Me nisjen e sezonit turistik veror dhe rritjen e numrit të vizitorëve në qarkun e Beratit, Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse të jenë në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë ushqimore, higjienën dhe mbrojtjen e mjedisit.
Gjatë një takimi me drejtuesit e inspektorateve rajonale të qarkut, Sula kërkoi koordinim maksimal mes institucioneve, duke paralajmëruar masa të rrepta ndaj çdo subjekti që ndot mjedisin.
“Të gjitha institucionet të vihen në gatishmëri të plotë, për të shmangur çdo problematikë që mund të haset gjatë sezonit veror turistik. Për çdo subjekt që ndot lumin apo mjedisin do ketë gjoba”.
Kryeinspektori ndaloi veçanërisht te roli i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke kërkuar shtimin e kontrolleve në subjektet që ofrojnë shërbime për turistët.
“Ka një numër të shtuar të turistëve. Do të duhet që AKU-ja të jetë jashtëzakonisht e vëmendshme që mos të na ndodhi asnjë lloj problematike. Duhet të ketë një numër të shtuar të kontrolleve që të mos krijohen situata të vështira nëpër restorante, hotele apo bujtina,” u shpreh Kryeinspektori Sula.
Sula bëri të ditur se gjatë gjithë sezonit veror në gatishmëri të plotë do të jenë edhe Inspektorati i Higjienës dhe ai i Shëndetësisë, me qëllim garantimin e standardeve dhe parandalimin e çdo problematike.
“Sigurisht institucionet do të vazhdojnë punën, do të ushtrojnë funksionin ekonomik të tyre, por brenda të gjithave rregullave”, shtoi ai.
Në përfundim, Kryeinspektori theksoi se ka marrë raporte të detajuara nga të gjitha institucionet në varësi, ku ndër shqetësimet kryesore mbetet dëmtimi i mjedisit. Sipas tij, një nga problematikat më serioze është ndotja dhe degradimi mjedisor i shkaktuar prej vitesh nga aktiviteti i kompanive që nxjerrin pllaka guri dekorativ në zonën e malit të Tomorit.
© Panorama.al












