Tallja, s’ka as përkthyes për Kuzhen

Oct 7, 2011 | 13:06

Që Shqipëria shihet si një ndeshje pa shumë interes për Francën, kjo dihej që në krye të herës, kur ra shorti për kualifikimet e Europianit të 2012-ës. Por, dje moskokëçarja e francezëve është shfaqur haptazi teksa jo vetëm nuk kanë treguar asnjë lloj interesi për Kombëtaren shqiptare dhe trajnerin e saj, por nuk denjuar që të çojnë qoftë edhe një përkthyes në konferencën për shtyp që Kuzhe kishte programuar për mediat franceze dhe shqiptare, para stërvitjes së djeshme. Sipas programit, trajneri ynë do të jepte një konferencë për shtyp ku do t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, kryesisht francezë, pasi për shqiptarët e pat dhënë konferencën që një ditë më parë në hotel “Dyrrah”, në Durrës dhe më pas do të vazhdonte seancën stërvitore. Por, ja që në një vend si Franca ku ka më shumë se 200 gazeta dhe revista të përditshme, javore e mujore si dhe një numër i madh televizionesh, në sallën e konferencave u paraqitën vetëm tre gazetarë. Madje, edhe këta ishin të “sërës” së lartë, pasi nuk flisnin veçse gjuhën e tyre, pra frëngjisht. Në të tilla kushte, trajneri i Kombëtares shqiptare u vu para një dileme: ose të largohej fare nga salla e konferencave, ose të thërriste një frëngjisht dhe anglishtfolës. Kështu, “vullnetar” doli Lorik Cana dhe konferenca vazhdoi (sa për sy e faqe) me tre-katër pyetjet e bëra nga gazetarët e pranishëm.

© Panorama.al

Te lidhura