
Ministria e Brendshme ka identifikuar deri tani rreth 500 raste të falsifikimit të kartave të identitetit, që e përkthyer në përqindje, është 0.0016% e 2.9 milionë dokumenteve të prodhuara. Shifrat i bëri të ditur dje drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, teksa mbrojti në Komisionin e Sigurisë Kombëtare një marrëveshje me Austrinë për mirëmbajtjen e sistemit. “Sistemi i gjendjes civile, i vetmi sistemi 100% online. Të dhënat merren në kohë rekord në çdo kohë e në çdo vend. Projekti ka kosto financiare pasi ka nevojë për mirëmbajte operacionale dhe të softwre. Janë rreth 500 raste të investigimit në këtë moment, ndërkohë që kemi 2.9 milionë karta identiteti. Po të bëjmë një pjesëtim të kësaj, jemi në 0.0016%, pra shifër e papërfillshme. Të gjitha sistemet e kanë marzhin e gabimit. Ky sistem ka marrë vlerësime dhe nga ndërkombëtarët. Përmend raportin e OSBE/ODHR-it në 2009-n dhe 2011-n”, u shpreh Teliti gjatë mbledhjes në Komision. Ai garantoi edhe njëherë se sistemi është i sigurt dhe nuk ka mundësi për falsifikim të identitetit. “Sa i përket sigurisë së të dhënave, do të thosha se të dhënat e shtetasve shqiptarë në këtë regjistër janë tërësisht të sigurta.

Natyrisht që mundësia nga punonjës të gjendjes civile mund të jetë (për falsifikim të dokumenteve), por kjo është në çdo sektor. Nuk mund të parashikosh që të monitorohet çdo punonjës i gjendjes civile”, theksoi më tej drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile. Nga ana e saj opozita hodhi hije dyshimi mbi integritetin e pajisjes së qytetarëve me dokumentet e identifikimit. Deputeti i qarkut të Shkodrës, Paulin Sterkaj, tha se po manipulohet me emrat e emigrantëve. “Atëherë, pse thoni që është sistemi më i mirë? Sepse deri sot janë konstatuar në mënyrë sporadike këto pasaporta sporadike. Nuk është bërë një kontroll për të bërë investigim. E kuptoj se sistemi nuk nxjerr dy karta me të njëjtat shenja gishtash, por është e sigurt se ka karta me të njëjtat shenja gishtash, por me të dhëna të ndryshme. Prandaj është e nevojshme të kemi verifikim. Ka shumë emigrantë që janë jashtë, kanë marrë shtetësinë atje dhe nuk janë të interesuar për shtetësinë këtu. Këto mund të jenë raste për abuzime”, u shpreh Sterkaj. Ndërsa deputeti Gazmir Bizhga tha se të dhënat e qytetarëve u përdorën në fushatën elektorale nga kandidatët për kryetar bashkie. “Mua nuk më shqetësojnë vetëm kriminelët ordinerë që përpiqen të krijojnë identitet të rremë. Ne jetojmë në një realitet ku sistemi mund të jetë i mbrojtur nga kriminelët e rrugës, por jo i mbrojtur nga politika. Më 8 maj zhvilluam zgjedhjet. Po u sjell një fakt dhe mbi këtë do të ndërtoja dhe pyetjen që qytetarët e Tiranës, gjatë fushatës nga shtabi i kandidatit qeveritar, ish-ministër i Brendshëm, u dërgoheshin mesazhe dhe bëhej thirrje që të votonin”, tha Bizhga. Por Teliti e hodhi poshtë këtë pretendim, duke thënë se Gjendja Civile nuk i ka numrat e telefonit të qytetarëve.











