Ermal Pashaj, mjeku që u bë viral me fjalimin e tij gjatë protestave masive kundër qeverisë së Edi Ramës, theksoi se i është bashkuar revoltës së qytetarëve sepse ndihet i dhunuar dhe i pambrojtur nga shteti.
Në një intervistë për News24, ai deklaroi se çdo ditë përballet me problematika, ndërsa tregoi se edhe një apartament të tij nuk e kishte gëzuar pasi rezultoi se i ishte shitur edhe dikujt tjetër paralelisht.
“Personalisht ndjesia që në këtë lloj situate, amullie që është krijuar duket sikur po bëjmë regres në demokraci apo mungesën e drejtësisë. Ditë e më shumë po shohim të vështirë aplikimin e përditshmërisë, gjetjen e një rrugëzgjidhje për investimet minimaliste familjare, ku në jetën time të përditshme do më duhet të ndeshem me problematika nga më banalet për të arritur te targeti i punës dhe rikthimi në familje. Është bërë e vështirë që te ndërtimet, infrastruktura, siguria ushqimore.
Për shkak të profesionit kemi akuzuar shpeshherë se situatat që mund të cenojnë ushqimin janë veset. Po shohim se nuk është më kështu. Realiteti që prekim përditë, shohim pacientë të sëmurë me patologji onkologjike që nuk janë as përdorues, as duhanpirës e as alkolistë. Këto fenomene na bëjnë të dyshojmë të siguria ushqimore, te dendësia në urbanizimin e paskrupullt. Mund të ketë një ent rregullator.”, tha mjeku.
Ai tha se ka qenë prezent edhe në protestën për mbetjet kimike dhe atë të studentëve, por në këtë kundër qeverisë e ka ndjerë veten.
“Në një investim të caktuar më është dashur të gjendem përballë një situate pa një shtëpi për faktin se një element kontraktual që duhet të kisha bërë për të arritur në një strehë, për shkak të problematikave të firmave zhvilluese nuk maturuan në pjesën e hipotekimit. Kam bërë një kontratë dhe kjo punë përfundoi se këtë apartament se gëzova dot kurrë se i ishte shitur dikujt tjetër paralelisht.”, shtoi ai.
Më tej, ai shtoi:
“Ndihem i dhunuar nga shteti dhe i pambrojtur nga streha shoqërore. Ulëras për faktin se ndihem qytetar i lirë. Jap detyrimet e mia ndaj shtetit.”
© Panorama.al












