malaj dhe Harasani u përpoqën t’u përgjigjeshin qytetarëve, por klima e krijuar mund të precipitonte në konfliktualitet. Të gjendur në këtë situatë, dy deputetët e mbyllën takim dhe pse të tjerë qytetarë kishin dëshirë të bashkëbisedonin me organizatorët e këtij takimi. “Partia Socialiste është kthyer në parti të kryetarit, i cili është rrethuar nga servilë”, u shpreh Malaj. Sipas tij, Partia Socialiste duhet t’i shtojë votat e saj duke u hapur. “Partisë Socialiste nuk i duhen policë për të mbrojtur votat, por i duhen më shumë vota. Po të njihen dhe respektohen më mirë të gjitha kontributet e çdo socialisti dhe mbështetësi të PS-së, do të inspirohen më mirë të rinjtë dhe gratë, do të dëgjohen më shumë grupet e interesit, do të bëhet një opozitë e qartë politike kundër keqqeverisjes së vendit, do të kemi votat e mjaftueshme për të fituar dhe për ta qeverisur sa më mirë vendin tonë”, u shpreh Malaj.











