Mundësia e sulmeve të reja ndaj Iranit gjatë vitit 2026 u diskutua në takimin që Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, zhvilloi të hënën me Presidentin amerikan, Donald Trump, sipas një zyrtari amerikan dhe dy burimeve të tjera në SHBA me njohuri mbi bisedimet.
Sipas të njëjtave burime, të dy liderët e cilësuan si “sukses të madh” luftën 12-ditore me Iranin në qershor, por Netanyahu theksoi se mund të nevojiten veprime të reja ushtarake për të parandaluar rindërtimin e kapaciteteve ushtarake të Teheranit.
Nga ana e tij, Trump deklaroi pas takimit se, nëse Irani tenton të rivijë programin e tij bërthamor, Shtetet e Bashkuara do ta “shkatërrojnë përsëri”, duke shtuar megjithatë se preferonte arritjen e një marrëveshjeje të re bërthamore me Teheranin.
Një zyrtar amerikan theksoi se Trump mund të mbështesë një “rreth të dytë” veprimesh ushtarake, nëse SHBA konstaton hapa të vërtetë dhe të verifikueshëm nga Irani për rindërtimin e programit të tij bërthamor.
Megjithatë, deklaratat e përsëritura të Trump se programi bërthamor iranian është tashmë i neutralizuar e bëjnë politikisht më të vështirë justifikimin e sulmeve të reja ose dhënien e autorizimit Izraelit për të goditur Iranin.
Gjatë sulmeve të fundit, SHBA synuan ekskluzivisht objektet bërthamore të Iranit, ndërsa Izraeli goditi edhe infrastruktura ushtarake konvencionale, me fokus në programin e raketave balistike.
Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë izraelitë kanë paralajmëruar javët e fundit se Teherani po përpiqet të rindërtojë arsenalin e tij raketor.
Burimet gjithashtu bëjnë të ditur se në takim u diskutua edhe përpjekja e Hezbollahit për të rivendosur arsenalin e raketave me rreze të gjatë në Liban. Megjithatë, nuk u arrit asnjë marrëveshje për një afat të caktuar, kufizime apo kushte të hollësishme që do të aktivizonin veprime ushtarake në të ardhmen.
Zyra e Kryeministrit izraelit refuzoi të komentojë, ndërsa Shtëpia e Bardhë iu referua deklaratave publike të Trump, shkruan Axios.
Nga ana iraniane, Presidenti Masoud Pezeshkian paralajmëroi se vendi i tij do të përgjigjet “ashpër” ndaj çdo akti agresioni. Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi i bëri thirrje Trump-it të kthehet në tryezën e bisedimeve me një frymë “respekti”, duke vënë në dukje se negociatat për një marrëveshje të mundshme bërthamore janë praktikisht pezulluar gjatë muajve të fundit, pavarësisht kontakteve që ishin bërë deri në shtator me të dërguarin amerikan, Steve Whitkof.
Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë vlerësojnë se rreziku më i madh për një konflikt të ri Izrael–Iran në të ardhmen e afërt është një llogaritje e gabuar, ku secila palë përpiqet të parandalojë një sulm të mundshëm të tjetrës.
Për shembull, javën e kaluar, shërbimet izraelite paralajmëruan qeverinë e Trump se një stërvitje me raketa nga Gardianët e Revolucionit mund të përdoret si mbulesë për një sulm të vërtetë.
© Panorama.al












