Taksa e makinave, Pinari: Ja si do paguajnë qytetarët

Aug 28, 2011 | 12:07

Të gjithë ata qytetarë që e kanë paguar taksën e qarkullimit dhe të regjistrimit në fillim të vitit apo para hyrjes në fuqi të ligjit të ri, nuk kanë detyrimin e pagesës së taksës vjetore të makinave të përdorura.Pa dyshim, ata do ta paguajnë karburantin me 6 lekë/litri, si të gjithë, por detyrimin e taksës vjetore do ta kenë pas 12 muajsh nga data e kontrollit të fundit teknik që kanë bërë. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, Arben Pinari, sqaron në një intervistë për gazetën mënyrën se si do të zbatohet ligji pas daljes së udhëzimit të Ministrisë së Financave. Pinari thekson se për qytetarët që do të targojnë një mjet që futet për herë të parë në qarkullim, pas zhdoganimit do të paguajnë vetëm për muajt e mbetur të vitit në të cilin e bëjnë këtë targim. E rëndësishme për kreun e DPSHTRR është që me ligjin e ri hiqet detyrimi i pagesës së taksës gjatë shitjes së mjetit, çka me ligjin e vjetër nuk bëri gjë tjetër përveçse solli ngërç. Tani, qytetarët që shesin një makinë në tregun vendas, për të cilën kanë paguar detyrimet e taksës vjetore, pronarit të ri i lind detyrimi që ta bëjë pagesën 12 muaj pas kontrollit të fundit teknik të mjetit.
Pak ditë më parë u publikua udhëzimi i Ministrisë së Financave, që detajon mënyrën se si do të zbatohet ligji që solli ndryshime në taksat për makinat. Çfarë duhet të dijë një qytetar që ka në pronësi një makinë tani që ky ligj është në fuqi dhe detyrimet që i lindin?
Me ligjin e ri që ka jo më shumë se katër ditë që ka hyrë në fuqi, qytetarit i thjeshtohen të gjitha procedurat pranë sporteleve tona. Në rast se më përpara, me ligjin e vjetër qytetari paguante taksën e regjistrimit dhe taksën e qarkullimit, sot ka vetëm një taksë: taksa vjetore e mjeteve të përdorura. Në këtë pikë dua të ndalem për të sqaruar diçka, pasi qytetarët janë të prirë të pyesin se sa është vlera e kësaj takse. Që të arrijmë te vlera fillimisht duhet të kuptojmë thelbin dhe konceptin e ligjit. Ligji i vjetër bazën e ka pasur në numrin e viteve të përdorimit të mjetit, kurse ligji i ri, për të cilin po flasim, bazën ose thelbin e ka te lloji i mjetit. Pra, në rastin konkret, në rast se një qytetar që kishte një mjet, për shembull një “Smart” dyvendësh, paguante të njëjtën vlerë siç paguante një qytetar që kishte në pronësi një “Benz Slloun”. Pra një makinë me 800 kubikë paguante njëlloj si një makinë me 3000 kubikë. Kjo nuk ka sens logjik dhe nuk është me standardet që aplikon Europa. Thelbi i ligjit të ri është që secili të paguajë mbi bazën e asaj çfarë ka.
Taksa e qarkullimit që është mbledhur nga Drejtoria juaj tashmë është transferuar te karburanti. Ju, si e shihni këtë?
Transferimi i taksës te karburanti është një nismë që në bazë të saj ka taksimin e qytetarit në bazë të karburantit që përdor te makina dhe sa e përdor këtë të fundit. Dikush që ka një makinë me benzinë do të paguajë normalisht për një makinë me benzinë dhe në rast se ai qarkullon nga mëngjesi deri në darkë, nuk mund të paguajë njëlloj si dikush që e përdor makinën vetëm ditën e shtunë dhe të diel. Pra, koncepti ligjit të ri, sidomos meqë shkuam edhe deri te taksa e benzinës dhe gazoilit, është: sa më shumë ta përdorësh infrastrukturën, aq më shumë do të paguash për të, dhe sa më pak ta përdorësh infrastrukturën, aq më pak do të paguash. Me ligjin e vjetër nuk kishte rëndësi nëse një mjet përdorej apo nuk përdorej, ishte me benzinë apo me naftë, me kubikë të mëdhenj apo të vegjël, ai paguante njëlloj. Me ligjin e ri, baza e taksës është te kubikët e mjetit dhe lloji i karburantit. Natyrisht, këto dy komponentë në bazë të tyre kanë edhe vjetërinë e mjetit. Pra, në rast se për Smartin paguhej e njëjtë me makinën 3 mijë kubikëshe tashmë kemi tjetër taksë për Smartin, ku do të paguhet në bazë të kubikëve që ka dhe të vitit të prodhimit të mjetit, por edhe në bazë të karburantit që shfrytëzon ky mjet. Taksa e mëparshme e regjistrimit dhe e qarkullimit janë shkrirë në një taksë të vetme. Taksa e qarkullimit është implementuar te karburanti. Pra, qarkullon shumë, do paguash shumë. Taksa e regjistrimit është implementuar te taksa e re e mjeteve të përdorura. Pra, sa vjeçare është makina që përdor, sa kubikë është, pra çfarë fuqie motorike ka dhe kush është lloji i karburantit që ndot ambientin. Natyrisht, diferenca që bëhet midis llojit të karburantit, llojit të mjetit apo vjetërisë së mjetit është shumë më e madhe dhe shumë më fitimprurëse për qytetarët që kishin mjete të zakonshme dhe paguanin njësoj si ata që nuk kishin mjete të zakonshme, që janë makina me kubikë të mëdhenj, fuoristrada, slloune etj. Tani do të paguash për atë që ke.
