Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Oct 23, 2011 | 13:49

Shega shega dhe shega!
Ju ka qëlluar që të porosisni një sallatë të lokalit, për shembull, dhe të jeni trembur pak në fillim se keni gjetur sipër saj kokrra shege (edhe mjaltë shpeshherë). Sepse po, shegën po e gjejmë gjithandej. Dhe në fakt e meriton. Shumë nga gatimet indiane e përdorim edhe në gatime që ne i quajmë gjellëra. Meqë është koha e tyre, mos përtoni të hani sa më shumë. Sepse ky është problemi i vetëm i tyre. Koha që duan në pastrim dhe shenjat që lënë në duar? Po, mund të pastroni 3-4 kokrra njëherësh, të mbushni dy tasa të mëdhenj, vrap e vrap të pastroni duart me uthull dhe të uleni t’i hani me familjen, duke parë një film. Vetëm te nachos dhe kokoshkat e keni mendjen. Më poshtë, përveç të mirave të shegës, do gjeni edhe një rast të përdorimit të saj. Fare thjeshtë dhe shpejt në një karkalec të marinuar.

E bukura, e tharta shegë!
Shega sot festohet sikur një frut superior. Studimet e shumta kanë arritur në përfundim se lëngu i shegës ka tri herë më të lartë nivelin e antioksidantëve se rrushi i zi, çajit jeshil dhe se vera e kuqe. Përmban një sasi të lartë të përbërësve bioaktivë, flavonoide, anthocyane, thartirën phenol, polyphenole, të cilat kanë shumë rëndësi në rregullimin, ripërtëritjen dhe zhvillimin e qelizave. Është edhe shumë e pasur me kalium, potas, hekur dhe vitaminat A, C dhe E. Në lëvozhgën e shegës ndodhet një substancë tkurrëse që quhet Tanin, e cila e shëron barkun. Gjatë studimeve më të reja, janë ofruar të dhëna të tjera se në lëngun e shegës janë gjetur veti të papritura. E sidomos bën dobi te sëmundjet kardiovaskulare – të zemrës, kanceri dhe artriti. Në veçanti janë polyphenolet, të cilat veprojnë si antioksidues, antinfektivë dhe antikancerogjenë dhe me anë të tyre arrihet mbrojtja kundër sëmundjeve të ndryshme. Gjatë përdorimit të shegës ose lëngut të shegës aktivizohen fuqitë autoimunitare të shërimit gjatë infeksioneve, kolesterolit të lartë në gjak, te shtypja e lartë e gjakut, te kanceri dhe te sëmundjet nervore. Përbërësit që gjenden në shegë veprojnë në një mënyrë specifike në qelizat dhe organet e ndryshme. Disa qeliza ngadalësohen ose edhe eliminohen gjatë procesit të tyre, kurse te disa të tjera ndihmon të ripërtërihen dhe të mbrohen nga ndikimet negative. Në studimet e Qendrës së Zbulimeve në Haifa është zbuluar se lëngu i shegës zbërthen kolesterinën gati përgjysmë, dhe kështu zvogëlon nivelin e kolesterinës së dëmshme ( kolesterina që i ngushton arteriet). Provat që janë bërë te minjtë vërtetuan se lëngu i shegëve ka zvogëluar në masë të madhe gëlqerëzimin e arterieve. Në gazetën e Shkollës të Kardiologëve është shkruar mbi studimet e ndikimit të lëngut të shegëve te pacientët me sëmundje ishemike të zemrës. 45 persona testues kanë pirë mbi tre muaj përafërsisht 240 mililitër lëng të shegëve ose kanë marrë placebo. Gjatë matjes së qarkullimit të gjakut para dhe gjatë mundimeve fizike, është vërtetuar se grupi që ka pirë lëngun e shegës kanë pasur qarkullim më të lartë dhe efikas të gjakut. Dhe ashtu u vërtetua se një gotë e lëngut të shegës në ditë e ndihmon dhe përshpejton qarkullimin e gjakut për një të tretën.

PREZANTIMI I PJATAVE
Një kuzhinier e/i mirë nuk limitohet të përgatisë pjata sipas recetave. Të prezantosh një pjatë të mirë është një sekret i kuzhinës së mirë, ku pjatat serviren me një dekoracion të lehtë dhe të freskët. Zgjidhni garniturën duke i besuar shijes suaj. Pasi keni zgjedhur garniturën e përshtatshme, vendosini në pjatë duke kombinuar ngjyrat. Për dekorimin e antipastave të mishit apo të peshkut mund t’ju ndihmojnë domatet qershi, limoni, majdanozi, ullinjtë e zinj, kopëri, erëzat e freskëta, arrat etj. Çdo pjatë e prezantuar bukur do bëjë që jo vetëm të pëlqehet në sy, por edhe të kënaqë në shije.

KARKALEC I MARINUAR
Përbërësit:
Karkalec i freskët 300g (pa qëruar)
Limon, 2 kokrra
Vaj ulliri extra vergine
Shegë
Akull.

Përgatitja
Qërojmë karkalecat, i presim pak në mes dhe i shpëlajmë mirë. I marinojmë me kripë,

Recetat nga Flori Neziri

limon, vaj ulliri dhe i hedhim në një tas. Vaji i ullirit duhet të jetë i mirë. Sipër hedhim shegë, e vendosim tasin e vogël në një tjetër tas të mbushur me akull dhe e servirim me feta limoni dhe kokrra shege.

Avogado me tul gaforre
Përbërësit:
1 kokërr avogado e butë
150g tul gaforre
2 lugë gjelle oriz i zier
Limon, krip
Domate, 1 kokërr
Majdanoz,
Vezë peshku të kuqe, 2 lugë kafe

Përgatitja
Presim në dy pjesë avogadon. I heqim tulin dhe i hedhim në një tas të vogël. Spërkasim me limon, shtojmë domaten e grirë në kubik të vegjël, majdanozin, orizin e zier, tulin e gaforres, pak kripë, dhe i përziejmë të gjitha bashkë. Me masën e përgatitur  mbushim lëvozhgat e avogados. I vendosim bukur në pjatë, sipër i vendosim vezët e peshkut (havjar), dekorojmë me limon dhe degë majdanozi.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

© Panorama.al

Te lidhura