Nga Preç Zogaj
Në vend që të lexojë arsyet e thella të kryengritjes paqësore të qytetarëve të lirë, kryeministri Rama ka venë kamerat me zmadhim optik dhe mijëra sy të tjerë për të zbuluar kush janë ata që po protestojnë. Me qëllim që të zbulojë mes tyre njerëz që mund të sulmohen, shantazhohen, kërcënohen. Bashkuar me paditjen protestës sikur është anti-Trump, fijet e së cilës i luajnë në prapaskenë armiqtë e Shqipërisë, SHBA-ve dhe BE-së, mesazhi oroellian se ”po ju vëzhgojmë” plotëson strategjinë e frikësimit të njerëzve që marrirn pjesë në protestë, me qëllim zvogëlimin dhe dështimiin e saj. Me ketë rast Rama po heq maskën e radhës me të cilat ka zbukuruar dukjen si perëndimor.
Maskën që e kthen në fis.
Nuk mund të imagjinohet që në gjithë vërshimin e paparë spontan të lumit të njerëzve në bulevard të mos ketë individë që sjellin histori vetjake apo qasje të cilat stonojnë me të përgjithshmen dhe armatosin kundërshtarët e saj. Siç ishte për shembull gruaja me emrin Ikballe Huduti, e cila paska ardhur nga Kosova për të marrshuar me sloganin politik “as Lindje, as Perëndim” të Shqipërisë së izoluar komuniste apo propozimet antikushtetuse dhe antidemokratike të silurimit si nga mali të institucioneve, të zgjedhjeve me short e ndonjë tjetër. Në një kohë kur protesta ka zbritur në bulevard për çlirimin e zgjedhjeve nga rrethimi qeveritar dhe jo për heqjen e tyre.
Dihet se protesta përfaqëson një shumatore rrymash politike nga njëri skaj i spektrit në tjetrin, përfshirë qytetarë që nuk identifikohen me ndonjë ngjyrë politike.
Nuk është e vështirë për kryeministrin dhe gjithëkënd tjetër të kërkojë dhe gjejë aty qimen në qull. Apo të mos shohë kur nuk don të shohë pyllin prapa drurëve, siç thotë një shprehje e bukur popullore për të treguar dikë që humbet nepër detaje periferike pa lidhje me thelbin e gjëse.
Arsyet përbashkuesë të një proteste kaq heterogjenë nga pikpamja e pjesmarrjes janë në dritën e diellit tashmë. Ato nuk janë flakë kashte. Janë si llavë vullkani krijuar përgjatë viteve, siç është në fiziologjinë e vetë mendimeve që pjek dhe shoshit një plebishit popullor përgjatë disa viteve.
Zverneci ishte shfaqja plateale e një shpërthimi që po ziente. Që në thelb ka lidhje me kapjen e demokracisë nga kasta “plurale” solidare që ka bërë teatrin e demokracisë. Ka lidhje me përjashtimin e popullit nga sistemi që formalisht mban emrin e popullit. Këtu janë aryet bazike që mund të ilustrohen me nje listë të gjatë të manifestimit të tyre në jetën e përditshme. I kam renditur disa në shkrimet e mëparshme. E bëjnë çdo ditë më mirë se unë shumë politologë të mirëshkolluar.
Nisur nga këto arsye njerëzit në protestë rivendikojnë as më shumë e as më pak rolin e sunduesit, që formalisht ua njeh sistemi, kushtetuta dhe retorika, por jo realiteti i qeverisjes së vendit. Natyrisht, rolin e sunduesit përmes të zgjedhurve, përmes një qeverie të popullit, prej popullit dhe për popullin që ka busull llogaridhënien, trasparencën dhe një varg detyrimesh që burojnë nga sistemi demokratik.
Nëqoftese Rama dhe vartësit e tij do të vazhdojnë të bëjnë Big Bratherin, (jo atë të Top Channel, por atë të romanit të Xhorxh Orwell), duke injoruar arsyet e thella të daljes së njerëzve në rrugë dhe reflektimin rreth tyre, protesta, përkundër llogarive dritëshkurtëra se mund të shuhet, do të shpërthejë më fuqishëm.
Nga natyra e saj kjo është një protestë e padështueshme. Sepse ka në boshtin e saj çeshtjen madhore të rikthimit të demokracisë. Sepse ka si busull integimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shqipëria e re është Shqipëria në BE. Ajo qëndron në supet e lëvizjes studentore intelektuale dhe popullore të dhjetorit të vitit 1990.
E atëhershmja e ktheu Shqipërinë me fytyrë nga Perëndimi. Kjo e tanishmja ka devizën e Shqipërisë në BE. Si e tillë ka mbështetjen e gjithë vendeve demokratike të BE-së dhe qytetarëve të tyre.
Sepse është mbi të gjitha rinore, shumë rinore.
Përtej një kuptimi të pashmangshëm figurativ, protesta është “kapitulli” ekstra që rinia, organizatorët epikë të saj dhe qytetarët kanë mbyllur të parin në etapën finale të anëtarësimit të vendit në BE. Protesta është e padështueshme sakaq sepse është euroatlantike dhe amerikaniste në vlerat për të cilat ka zbritur në arenë. Antiamerikane jo e jo, por protesta nuk është as anti-Trump siç e ka akuzuar kryeministri Rama në një narrativë spekulative pa asnjë kuptim edhe nga pikpamja e përfitimit për vetën e tij.
Gjithë politikanët e ndajnë publikun në mbështetës dhe kundërshtarë të tyre. Trump ca më shumë për shkak të natyrës së tij.
Është krejt e natyrshmne të ketë edhe Shqipëria e vogël antitrampistës e saj si gjjithë Europa dhe vetë SHBA-të. Por kjo as ka qenë, as është një çeshtje apo një temë e protestës. E ka berë Rama pa lidhje duke konfonduar mënyrën si e paraqet shtypi botëror, që nga natyra, vihet në gjueti të përsonazheve shumë të famshëm, siç janë edhe vajza dhe dhëndri i Presidetit. Problemin me Ivankën dhe Kushnerin nuk e ka krijuar protesta në Tiranë.
E kanë krijuar ata që u kanë oftruar në Zvernec një pronë të minuar me paligjshmëri, tashmë hetuar edhe nga SPAK, duke i ekspozuar në një aferë që me siguri nuk i bën të lumtur.
Protesta është e padështueshmë në sekretin e saj. Që është kompaktësia si të ndryshëm rreth kërkesavë përbashkuese. Është menaxhimi kolegjial nga një grup organizativ apo kordinatorësh, por pa u shndërruar në subjekt politik. Indentifikimi me një prej rrymave politike që e përbëjnë i bën dëm, e zvogëlon atë. Protesta është e padështueshme në drejtësinë e kauzave të saj, që përfshijnë edhe ata që nuk u janë bashkuar por potencialisht mund t’u bashkohen në vijim.
Së fundi, është e padështueshme sepse është instititucioni i ri i demokracisë pjesmarrësë, është opozita reale, mungesa e së cilës e ka përkundur kupolën qeveritare në dafina sikur janë të përjetëshëm. Në politikë veprojnë ligjësi kundërthënëse. Duke dashur e investuar shpërdarjen e protestës kryeministri vetëm vonohet në leximin dhe reflektimin e arsyeve të saj. Në këtë mënyrë jep “kontributin” e tij për një protestë plebishitare që nuk e ka parë ndonjëherë ky vend./Mapo
© Panorama.al












