Të gdhendësh patate

Apr 13, 2011 | 12:44

VIRION GRAÇI

Para pak ditësh pata rastin të marr pjesë në një pasdite kulturore në Muzeun Historik Kombëtar. Promovohej rrëfimi autobiografik i Fatos Kongolit,  “Iluzione në sirtar”. Ajo që pashë të nesërmen, pasqyrimi i veprimtarisë dhe disa thekse e komente tendencioze në një gazetë qendrore, më nxitën të mësoj në retrospektivë se në adresë të autorit, muaj më parë, ka pasur njëfarë fushate denigruese nga një numër jo i papërfillshëm shkruesish. Komente të pahijshme, të pamerituara, të cilat e kanë shtangur e pezmatuar pak autorin e mirënjohur Fatos Kongoli, si dhe dashamirësit e tij të shumtë. Këtyre shkruesve të dalluar për bishta artikujsh, por kurrë për sprova të plota, iu ka dhënë dorë vetë autori kur ka rrëfyer në librin “Iluzione…” se ka qenë dëshmitar në gjyqin e një kolegu. Sigurisht, nuk ka shkuar atje me dëshirën e tij, dëshmia e tij nuk është dëshmi e rreme; pas dhjetëra herësh marrje në pyetje, intervista e biseda informative nga ana e policisë së fshehtë dhe hetuesve, asnjë shpifje a trillim në dëm të ish-eprorit. Makthi i pashërueshëm i Kongolit është pohimi në hetuesi dhe në sallën e gjyqit i disa bisedave të zhvilluara kafeneve e klubeve me të akuzuarin. Kjo ndodhi ka përbërë për vite me radhë dilemën brejtëse të Kongolit. Dhe, në rastin më të parë, ai ka dashur ta ndajë me lexuesit e tij, me kolegët, me protagonistët realë të atyre kujtimeve, atë kujtim torturues. “Sidomos doja të rrëfehesha në të gjallë të tyre, në të gjallë të miqve të mi, shokëve dhe kolegëve”, pohon e përsërit fuqishëm Kongoli.
Rëndom rrëfimet autobiografike bëhen për të fshehur a shmangur të vërtetat e pakëndshme vetjake; rrëfimet autobiografike stisen rëndom prej autorëve për t’i selitur vetes një kult pozitiv, një imazh të ndritshëm për bashkëkohësit, për pasardhësit dhe, nëse është e mundur, edhe për përjetësinë të lënë një shenjë individuale të përkorë, të përsosur. Këtij tundimi narcizik e egomanik, në radhë të parë, nuk i kanë shpëtuar pikërisht artistë nga më të mëdhejtë, nga të tëra fushat. Kongoli bën të kundërtën: i hyn në hak vetes; i vë stërkëmbësha rrëzues personalitetit të tij, të kaluarën e tij prej morsës vrastare të diktaturës e fut në kalvarin e vetëgjyqësisë sfilitëse. Nuk është gjahtar viktimash, është i gjuajtur prej aparatit të fshehtë policor; nuk ka bërë biseda të porositura provokative me të akuzuarin; nuk ka shpifur; nuk ka shtuar a hequr nga ato që kanë ngjarë në marrdhëniet e tyre të diktuara nga kontaktet e përditshme të punës dhe kjo përbën “krimin” e tij. Pas viteve nëntëdhjetë, me punë, talent dhe përkushtim të jashëzakonshëm, në vetminë e shenjtë krijuese, larg zhurmës sterile e privilegjeve burokratike klanore, Kongoli ka arritur shumçka: një korpus romanor të titulluar “Burgjet e kujtesës”, një numër i madh romanesh të suksesshme në çdo pikëpamje, brenda e jashtë Shqipërisë; një vepër letrare e begatë, deri tani e vetmja enciklopedi artistike e jetës shqiptare në tranzicion. ¨shtë nderuar me të gjitha çmimet e larta letrare në vendin e tij; ka fituar çmimin më të lartë letrar në nivel ballanik etj., etj. Por, një njeri i ndjeshëm si ai ka ende për të rrëfyer; një njeri i ndershëm si ai nuk mund të mbajë në “burgjet e kujtesës” as hijet më të zbehta të së kaluarës. Shpalos të vërtetën e tij, vetëgjykohet duke u rrëfyer, i dorëzohet vullnetarisht gjykimit tonë publik. Monedha me të cilën i përgjigjet një pjesë e lexuesve, gjithmonë nëpërmjet shkruesve anonimë, është shkarravitja verbale, përçmimi pllakatesk, lëndimi mizor i sedrës së shkrimtarit.
