
“Grimshaw” përzgjidhet pas dy muajsh konsultime.
Basha: Përfaqëson më mirë qytetarët e Tiranës, do të hapen me mijëra vende të reja pune.
Studioja “Grimshaw Architects” u shpall dje fituese e projektit për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Grupi strategjik vendosi dje se projekti që përfaqëson më mirë aspiratat e qytetarëve të Tiranës dhe ofron shanse më të mëdha të zhvillimit ekonomik, mirëqenies dhe punësimit, është ai i studios arkitekturore britanike. Ky vendim për përzgjedhjen e studios erdhi pas rreth dy muajsh diskutime e konsultime me ekspertët më të mirë vendës e të huaj, si dhe me qytetarët të cilët patën mundësi të japin mendimet, sugjerimet dhe të bëjnë pyetje për afro një muaj. “Ky projekt ka një rëndësi akute, të menjëhershme, pasi zbatimi i tij do të thotë ndërtim i një poli të ri ekonomik, që do të hapë mijëra vende pune, përmirësimin e të gjithë parametrave të cilësisë së jetës”, tha Basha. Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se brenda vitit pritet të përfundojë projekti i detajuar, ndërsa së bashku me institucione të tjera do të fillojë zhvendosjen e shinave të Trenit dhe shtyllave të tensionit të lartë. “Projekti i bulevardit është pjesë e rëndësishme, një katalizator i Planit të Përgjithshëm Rregullues që do të shpaloset para qytetarëve të Tiranës ditën e premte, duke bërë që, në një hark kohor prej 10 muajsh, ne të arrijmë t’i japim qytetit tonë një plan të qartë zhvillimi dhe zgjidhjen që i ka munguar prej gati 22 vjetësh”, theksoi kryebashkiaku Basha.
Përfaqësuesi i Grimshaë, Neven Sidor, shprehu angazhimin për të bërë pjesë të projektit të gjitha sugjerimet dhe për të vijuar këtë “udhëtim të mrekullueshëm”. “Jemi mjaft të gatshëm të dëgjojmë dhe të presim e përcjellim të gjithë gjërat që do të zbulojmë, në atë që unë shpresoj se do të jetë një udhëtim i mrekullueshëm. Ju faleminderit shumë për besimin!”, u shpreh Sidor.
Grimshaw Studio
Gjerësia e bulevardit 60 metra
Kostoja e projektit 100/130 euro metri katror
Tre sheshe: 1-Sheshi i qendrave tregtare, kompleks kinemaje, supermarkete
2-Sheshi i ndërtesave publike (Pallati i Drejtësisë dhe gjykatat) sheshi bashkiak
3-Sheshi i artit dhe kulturës ku do grupohen ndërtesat e këtij lloji.
Ndërtesat do kenë lartësi 8-15 kate
Qyteti shihet si një qenie e vetme
Në dy anët e bulevardit 500 parkime publike
Ndërtesa konike me kate për parkimet
Zgjatje e linjave të ndërtimit duke krijuar më shumë hapësirë për banim.
Krijimin e energjisë nëpërmjet përpunimit të mbetjeve. Autobus me hidrogjen që ngjitet në kodrën e Paskuqanit.
Ndryshime në administrimin e transportit, veç linjave të tramvajit, shtohen linja të tjera që mund të lidhin Aeroportin me qytetin.
Të gjitha ndërtimet nga Stacioni i Trenit deri tek Bregu i Lumit do të jenë të reja.
Bulevardi i ri do të ketë një gjatësi 1.7 km, ndërsa është parashikuar edhe zhvillimi i sipërfaqes përreth tij në plot 132.8 hektarë.
Lumi i Tiranës ka gjatësi 6.7 km


ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











