Është zbardhur ngjarja e një nate më parë në zonën e Babrrusë në Tiranë, ku një 18-vjeçar qëlloi me armë zjarri drejt një servisi celularësh.
Sipas policisë, 18-vjeçari Rejsi Muça, pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e servisit, shtetasin me inicialen Xh. I., ka qëlluar dy herë me armë zjarri automatike në drejtim të biznesit.
Mësohet se nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme.
Efektivët kanë bërë të mundur lokalizimin e 18-vjeçarit rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes, ku edhe është arrestuar. Gjatë kontrollit të zonës, Policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit automatike të përdorur në ngjarje, si dhe municion luftarak.
Kamëz
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Babrru.
Qëlloi me armë zjarri automatik në drejtim të një servisi celularësh, pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e tij, kapet dhe vihet në pranga 18-vjeçari.
Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit e përdorur në ngjarje, së bashku me municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se në Babrru një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një servisi celularësh, organizuan menjëherë një operacion policor për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Nga veprimet hetimore u dokumentua se autori i dyshuar, shtetasi R. M., 18 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e servisit, shtetasin Xh. I., ka qëlluar dy herë me armë zjarri automatike në drejtim të biznesit, duke shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme.
Në kuadër të operacionit policor “Zbulimi” të organizuar dhe të zhvilluar në një kohë shumë të shkurtër, shërbimet e Policisë lokalizuan, rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes, kapën dhe vunë në pranga shtetasin R. M., 18 vjeç.
Gjatë kontrollit të zonës u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit automatike, e përdorur në ngjarje, si dhe municion luftarak.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
© Panorama.al












