Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit janë ulur dje për herë të tretë në tryezën e negociatorit të BE-së në Bruksel, Robert Kuper, për të gjetur një konsensus mbi çështjet që shqetësojnë më shumë qytetarët e dy vendeve. Parimisht, palët janë kundër njëra-tjetrës që në konceptimin e këtij dialogu, ku liderët e Kosovës thonë se po ulen si dy vende të barabarta, ndërsa liderët serbë shprehen se nuk pranojnë të diskutojnë asgjë që mund të aludojë, sado për së largu, se Serbia e ka njohur statusin e Kosovës. Në takimin e mbrëmshëm tema diskutimi ishin çështjet; e energjisë elektrike, telekomunikacioni dhe lëvizja e lirë. Kjo e fundit ishte një temë e re e propozuar nga kreu i delegacionit serb, Borisllav Stefanoviç. Nga bisedimet, ashtu siç pritej, nuk pati ndonjë rezultat konkret, edhe pse ato zgjatën disa orë. Delegacioni i Kosovës edhe kësaj radhe kryesohet nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri. Ajo, por edhe Stefanoviç, përpiqen të qetësojnë popujt e tyre, duke u zotuar se takimi nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës. Një deklaratë e tillë është bërë edhe nga BE-ja. Madje në Bashkimin Europian, pala ndërmjetësuese e takimit, thuhet se nuk paragjykohet qëndrimi i palëve rreth statusit të Kosovës.











