Juristja dhe aktivistja Edlira Çepani, një nga drejtueset e protestës qytetare që po mbahet prej 16 ditësh në bulevardin para kryeministrisë dhe rrugët e Tiranës, shprehet se shkaku i kësaj revolte është sjellja e pushtetit me mospërfaqësimin e të rinjve dhe shtresave të tjera, duke mos ia dëgjuar zërin.
Sipas saj, tani qytetarët shohin më qartë, sepse kupa është mbushur dhe të rinjtë janë frymëzim. Çepani e cilësoi si protestën më frymëzuese dhe më të madhe që nga viti 1990.
“Një ngjarje që në numra dhe frymëzim nuk ka pasur as në vitet 1990. Kjo është protestë që të frymëzon në të gjitha aspektet dhe momentet e saj. Më parë të jemi njerëz dhe pastaj profesionist. Ka njerëz aty që janë lodhur në dinjitet nga shteti që nuk ia njeh vlerën, nga fëmijët, te të moshuarit, të gjitha shtresat”, tha ajo për “News24”.
E pyetur se përse ky shpërthim popullor erdhi në këto momente, Çepani shpjegoi se:
“Pse tani? Sepse kupa është mbushur në të gjitha fushat e sektorët, gota është derdhur nga pika e fundit. Ka shkuar aty ku nuk mban më, veçanërisht për të rinjtë, që nuk kanë qenë as fokusi i politikave të qeverisë”.
Ajo mendon se rinia po jep një leksion për të gjithë me modelin e protestës, reagimin ndaj padrejtësive në jetën e tyre dhe të qenët të mënjanuar nga qeveria.
“Sot këta të rinj po na japin një leksion me protestën për padrejtësitë që u bëhen në jetën e tyre. Njerëzit duhet të dëgjohen më shumë dhe më me seriozitet. Qytetarët janë të kthjellët për gjërat që nuk shkojnë”, tha aktivistja.
Gjithashtu Çepani ka deklaruar se ndërsa nga protesta priten arritjet në fund, në vetëm 16 ditë janë shënuar një sërë arritjesh.
Sipas saj është hequr gardhi me gjemba, janë larguar policët të cilët nuk reaguan, u bë transparencë mbi një projekt për të cilin nuk fliste asnjë njeri, ka pasur lëvizje në Parlament, qeveria po komunikon me qytetarët dhe hetimet dhe arrestimet nga SPAK-u.
“Kam pasur intimidime në rrjetet sociale nga adresa false, por ajo që po ndodh është më e madhe. Një nga gjërat më të bukura është guximi i atyre njerëzve që dalin me zë e fytyrë për problemet, kemi kohë pa e parë në Shqipëri. Njerëzit kanë vrarë rikën dhe janë të lirë të shprehen. Ne presim një arritje të madhe, por çdo ditë ka pasur një arritje. Për vetëm 16 ditë është hequr gardhi me gjemba, janë larguar policët të cilët nuk reaguan, u bë transparencë mbi një projekt për të cilin nuk fliste asnjë njeri, ka pasur lëvizje në Parlament, qeveria po komunikon me qytetarët, SPAK-u. Protestuesit dhe qytetarët po e bëjnë pjesën e tyre maksimalisht, këtu nuk është këputur asnjë lule”, tha ajo.
© Panorama.al