Në udhëzimin e Ministrisë thuhet që pagesa mund të bëhet në çdo moment, por gjithmonë para kontrollit teknik. Si do të veprohet për ata qytetarë që kanë paguar në fillim të vitit taksë regjistrimi apo qarkullimi?
Kjo taksa fikse është taksë vjetore. Pra, siç kanë pasur dy taksa vjetore, tashmë do të kenë një taksë vjetore dhe në ditën që ata e kanë të caktuar që u mbaron kontrolli teknik, brenda 10 ditëve (siç është hapësira ligjore), qytetari duhet të paraqitet pranë sporteleve tona të shlyejë detyrimet për taksat dhe të vazhdojë me kontrollin teknik. Si afat kohor për shlyerjen e taksave merret kontrolli teknik, sepse normalisht, një makinë që të qarkullojë duhet të ketë parametrat teknikë. Një qytetar nuk mund të paguajë taksa për një mjet që nuk përmbush parametrat teknikë për të qarkulluar. Po flasim për mjete që qytetarët kanë dëshirë të qarkullojnë. Ndërsa për mjetet që qytetarët deklarojnë se nuk do të qarkullojnë, ligji ka parashikuar si afat ligjor muajin janar të vitit që hyn, që ai mund të shkojë pranë sporteleve tona të deklarojë që nuk do ta përdorë mjetin, bën çregjistrimin e përkohshëm dhe është i përjashtuar nga të gjitha taksat. Ndërsa një qytetar që kërkon të qarkullojë me një mjet, patjetër duhet të plotësojë kushtet teknike të mjetit. Pra, kolaudimi është procesi teknik, i cili certifikon nëse ky mjet është në gjendje teknike për të qarkulluar apo jo dhe prandaj baza niset nga kontrolli teknik. Pra ai paraqitet pranë sporteleve tona brenda 10 ditëve nga kontrolli teknik paraardhës për të paguar taksat. Në rast se ai paraqitet jashtë këtij afati, ka një penalitet. Pasi paguan taksat vjetore, qytetari paraqitet pranë qendrës së kontrollit teknik. Për qytetarët që kanë paguar taksat me ligjin e vjetër, i bie që të paguajnë taksën vjetore të mjeteve të përdorura mbas 12 muajsh. Pra dikush që ka paguar më 3 janar taksat sipas ligjit të vjetër, më datën 3 janar të vitit që vjen do të paguajë taksën sipas ligjit në fuqi.
Po me mjetet që targohen për herë të parë, si do veprohet?
Mjetet që importohen – flasim këtu për mjete të përdorura që vijnë nga importi – përjashtohen nga detyrimi i taksës që aplikohej në doganë për mjetet e përdorura, por jo nga TVSH-ja. Pasi kryhet procedura e zhdoganimit pranë administratës doganore, qytetari paraqitet pranë sporteleve tona. Të dhënat teknike të mjetit, që shoqërohen bashkë me mjetin në momentin e transferimit të pronësisë, janë i gjithë dokumentacioni shoqërues i mjetit. Të dhënat teknike të mjetit janë objekt i punës së sporteleve tona. Të gjitha të dhënat teknike të mjetit hidhen në databasen tonë dhe, mbi bazën e këtyre të dhënave, bëhet edhe taksimi me ligjin e sotshëm. Pra, çfarë vit prodhimi është mjeti, çfarë kubikësh ka ky mjet, kush është fuqia motorike dhe karburanti që konsumon.
Në rast se unë importoj një makinë gjatë këtyre ditëve të gushtit apo në fillim të shtatorit, do të taksohem për pjesën e mbetur të vitit, apo pagesa bëhet për një vit të plotë dhe unë do t’i paguaj taksat sërish në shtator të vitit tjetër?
Në momentin që ju kryeni procesin e zhdoganimit quhet që mjeti hyn brenda territorit doganor shqiptar dhe në këtë moment paraqiteni pranë sporteleve. I bie që normalisht taksa është e diferencuar. Pra, ju do të paguani për muajt nga momenti që bëhet regjistrimi i mjetit. Në rast se paraqiteni, për shembull, në datën 1 shtator, atëherë do të paguani nga shtatori deri në fund të vitit. Për vitin që jemi, ndërsa për vitin tjetër ju i keni të shlyera dhe duhet të paraqiteni pranë sporteleve më datë 1 shtator të vitit tjetër, sepse taksa është kalendarike, jo vjetore. Në rast se ju paguani taksa vjetore më 1 shtator, ju takon që të paguani taksa të tjera më datë 1 shtator të vitit tjetër. Nëse bëni zhdoganimin dhe targimin e këtij  mjeti më 1 shtator, brenda 1 shtatorit të vitit tjetër ju duhet të paraqiteni prapë për të paguar taksat vjetore dhe për të bërë kontrollin teknik të mjetit.
Po për mjetet që u ndryshohet pronësia brenda vendit, si do të veprohet?
Për këto mjete që u ndryshon pronësia nga një pronar shqiptar në një tjetër brenda vendit, kemi një ligj tjetër që parashikon që në momentin e ndryshimit të pronësisë duhet që mjeti të pajiset me targat e reja, që vlen të theksojmë që janë targa me standarde europiane. Normalisht, aty duhet të bëhet dhe ndryshimi i pronësisë së mjetit nga shitësi te blerësi. Në këtë moment që bëhet ndryshimi i pronësisë, mjeti regjistrohet pranë sporteleve tona. Me ligjin e ri nuk kemi detyrime tatimore të transaksionit ekonomik që është kryer, pra nuk do të paguajmë taksë për ndryshimin e pronësisë, që është e ndryshme nga ligji i mëparshëm. Pra, në rast se me ligjin e mëparshëm kishim patjetër detyrimin ligjor për t’u taksuar në momentin e transaksionit ekonomik, tani nuk kemi taksë dhe pronari i ri i mjetit detyrohet t’i paguajë taksat kur e ka datën. Në rast se mjeti ndryshon pronësi sot dhe taksat janë paguar para një muaji, ai detyrohet që mbas 12 muajsh që ka paguar taksën të paraqitet në sportelin tonë. Kontrolli teknik bëhet në momentin që paguhen taksat. Kontrolli është 12-mujor, edhe taksat janë 12-mujore. Nuk ka rëndësi se çfarë dite i bie.
Qytetarët përfitonin më shumë nga ligji i vjetër apo nga ligji i ri?
Nga ana jonë janë bërë një sërë llogaritjesh dhe dua të sqaroj diçka këtu, pasi thuhet që taksa e tanishme është dyfishi i taksës që ishte, që në fakt, nuk është kështu. Baza e këtij ligji është te kubikët e mjetit dhe vitet e përdorimit, sigurisht edhe karburanti. Këto janë politika që i ndjek çdo shtet i Europës për dekurajimin e përdorimit të makinave të vjetra. Absolutisht nuk ka asgjë abuzive. Në rast se marrim si shembull një autoveturë me një cilindratë 3200 kubikë, e cila me ligjin e vjetër paguante 29 mijë 800 lekë të rinj, kjo taksë i përafrohet me ligjin aktual në vitin e 13-të të jetës së mjetit dhe sërish s’e ka plotësuar vlerën. Ai ka dhe 9 vite të tjera që nuk i afrohet taksës që ishte me ligjin e vjetër, pasi 3 vitet e para kanë taksë zero për mjetet e reja. Numri i mjeteve të reja që sot po shiten në tregun shqiptar çdo vit po vjen duke u rritur, por ka dhe një veçori, sepse e reja më shumë anon te kubikët e vegjël, pra makina ekonomike dhe nuk ka se pse një qytetar që ka një makinë me 1200 kubikë të taksohet sa një makinë me 3000 kubikë. Mjafton të përmendim këtu që mjetet që janë shitur brenda 3 viteve të fundit, të reja, nuk taksohen fare. Kjo është një vlerë e konsiderueshme. Kemi pastaj mjete që arrijnë deri te viti i 10-të apo i 13-të, që vlera e taksës është shumë më pak sesa me ligjin e mëparshëm. Atëherë nuk është gjë e fshehur që të themi që makinat e vjetra do të taksohen më shumë sepse do të dekurajohet përdorimi i këtyre mjeteve. Të gjithë duhet të jemi koshientë që mjetet e vjetra jo vetëm që ndotin më shumë, por edhe janë më të rrezikshme nga pikëpamja fizike, sepse vlera e mirëmbajtjes së tyre është më e madhe, rreziku për të bërë aksident është më i madh.

Makinat e vjetra, qytetarët dynden për pagesë

Pak ditë para se ligji të hynte në fuqi, pranë sporteleve të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor ka pasur dyndje të qytetarëve që kanë në pronësi një makinë të vjetër. Ata kanë preferuar që pagesën ta bëjnë sipas ligjit të vjetër, pra taksë regjistrimi 24 mijë lekë dhe taksë qarkullimi 75 mijë lekë, duke mos preferuar që të paguajnë taksën e makinave të përdora sipas ligjit të ri. “Diferenca e pagesës nuk ka qenë e madhe, por në këto momente jo vetëm që kemi pasur fluks të qytetarëve për të paguar, por kemi pasur dhe bashkimin e dy ligjeve, pra edhe ligjin për faljen, edhe atë për taksat kombëtare”, shprehet Pinari.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura