“Të rinjtë kanë vrarë frikën”- Avokatja Lamaj: Ka presione dhe intimidime nga grupe politike brenda protestës! Po çrrënjoset e vjetra

Jun 16, 2026 | 15:35

Aktivistja dhe avokatja Dorina Lamaj, tha sot se protestuesit dhe organizatorët presionohen dhe intimidohen për shkak të revoltës masive qytetare ndaj sistemit të vjetër politik dhe qeverisjes së keqe.

dorina lamaj

E ftuar në programin e drekës në “News24”, ajo rrëfeu se në shesh dhe rrugë ka elementë nga forcat politike që përpiqen të intimidojnë protestuesit.

Avokatja tha se gjëja më e mirë e protestës është që të rinjtë e kanë vrarë frikën dhe janë një garanci që të shmangen përçarjet dhe presionet.

“Po përpiqen çdo ditë të përçajnë protestën dhe të marrin meritën. Por të rinjtë, motoja e të cilëve është politikë e re, mund ta bëjnë këtë vetëm duke çrrënjosur të vjetrën dhe duke vazhduar më tej”, tha ajo mes të tjerash.

Sipas avokates Lamaj, intimidimet vijnë nga të dy krahët e politikës, por duhet të kuptojnë se është një tjetër rini tani, që e ka vrarë frikën.

“Kam pasur intimidime nga të dyja krahët e politikës. Ka grupe brenda protestës, me sloganet e tyre bien direkt në sy të kujt krahu politik janë. Duhet të kuptojë që nuk është ajo rini si më parë, e kanë kuptuar shumë mirë klasën politike. Gjëja më e mirë është vrasja e frikës”, deklaroi aktivistja.

© Panorama.al

Te lidhura