“Protesta po gatuan Shqipërinë e re të ëndrrave të rinisë”- Aktivisti Qiraxhi: “Gjenerata Z” e vetmja garanci për mospërçarje! Këtë vend s’e bëjnë dot as Rama dhe as Berisha

Jun 16, 2026 | 15:20

Aktivisti Migen Qiraxhi tha sot për “News24” se e vetmja garanci që protesta dhe qytetarët në shesh të mos përçahen është rinia, ose “Gjenerata Z”.

migen qiraxhi

Ai analizoi 16 ditët e revoltës qytetare ndaj sistemit politik dhe qeverisë së keqe, duke deklaruar se Shqipërinë e re nuk e bëjnë dot më as kryeministri Edi Rama dhe as kreu i opozitës, Sali Berisha.

Sipas tij, kjo shoqëri që proteston nuk ka as fytyrën e kreut të qeverisë dhe as të kryeopozitarit.

“Kam nisur të protestoj që 15 vite më parë dhe në këto vite kam përshtypje se kjo që po ndodh sot, është protesta e vetme për të cilën unë dal jo për gjëra të së kaluarës. Ajo që më mban mua aty është ëndrra për një Shqipëri të re. E vetmja garanci kam përshtypjen që e mban të gjithë këtë energji të bashkuar është i gjithë grupi i shqiptarëve e qytetarëve për një Shqipëri të re, që e gjejmë në fakt te Gjenerata Z., edhe pse unë jam në kufi të saj, por kjo rini është duke përcaktuar një Shqipëri që ne duam për hir të së vërtetës, për shkak se turma është e madhe dhe fonia modeste, 80% e qytetarëve aty janë bashkuar në një forum ku flasin me njëri-tjetrin dhe një shoqëri që nuk i ngjan fare fytyrës së Sali Berishës apo Edi Ramës”, u shpreh ai mes të tjerash.

Dhe duke vijuar diskursin për aktualitetin politik dhe protestën, ai vuri në dukje edhe një detaj interesant nga sheshi, ku tregoi se pothuajse çdo shtresë dhe moshë e shoqërisë aty “po gatuan” Shqipërinë e re, ëndrrën e madhe se si ajo duhet të jetë.

“Ne jemi përfshirë në këtë dhe jemi duke diskutuar, kjo është magjia më e madhe. Aty duket sikur po gatuhet një projekt ku gjithsecili vjen e takon të ngjashmin, takon qytetarë, madje edhe të kundërtit e njëri-tjetrit dhe me bisedat e vogla, atmosferën e fëmijëve dhe të të moshuarve, gatuhen ëndrrat për një Shqipëri të re, për një shoqëri të re”, vijoi Qiraxhi.

Aktivisti argumentoi se ata nuk janë të ngjashëm me palën tjetër që ka vjedhur vendin dhe marrin gjithçka prej rinisë. Kurse shqiptarët që janë në sheshin e protestës janë të frymëzuar për një Shqipëri të re.

“Jo të këtyre të tjerëve që janë duke vjedhur dhe duke marrë gjithçka nga ne. Janë duke motivuar shqiptarët me ëndrrën e një Shqipërie të re, një shoqëri të re, një Shqipëri që nuk e bën dot as kryeministri Rama dhe as kreu i opozitës Berisha, por të rinjtë e vendit, zemra e kësaj proteste, qytetarët e guximshëm me kurajo dhe madje intelektualët që marrin pjesë aty”, përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura