Të ardhurat, Bode: S’e rritëm barrën fiskale, formalizuam ekonominë

Oct 7, 2011 | 11:57

Rritja e të ardhurave në buxhetin e vitit 2010 nuk erdhi nga rritja e barrës fiskale për biznesin, por nga miradministrimi dhe formalizimi i ekonomisë. Kjo ka qenë përgjigjja e ministrit të Financave lidhur me rritjen e parave në arkën e shtetit përgjatë vitit të kaluar. “Rritja e të ardhurave buxhetore nuk erdhi nga rritja e barrës fiskale, por nga ulja e informalitetit dhe miradministrimi. Përkundrazi, një sërë përmirësimesh ligjore lehtësuan barrën fiskale të sipërmarrjeve ekonomike”, u shpreh Bode. Ai vlerësoi performancën e mbledhjes së të ardhurave nga administrata doganore dhe tatimore për vitin e kaluar, por nuk vlerësoi njëlloj edhe performancën e të ardhurave nga pushteti lokal, i cili vijoi të ketë deficite të mëdha në zërin që i takonte. “Rritja e buxheteve të pushtetit vendor ka ardhur kryesisht nga rritja e transfertave të buxhetit qendror. Të ardhurat lokale mbeten në stanjacion, një reformim fiskal lokal nënkupton decentralizim të mëtejshëm fiskal, por, para së gjithash, rritje të kapaciteteve administruese të tyre”, u shpreh Bode. Në kahun tjetër, atë të shpenzimeve, ministri i Financave theksoi se nga qeveria u realizuan, përmes buxhetit të vitit 2010, shumica e prioriteteve të vendosura, duke filluar nga mbështetja e sektorëve të veçantë, ashtu dhe rritja e shpenzimeve në faturën sociale, apo rritja e pagave dhe pensioneve. Ai e ka vlerësuar në tërësi buxhetin e vitit 2010 si eksperiencë të re të hartimit dhe zbatimit, por, mbi të gjitha, vlerësoi rritjen ekonomike që mbështeti ky buxhet. Duke iu referuar krizës së shumicës së vendeve europiane, ai theksoi se Shqipëria ia doli që të menaxhonte dhe të mbante një rritje ekonomike pozitive në kohën kur vendet e tjera, sidomos ato fqinje, shënuan rritje negative të ekonomive të tyre.

© Panorama.al

Te lidhura