Një radikal islamik ka sulmuar dje Ambasadën Amerikane në Bosnje, një sulm i quajtur nga autoritetet si terrorist. Burri, me mjekër të gjatë dhe i armatosur, ka ecur ngadalë nëpër rrugë drejt Ambasadës Amerikane dhe papritur ka nisur të qëllojë civilët dhe zyrtarët e Policisë. Bakir Izetbegoviç, anëtari boshnjak mysliman i presidencës tri-anëtare të vendit, tha në një deklaratë se ai e dënon “sulmin terrorist” në Ambasadën Amerikane në Bosnje-Hercegovinë. Ai tha se sulmi duhej të hetohej në detaje dhe shtoi se “SHBA është mik i provuar i Bosnje-Hercegovinës”. Fotot e marra nga vendi i ngjarjes e tregonin sulmuesin se si kishte nisur të qëllonte kalimtarët dhe rojet e Ambasadës, ndërsa ai i afrohej ndërtesës. Fillimisht u raportua se sulmuesi, i identifikuar si anëtar i degës “Uahabi” të islamit, ishte vrarë nga një snajper, pasi kishte qëlluar me armën e tij kallashnikov drejt misionit amerikan. Por më vonë, u konfirmua se ai ishte ende gjallë, pasi ishte qëlluar nga një prej policive të Ambasadës. Një zëdhënës i policisë tha për një televizion boshnjak se të paktën një oficer ishte plagosur gjatë sulmit. Ai shtoi: “Personi që qëlloi me armë automatike u plagos dhe është arrestuar gjatë operacionit të policisë. Pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në vendin e ngjarjes, ai është shtruar në spital”, tha zëdhënësi Irfan Nefiç për televizionin kombëtar BHT. Zëdhënësja e Ambasadës, Sanja Pejcinovic, nuk preferoi të flasë me detaje për sulmin. “Ne mund të konfirmojmë se ka pasur një incident përpara ambasadës. Ndërtesa është mbyllur dhe ne po presim që policia të izolojë zonën”, tha ajo për AFP. Radioja kombëtare boshnjake raportoi se policia po kërkonte në rrethinat e ambasadës për bashkëpunëtorë të mundshëm të sulmuesit. “Disa patrulla policie janë dërguar në skenën e ngjarjes. Dy policë janë plagosur, njëri në këmbë dhe tjetri në kokë”, është thënë në këtë radio. Jasminka Fisiç, gazetare e AFP-së, tha se e gjithë zona është izoluar nga makina policie që ecnin me shpejtësi.
Uahabizmi
Në Bosnje jeton një minoritet i vogël i ndjekësve të Uahabizmit, një degë strikte dhe ultra-konservatore e Islamit, e cila dominon në Arabinë Saudite. Gjatë luftës së Bosnjës, në vitet 1992-95, mes kroatëve, myslimanëve dhe serbëve, një numër i madh vullnetarësh nga vendet myslimane shkuan në vendin ballkanik për të luftuar. Shumë prej këtyre myslimanëve luftëtarë kanë qëndruar aty edhe pas konfliktit dhe kanë marrë nënshtetësi boshnjake.
veproi I vetëm
Autoritetet boshnjake thanë se sulmuesi i ambasadës ka vepruar i vetëm. Sulmuesi islamik kishte si shënjestër ndërtesën e Ambasadës Amerikane në Sarajevë, të premten, dhe zyrtarët e quajtën sulmin terrorist.











