Të shtëna në pub, plagoset polici dhe tre adoleshentë

Oct 11, 2011 | 11:42
Policia e Korçës

Përplasje me armë në një nga pub-et e Korçës, plagosen katër persona, mes të cilëve edhe një efektiv i policisë, që ndërhyri për të shuar konfliktin. Ngjarja ndodhi në orët e vona të së dielës në lagjen Nr. 11 në Korçë, në ambientet e një pub-i që ndodhet vetëm pak metra larg Drejtorisë së Policisë. Burime të Policisë bënë të ditur se 33-vjeçari Altin Fishka, punonjës i sektorit Kundër Trafiqeve, mbeti i plagosur në pjesën e gjurit, ndërsa është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës për një trajtim më të specializuar. Mësohet se efektivi është ndodhur rastësisht në pub-in ku nisi sherri mes dy grupeve të të rinjve. Këta të fundit, në gjendje të dehur janë konfliktuar fillimisht verbalisht, e më pas me mjete rrethanore e deri në përdorimin e armëve. “Shtetasit Daniel Muhameti, 22 vjeç, A.K., 19 vjeç dhe një 15-vjeçar me inicialet N.K., kanë nxjerrë armën e zjarrit dhe kanë qëlluar në drejtim të tre të rinjve të tjerë që ndodheshin një tavolinë larg tyre. Si pasojë e përplasjes ka mbetur i plagosur me armë zjarri 24-vjeçari N.Samara, efektivi i Policisë, Altin Fishka, si dhe janë goditur me mjete të forta, duke pësuar plagë të rënda shtetasit D.Metko dhe E.Shehu, përkatësisht 24 dhe 23 vjeç”, bëri të ditur Policia. Pas ngjarjes u arrestuan 22-vjeçari Muhameti, 15-vjeçari me inicialet N.K., ndërsa është shpallur në kërkim 19-vjeçari A.K. Ky i fundit rezultoi se është autori që ka shtënë me armë, duke lënë të plagosur dy persona. Ngjarja e ndodhur në pub ka alarmuar Policinë e Korçës. Mësohet se SHKB-ja ka nisur hetimet, pasi efektivi i policisë ka humbur edhe armën e shërbimit në momentin e ndërhyrjes, por ende nuk janë sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje. Burime të Policisë bënë të ditur se 33-vjeçari Fishka mund të pezullohet nga detyra deri në sqarimin e plotë të rrethanave, pasi në momentin e ngjarjes ai nuk ka qenë në orar zyrtar shërbimi. Dyshohet se ai ka qenë në gjendje të dehur, por kjo do të vërtetohet gjatë hetimeve të mëpasme. Burime nga Policia e Korçës bënë të ditur se dy grupet e të rinjve kanë qenë në gjendje të dehur, çka dyshohet të jetë edhe shkak i të shtënave, por nuk përjashtohen as pista të tjera, të cilat janë duke u hetuar.

Precedenti
Pak ditë më parë, një efektiv i Policisë së Lezhës mbeti i plagosur, pasi ndërhyri për të ndarë një grup të rinjsh në një nga lokalet e këtij qyteti. Gjashtë të rinj sulmuan katër të tjerë në një lokal në afërsi të gjimnazit, ndërsa shkak i këtij konflikti të hershëm mësohet se ishte një vajzë e këtij gjimnazi. Një efektiv me uniformë është futur për të ndarë grupin, por ai mbeti i plagosur. Bashkë me të u plagosën edhe pesë persona të tjerë, të cilët pasi morën ndihmën e parë, kaluan rrezikun për jetën.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura