Tapitë, Basha firmos lejet për 3000 apartamente

Oct 29, 2011 | 11:11
Basha, dje gjatë firmosjes së hipotekave

Janë rreth 3000 familje që do të marrin brenda një kohe shumë të shkurtër hipotekën e apartamenteve. Dosjet e para u nisën dje në Ministrinë e Drejtësisë, nga e cila varet zyra e regjistrimit të pasurive në Tiranë. “Ky është një detyrim, një shërbim dhe zgjidhja e një problemi të mprehtë social. Edhe një herë dua të theksoj vendosmërinë tonë për të ecur përpara edhe në dy fazat e tjera, ndërkohë që falënderoj bashkëpunëtorët për punën që kanë bërë, jam i bindur se me të njëjtin përkushtim, bashkëpunim edhe me organet e tjera përkatëse të shtetit, do të përmbyllim dy fazat e tjera”, tha dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë firmosjes së dosjeve për 124 objekte. Bashkia  verifikoi dhe plotësoi dokumentacionin tekniko-ligjor për këto objekte sipas ligjeve në fuqi, dhe ia vuri në dispozicion Ministrisë së Drejtësisë (nga ku varet Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Tiranës), me qëllim pajisjen e tyre me hipotekë. Mosdhënia e lejes së shfrytëzimit nga Bashkia ka qenë deri sot pengesa kryesore për regjistrimin e këtyre pasurive. Janë të paktën 12 mijë qytetarë në kryeqytet, që përfitojnë nga ky akt. “U bënë pesë muaj që nga premtimi për të përfunduar procesin e gjatë, të lodhshëm e të padrejtë të moshipotekimit, duke i dhënë një zgjidhje përfundimtare, e cila konsiston në hipotekim në tri faza të  afro 20 000 apartamenteve në qytetin e Tiranës, që prekin rreth 20 mijë familje, pra një popullsi jo më pak se 80 mijë qytetarë të Tiranës”, tha Basha. Sipas tij, në këtë mënyrë mbyllet procesi për këtë fazë. ”Duke firmosur këtë letër, shpreh bindjen se memorandumi i bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Transporteve do të japë efektet e tij, por njëkohësisht të siguroj se dërgimi i këtyre dosjeve në Ministrinë e Drejtësisë, nuk do të thotë që ne t’i humbim nga sytë, por do ta kemi në vëmendjen tonë derisa të shikojmë zbardhjen e plotë të regjistrimit, për secilin prej këtyre 124 objekteve, që tashmë  janë pajisur me leje shfrytëzimi dhe Bashkia e Tiranës i konsideron të gatshme, për të përfunduar procesin e hipotekimit”, tha Basha. Ai shtoi se nuk bëhet fjalë për legalizim, pasi qytetarët nuk kanë shkelur asnjë ligj. Procesi i hipotekimit do të shtrihet dhe në 2 faza të tjera. Këto faza do të përfshijnë identifikimin e firmave të ndërtimit që kanë bërë shkelje, si dhe ngërçi që ato mund të kenë sjellë në mospajisjen e qytetarëve me hipoteka. “Përgjegjësia e Bashkisë së Tiranës do të konsistojë nga njëra anë në mospenalizmin e qytetarëve që kanë blerë këto apartamente, por nga ana tjetër pa dyshim në marrjen e masave përkatëse, qofshin këto vënien para përgjegjësisë të zhvilluesve për shkelje të parametrave urbanë apo qofshin ruajtja e parametrave urbanë atje ku mundemi”, tha Basha. Kjo nismë e bashkisë së Tiranës vjen pas nënshkrimit të memorandumit  të bashkëpunimit mes këtij institucioni, ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Transportit rreth një muaj më parë, për  hipotekimin e apartamenteve të qytetarëve në Tiranë  si dhe për lehtësimin e procedurave  në pajisjen me këtë dokument.

20 mije
apartamente pritet të hipotekohen në  qytetin e Tiranës, me një popullsi jo më pak se 80 mijë qytetarë. Procesi do të kalojë në 3 faza

3 mije
familje  do të marrin brenda një kohe shumë të shkurtër hipotekën. Dosjet e para u nisën dje në Ministrinë e Drejtësisë, nga e cila varet Zyra e Regjistrimit të Pasurive në Tiranë

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura