Taksat, Bregasi: Basha e mbajti premtimin

Oct 14, 2011 | 11:31
Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi

Biznesi ka reaguar pozitivisht ndaj uljes së numrit të taksave dhe tarifave që Këshilli Bashkiak miratoi një ditë më parë. Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, shprehet se në këtë nismë vlerëson dy aspekte, atë të faktit që kryebashkiaku Basha po mban premtimet që bëri gjatë fushatës dhe, në anën tjetër, kjo lehtëson biznesin. “Në filozofinë time si sipërmarrës, por edhe si president i shoqatës ‘Biznes Albania’, është mentaliteti i sipërmarrësve se është më mirë që ky vend të ecë me taksa të ulëta dhe me një bazë të gjerë tatimpaguesish. Ky vendim i ri i Këshillit Bashkiak, kam përshtypjen, përveçse do të lehtësojë taksat e asaj kategorie që tashmë paguan, por do të fusë në sistemin e taksave edhe individë, kompani, qytetarë, të cilët për shkak të ngarkesës së lartë, kanë preferuar t’i fshihen Bashkisë”, shprehet Bregasi. Ai thekon se biznesi po ndjek me vëmendje punën e kryebashkiakut Basha dhe se heqja e disa dhjetëra taksave dhe tarifave është një premtim i dytë i mbajtur pas asaj të memorandumit për hipotekimin e pallateve me leje. Në të njëjtën linjë ka qenë dje edhe fjala e kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, për vendimin e Këshillit Bashkiak për taksat.  Gjatë një konference për shtyp, Jaka theksoi se ky vendim vjen në vazhdën e premtimeve të mbajtura. “Përshëndesim vendimin e marrë dje nga Bashkia e Tiranës për heqjen dhe reduktimin e 60 taksave, duke e konsideruar këtë një ogur të mirë për sipërmarrjen dhe qytetarët, pasi vjen në vazhdën e premtimeve elektorale të mbajtura nga kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës”, u shpreh Jaka, duke sjellë në vëmendje dhe rastin e memorandumit.

60 taksat
Këshilli Bashkiak vendosi dy ditë më parë heqjen e 60 taksave dhe tarifave që qytetarët apo bizneset paguanin në Tiranë. Në total, numri i këtyre taksave ishte 84 të tilla, ndërsa me vendimin e marrë së fundi mbeten në fuqi për t’u paguar rreth 24 taksa dhe tarifa. Heqja e këtyre taksave është premtuar nga Basha gjatë fushatës elektorale.

© Panorama.al

Te lidhura