Trajneri i Francës, Lorent Blank, ka theksuar rëndësinë e fitores në ndeshjen e sotme ndaj Shqipërisë për të mos pasur presion në takimin e fundit ndaj Bosnjës. Në konferencën e djeshme për shtyp, ai ka sqaruar edhe zgjedhjet në formacion për secilin lojtar. “U kam thënë lojtarëve që të jenë sa më të qetë në fushën e lojës. Në këto moment, nuk na duhet euforia, por një fitore e thjeshtë, e cila do na çonte drejt EURO 2012-ës. Nëse nuk fitojmë nesër (sot) ndaj Shqipërisë, atëherë mund të komplikojmë gjithçka, pasi në ndeshjen e fundit presim Bosnjën, dhe mbi të gjithë ne do ketë një presion të jashtëzakonshëm për të fituar me të gjitha mënyrat”, ka pohuar Blank. Më tej, ai ka dhënë edhe arsyet se përse ka zgjedhur të luajë me dyshen Remi-Gomis dhe me Malauda e Nasri në krahët e mesfushës. “Nuk do kem në dispozicion Abidalin dhe Gameiro. Ky i fundit ka një problem në gju, ndaj nuk mund të luante. Kam menduar një skemë tjetër, në ndryshim nga ajo që patë në Tiranë, pasi mendoj se në fushën tonë duhet të jemi më efikas. Me Nasri kam folur, dhe ju siguroj se nuk kam asnjë problem me të. I kam shpjeguar idetë e mia dhe çfarë pres nga ai në të tilla takime”, ka pohuar trajneri i “gjelave”, Lorent Blank.











