Kryeministri Edi Rama i ka dhënë “këshilla” prokurorëve të posaçëm, duke u shprehur se “nuk duhet të kundërshtojnë sikur janë parti politike”.
Kreu i qeverisë iu drejtua duke thënë që prokurorët e SPAK nuk duhet të merren me deklaratat e tij, por të bëjnë punën e tyre, duke theksuar “e kanë gjithë mbështetjen tonë”.
“Për ne, mua dhe PS, SPAK dhe GJKKO rrojnë 1000 vjet nuk i vjen e keqja dhe shqetësim nga ne”, deklaroi Kryeministri.
Rama u shpreh se prokurorët e posaçëm duhet të garantojnë që fajtorët të shkojnë në burg dhe të pafajshmit të mos traumatizohen për gjithë jetën.
Edi Rama: Kam një sugjerim për prokurorët e SPAK, në vend që të merren me deklaratat e mia dhe sa herë që bëj deklarata të bëjnë njoftime për shtyp, të bëjnë punën e tyre, e kanë gjithë mbështetjen tonë.
Ti dëgjojnë këto që themi si kritika dhe shqetësime konstruktive. Për ne, mua dhe PS, SPAK dhe GJKKO rrojnë 1000 vjet nuk i vjen e keqja dhe shqetësim nga ne. Të mos ndjekin mediat sikur janë parti politike, të ndërpresin marrëdhëniet me gazetarët speciale të mos furnizojnë miletin me sekrete hetimore, të mos bëhen redaksi gazetash dhe të bëjnë punën e tyre. Sa herë kurdoherë, kudo qoftë që do të kapin korrupsion atë shpatën ta hapin krahun me të gjithë forcën, por korrupsion ama.
E kemi ngritur për të luftuar korrupsione, brenda nesh, anash nesh, por me prova dhe të mos kundërshtojnë sikur janë parti politike, të mos hyjnë në debate shifrash, ata kanë punën e tyre të mos merren me statistika e shifra. Të garantojnë që fajtorët të shkojnë në burg dhe të pafajshmit të mos traumatizohen për gjithë jetën. Kjo është arsyeja përse po flasim.
© Panorama.al











