Të zgjedhurit dhe rrushtë

Oct 2, 2011 | 12:57

EDMOND TUPJA

Me siguri që titulli i shkrimit tim të sotëm mund t’i kujtojë shumëkujt fabulën e mirënjohur të frëngut La Fontaine, “Dhelpra dhe rrushtë”, të përkthyer mjeshtërisht nga rilindësi ynë, Çajupi. Fatkeqësisht, sot, nuk do t’i referohem thuajse fare kësaj fabule të vjetër, përkundrazi, do t’i qëndroj besnik realitetit shqiptar të këtyre muajve të fundit dhe më saktë atij të zgjedhjeve të fundit vendore, i cili në realitet më frymëzoi, në trajtë përralle apo fabule në prozë, çka vijon: Na ishte se ç’na ishte. Na ishte njëherë një komunë diku jo larg Tiranës: kjo komunë kishte pasur një kryetar rozë; kur erdhi koha e zgjedhjeve në vazhdim, ky kryetar rozë rivuri kandidaturën e tij duke deklaruar – privatisht dhe me të besuarit e tij jo vetëm familjarë, por edhe partiakë –, se kishte parashikuar një fond prej më shumë se 10 milionë lekësh (të rinj, sigurisht) për të siguruar sa më shumë vota e, në këtë mënyrë, për t’u rizgjedhur. Nga ana tjetër – dhe përballë tij – na ishte dikush që donte të vinte kandidaturën e tij blu; ky na ishte më i ri, më pak i rrahur me vajin dhe uthullën e allishverisheve në periudha zgjedhore. Kështu, kandidati blu i propozoi atij rozë që të bënin një garë të ndershme: asnjëri prej tyre nuk duhej të blinte qoftë edhe një votë të vetme! Mirëpo, kandidati rozë nuk pranoi. Pas pak kohësh, kandidati blu përsëriti propozimin e tij, që nuk u përfill fare. Atëherë, ai u mendua gjatë, u këshillua edhe më gjatë me të afërmit e tij jo vetëm familjarë, por edhe partiakë (pa dyshim po aq privatisht sa rivali i tij para tre-katër vitesh), pastaj bëri një kompromis me ndërgjegjen e vet dhe vendosi, pa e thënë faqe botës, të krijonte edhe ai një fond prej më shumë se 5 milionë lekësh (të rinj, sigurisht) për të siguruar edhe ai ca vota më shumë e, në këtë mënyrë, për t’u zgjedhur kryetar i komunës. Dhe kështu u bë; fushata filloi, gara midis të dyve qe e fortë dhe, për të mos e zgjatur, fitoi kandidati blu me disa dhjetëra vota më shumë, megjithëse fondin për blerjen e votave e kishte pasur më të vogël sesa shemri i tij.
“Por cili është morali i kësaj përralle, zoti Tupja, me një fjalë, ku rrihni të dilni?” – nuk do të ngurrojë të më pyesë lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës. Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, fort ma ka ënda të bëj një plotësim apo sqarim lidhur me përrallën që sapo tregova: Të parin personazh të përrallës e ngjeva me rozë, kurse të dytin me blu, por mund të kisha bërë edhe të kundërtën, të parin ta lyeja me blu dhe të dytin me rozë. Nëse nuk veprova kështu, kjo shpjegohet me faktin se e vërteta objektive në komunën ku rravgova të shtunën e kaluar është se ish-kryetari kishte qenë mirëfilli rozë, kurse rivali i tij, ai që e shfronëzoi, mirëfilli blu.
Le të vijmë tani te morali i përrallës. Ai nuk është edhe aq i ndërlikuar për t’u kuptuar: nganjëherë, madje shpesh e më shpesh, si në zgjedhjet vendore, ashtu edhe në ato parlamentare, rivalët e shtyjnë njëri-tjetrin drejt shtigjesh e praktikash të pandershme, të patolerueshme për një shoqëri demokratike.
“Po rrushi ç’hyn ai në këtë mes?” – mund të pyesë sërish lexuesi. Këtu, le të më lejohet një kundërpyetje: A e di lexuesi se ç’ndryshim ka midis një pjese të mirë të të zgjedhurve tanë dhe rrushit të anëve tona? Nëse nuk e di, atëherë po nxitoj t’ia mësoj: Një fjalë e urtë popullore thotë: “Sheh rrushi rrushin dhe piqet”. Përralla në fjalë tregon që, të zgjedhurit tanë, jo të gjithë, po e përsëris, por të paktën një pjesë e mirë e tyre, ndryshe nga rrushi, nuk piqen, por prishen duke parë njëri-tjetrin. E thënë ndryshe – meqë jam edhe përkthyes – unë do ta aktualizoja fjalën e urtë duke e riformuluar si vijon: “Sheh rrushi rrushin dhe piqet, sheh i zgjedhuri të zgjedhurin dhe prishet!”.
Së fundi, kam përshtypjen se fabula e La Fontaine-it dhe kjo përralla ime ngjasojnë, gjithsesi, në një pikë: në fund të fabulës së tij, La Fontaine-i thotë, pasi dhelpra pretendon se rrushtë që deshi të hante, por që nuk i arrinte dot, ishin të pabërë: “Ç’mund të thoshte tjetër zonja dhelpër?”, ndërsa unë, në fund të përrallës sime, kur kryetari i zgjedhur pranoi të përdorte – për t’u zgjedhur –  ca para si kundërshtari i vet, mund të them: “Ç’mund të bënte tjetër zoti kryetar i zgjedhur?”.

© Panorama.al

Te lidhura