Personalisht i përkas asaj shtrese sociale, e cila në periudhën komuniste, periudhë për të cilën rrëfen Kongoli, është goditur tragjikisht prej gjyqesh të montuara, prej letrash anonime, prej dëshmish të arnuara, të nxjerra me porosi e tortura. Kësi lloj keqbërësish, kësi lloj kurthesh e makinacionesh nuk mund të gjejnë kurrfarë përligjjeje a shfajësimi, përkundrazi. Por rasti i Kongolit nuk është i tillë; rasti i Kongolit nuk flet në dëm të së shkuarës së autorit të “Iluzioneve…”; më tepër se kaq ai episod i keqinterpretuar nga lexues të pavëmendshëm dhe i keqpërdorur provon kuotat aspak të lakmueshme të kodeve kulturore, morale e qytetare të shoqërisë së cilës i përkasim. Në kërkim të të vërtetave të fshehura prej propagandës puniste dhe regjimit mashtrues-totalitar kemi lexuar mijëra faqe dosierësh ku flitet për krimet dhe intrigat e nomenklaturës komuniste; dashur-padashur kemi parë mijëra orë intervista televizive me dëshmi viktimash dhe poza inkuizitorësh; kemi parë kronika dhe filma dokumentarë, ekspozita dhe prova të tjera të pakundërshtueshme për krimet e përbindshme dhe, përsëri indinjata jonë e kategorizuar në nivel shoqëror është pothuajse zero. Persona të identifikuar si persekutorë të spikatur i kemi kryelartë mes nesh; ne i përshëndesim përulësisht ata dhe dishepujt e tyre; iu qerasim diçka kur na e kanë ngenë ata dhe pinjollët e tyre; iu kushtojmë vëmendje e përqendrim kureshtar, admirues; i votëbesojmë po të jenë në garë zgjedhore; i duartrokasim kur dalin në tribuna; i falënderojmë kur na gënjejnë; i mirëkuptojmë kur na vjedhin, iu mbajmë iso përforcuese kur falsifikojnë historira e biografira; iu vijmë rrotull me temenara, me bakshishe e ryshfete, iu përulemi me buzëqeshje të ngërdheshura kur kanë vula, zyra dhe influencë.
Krimi gjysmëshekullor komunist me të cilin mbahet gjallë vijimësisht (pro e kundër) retorika mobilizuese politike tek ne, nuk mori kurrfarë përgjigjeje ligjore as njëzet vjet pas rënies së sistemit monist; nuk është shpaguar deri tash mjaftueshëm si përvojë historike, as si kundërpeshë morale, simbolike; aq më pak nuk është shterpëzuar si model, si burim sugjestioni e manipulimi human e shoqëror. Në alkiminë e “mbijetesës” dhe të “përparimit” tonë postdiktatorial, me sa duket është nënshtrimi ndaj së kaluarës së afërt; vetëgënjimi, vetëm ai na nxjerr kryelartë prej realitetit aktual. Dhe, për ironi, sapo një zë burri kërkon ndjesë për një krim të pakryer, burracakët e hedhin përtokë me nxitim shembullin e tij; sapo një romancier i sprovuar do të na rrëfejë një episod brengosës për ndërgjegjen e tij tejet njerëzore, burracakët komentues, shkarravitësit pa emra ose me nofka maskuese e etiketojë, e damkosin, prerë e refuzojnë shembullin e tij. Kur romancieri nobelist Gynter Gras botoi rrëfimin autobiografik të titulluar “Duke qëruar qepën”, pati tek-tuk, sikurse paralajmërohej qysh me titullin metonimik, gjetur aq mjeshtërisht, pasthirrma, habi, zhgënjime; pati tronditje serioze prej faktit se autori, pa e pyetur kush, pa e detyruar kush përveç ndërgjegjes së tij, pohonte se kish qenë për pak kohë i mobilizuar në ushtrinë naziste; megjithatë nuk e shkurorëzoi kush Gynter Grasin si njeri, si shkrimtar, si intelektual. Po të tjerë autorë që duan të rrëfehen ndershmërisht, çfarë reagimi publik i pret?!
…Ashtu, njerëzorë, të tronditur, të përlotur, duke qëruar qepët e kujtimeve vetjake i përfytyroj shkrimtarët e mëdhej si Gynter Grasin, për shembull. Por rrëfimet e mirëfillta autobiografike, realiste për nga qëllimi, fisnike për nga modestia e autorit, prekëse për nga sinqeriteti, purifikuese për nga vërtetësia, nuk kanë ende vendin e duhur në vendin tonë të dashur; katarsa e një syri të përlotur është ende e pamundur me sa duket kur horizonti kulturor i një shoqërie, nga zëdhënësit e saj të pazëvendësueshëm, nga romancierët e mëdhenj pret vetëm patate, patate të skalitura.

© Panorama.al

Te lidhura