Përdorni shqisën e gjashtë, që të shijoni 5 të tjerat…
Gjithandej probleme dietash. Nuk gjejnë që nuk gjejnë karar. I provojnë të tëra, nga ato me domate, te ato me dy vezë të ziera, seç janë ca edhe me nga një gotë verë për vakt, e të tjera si këto. Nuk di se si mund të ndihen njerëzit në intervalet mes dy vakteve, po ndoshta arrijnë diçka, se kot nuk bëjnë. Më të preferuarat janë ato ekstremet që mund të biesh edhe 12 kg për 20 ditë për shembull. Pastaj ka 7 kg për 1 javë e plot të tjera. Ne këtu, dhe gjithë miqtë e kësaj faqeje, që herë pas here dërgojnë receta, këmbëngulin gjithnjë për të kundërtën, pra që rënia të jetë graduale, e shëndetshme dhe mbi të gjitha, të hani nga të gjitha ushqimet. I morëm për këtë javë, (meqenëse asnjë nuk ju beson se keni arritur të bini 2 kg, edhe pse kanë kaluar plot 2 javë nga festat), menynë e një dite qendrës dietetike “Siluet”. E për mos të krijuar konflikte me ata të tjerët që tek e fundit as nuk e kanë dhe as nuk e kanë pasur ndonjëherë hallin e linjave (a lum ju!),për të parën herë, Vilma Brozi na ka sjellë disa receta tajlandeze. Mos i shihni me skepticizëm e as mos t’ju duket sikur nuk keni për t’i bërë dot kurrë. Janë fare të thjeshta. Ata që i kanë provuar nëpër restorantet e Tiranës, të cilët po fillojnë ta ndjekin gjithnjë e më dendur këtë praktikë, mund të pohojnë që janë edhe të shijshme!
Kuzhinë tajlandeze nga Vilma Brozi
Në rast se ju duken përbërës apo receta të çuditshme, shihini edhe njëherë! Janë të gjithë lehtësisht të gjindshëm nëpër të gjitha pikat e Neranxit. Mjafton të keni dëshirë për të provuar shije të reja e tek e fundit, edhe për të njohur kultura të tjera. Vilma Brozi, kuzhinierja që ka punuar me tajlandezë për disa vite në Athinë, tashmë është në Tiranë.
Makarona orizi me perime
Përbërësit:
100 gr makarona orizi
30 gr lakër e bardhë
10 gr karota
10 gr qepë të njoma
10 gr bean sprouts
(rrënjë fasulesh)
2 l.g vaj ulliri
2 l.g salcë soje
2 l.g salcë peshku
1 l.c sheqer
1 l.g limon
(l.g = lugë gjelle – l.c = lugë çaj)
(makaronat e orizit zbuten në ujë të vakët për 30 minuta përpara se të gatuhen.
Përgatitja
Hedhim vaj ne tigan, shtojmë makaronat e orizit dhe i zbusim duke i përzier.
Shtojmë perimet të prera zhuljen (në fije të holla të gjata), salcën e peshkut, salcën e sojës, limonin dhe sheqerin.
Përziejmë mirë të gjithë elementët në tigan dhe shërbejmë.
Pulë e skuqur me perime
Përbërësit:
100 gr fileto pule
(prerë në kubik)
20 gr speca të kuq
20 gr speca jeshil
20 gr lakër e bardhë
10 gr karota
10 gr qepë të thata
10 gr qepë të njoma
2 l g vaj ulliri
2 l g salcë soje
1 l g salcë peshku
1 l c sheqer
1 l c vaj susami
Përgatitja
Hedhim pak vaj në tigan, shtojmë pulën dhe e trazojmë deri sa të skuqet.
Shtojmë perimet (të prera në kubik), i trazojmë dhe pastaj plotësojmë pjatën me elementët e tjerë.
I skuqim të gjitha bashkë për 3-4 min dhe shërbejmë me oriz jasemin të zier.
Pulë me keri të kuq
Përbërësit:
100 gr fileto pule
200 ml coconut milk (qumësht kokosi)
50 gr spec i kuq, prerë në kubik
1 l c keri të kuq
2 l g salcë peshku
2 l c sheqer
Hedhim qumështin e kokosit në një tenxhere dhe e lemë të marrë valë.
Shtojmë kerin e kuq dhe e lëmë të përzihet me qumështin e kokosit.
Hedhim pulën dhe pasi të zihet, shtojmë specat e kuq, salcën e peshkut dhe sheqerin.
I lëmë të ziejnë rreth 5 min dhe shërbejmë. Shoqërojmë pjatën me oriz jasemin të zier.
Menyja e një dite nga qendra dietetike “Silhouette”

Dreka
(shoqëruar me një sallatë)
Patate të mbushura me gjizë, arra dhe proshutë crudo.
Përbërësit
2 kokrra patate
gjizë pa kripë 50 gr
arra, 4-5 kokrra
hudhër, 1 thelb
proshutë krudo 2 feta
vaj ulliri
Përgatitja
Mbështjellim patatet me letër alumini dhe i pjekim në furrë. Pasi janë pjekur, i hapim në njërën anë dhe me lugë i zbrazim nga brenda. Përziejmë brumin e patates të hequr, gjizën, arrat dhe hudhrën. Me përzierjen e përftuar mbushim patatet e zbrazura, i hedhim 1 lugë vaj ulliri, i vendosim dhe fetën e proshutës sipër dhe i futim përsëri në furrë për 5 min.
Darka
Polenta me djathë të bardhe dhe domate qershi
Përbërësit
Miell misri
Djathë të bardhë
Domate qershi
Majdanoz
Hudhër
Vaj ulliri
Kripë
Përgatitja
Ziejmë miellin e misrit me ujë dhe 1 lugë vaj e pak kripë deri sa të trashet. Shtrojmë në tepsi dhe pastaj e pjekim në furrë. Pasi piqet, e presim në copa dhe i hedhim sipër domatet e vogla të prera përgjysmë, djathin e bardhë në kubik, majdanoz, pak hudhër (me dëshirë) dhe 1 lugë vaj ulliri (mund të përdorni edhe vetëm vajin me aromë hudhre. Hidhni më parë në një sasi vaji një apo dy thelpinj hudhre dhe përdoreni në vazhdimësi).
[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!











