Të shtëna masive në Greqi, të paktën 2 të vrarë dhe mbi 10 persona të plagosur! Dyshohet për hakmarrje mes dy familjeve

Nov 1, 2025 | 13:27

Një ngjarje e përgjakshme ka tronditur ishullin e Kretës mëngjesin e së shtunës, ku të paktën 2 persona kanë humbur jetën dhe rreth 12 të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Vorizia të Heraklionit, Greqi.

Screenshot_8

Ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një hakmarrjeje mes dy familjeve, të cilat prej muajsh kanë qenë në konflikt të hapur.

Sipas mediave greke, pavarësisht ndërhyrjes së forcave të shumta policore, lufta mes familjeve vijon ende në zonë, ndërsa raportohet se janë hedhur mbi 2,000 plumba.

Në mesin e viktimave janë dy persona. Njëri nga dy të vrarët  është njëri nga autorët që hapi zjarr.

Të plagosurit janë transportuar me ambulanca në Qendrën Shëndetësore Moira dhe Qendrën Shëndetësore Agia Varvara, të cilat po ruhen nga policia për të shmangur incidente të tjera.

Raportohet se banorët e fshatit, në panik, po ndihmojnë vetë në transportimin e të plagosurve, duke përdorur edhe automjete bujqësore për t’i çuar në spital.

Sipas të dhënave paraprake, konflikti ka nisur që prej një viti, ndërsa përleshja e sotme besohet se është hakmarrje për një shpërthim që ndodhi mbrëmë vonë në një ndërtesë në ndërtim në të njëjtin fshat.

Policia greke konfirmon se një mjet shpërthyes i improvizuar ishte vendosur në ndërtesë, duke shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht pa viktima. Shpërthimi mendohet të ketë qenë shkaku që ndezi gjakderdhjen e mëngjesit në Vorizia.

© Panorama.al

Te lidhura