Të dehur, babai plagos me thikë djalin

Nov 14, 2011 | 9:04

Krimi brenda familjes trondit fshatin Vërdovë të Pogradecit. Babai ka plagosur me thikë djalin e tij 26-vjeçar pas një grindje të çastit. Pas ngjarjes, Geni Xhukellari është dërguar në spitalin e Pogradecit, ndërsa autori i krimit, Guri Xhukellari, është arrestuar. Sipas burimeve nga spitali, 26-vjeçari ndodhet në gjendje kritike për jetën si pasojë e plagëve të shkaktuara.  Sipas të dhënave të para nga Policia, grindja atë e bir ka nisur brenda banesës si pasojë e gjendjes së dehur të dy protagonistëve të kësaj ngjarjeje. Fillimisht babai ka nisur të diskutojë me djalin e tij dhe pas debateve, janë konfrontuar fizikisht. Gjatë kësaj grindjeje, në sy edhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes, babai ka marrë thikën duke e goditur djalin e tij dhe më tej ka qëndruar në banesë ku është bërë i mundur edhe arrestimi i tij. Mësohet se autori është shprehur pas krimit se e kishte plagosur të birin në kushtet e vetëmbrojtjes. Një muaj më parë në këtë fshat ndodhi një tjetër ngjarje e rëndë. Babai vrau djalin e tij me sëpatë. Autori 72-vjeçar, Njazi Kromollari, u arrestua pasi qëlloi për vdekje djalin 33 vjeç, Kudret Kromollari.

© Panorama.al

Te lidhura