
Ina Hoxhaj, kandidatja për magjistrate, që u radhit e dyta në konkursin e pranimit, por u skualifikua në listën përfundimtare, dorëzoi në Gjykatën e Tiranës padinë kundër Shkollës së Magjistraturës. Pak ditë më parë, ajo i dha formë ligjore deklaratave të saj publike se do të përballej në rrugë ligjore me Shkollën e Magjistraturës. Sipas kandidates Hoxha, skualifikimi i saj nga lista e pranimit të studentëve të Magjistraturës ishte i parregullt dhe joligjor. Ina Hoxhaj nuk mundi dot të ulet në Shkollën e Magjistraturës më 3 tetor, për shkak se emri i saj u përjashtua nga lista e fituesve nga ana e komisionit të vlerësimit të Shkollës së Magjistraturës. Shkak i përjashtimit, sipas komisionit, ishte shkelja e rregullores nga ana e kandidates. Veprimi i konsideruar si shkelje nga konkurruesja Ina Hoxhaj ishte fakti se në përfundim të provimit, në zarfin ku u vendosën tezat e plotësuara, ka vendosur edhe fletën e rregullores së provimit. Para fillimit të provimit, kjo fletë rregulloreje ishte nxjerrë nga i njëjti zarf. Pas skualifikimit, Hoxhaj u ankua fillimisht pranë komisionit të vlerësimit e më pas në këshillin drejtues të Shkollës së Magjistraturës, por tashmë pretendimet e saj do t’i paraqesë në Gjykatë.
PADIA
Kërkesë-padia, ku si paditëse është konkurrentja e skualifikuar e provimit të Magjistraturës, Ina Hoxhaj, është regjistruar më 13 tetor në kryesekretarin e Gjykatës së Tiranës. Në këtë institucion, kërkesë-padia e Hoxhajt për “shfuqizimim akti administrativ”, mban numrin 14777 dhe si kryesuese e shqyrtimit të saj është përzgjedhur gjyqtarja Fatmira Hajdari. Si palë e paditur aty është Shkolla e Magjistraturës e Republikës së Shqipërisë. Sipas padisë, kërkesa e Hoxhajt për Gjykatën përmblidhet në tre momente. “Konstatimin e vendimit të këshillit drejtues të Shkollës së Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë, datë 30.09.2011, si akt administrativ absolutisht të pavlefshëm”, thuhej në objektin e padisë. Në vijim, në të njëjtin objekt, paditësja Hoxhaj kërkon “anulimin e vendimit të skualifikimit të datës 22.09.2011 dhe datë 29.09.2011, si akte administrative relativisht të pavlefshme”. Kërkesa e tretë e shtruar në objektin e kërkesë-padisë është ajo e detyrimit të Shkollës së Magjistraturës që në listën përfundimtare të fituesve të përfshihet edhe emri i saj. “Detyrimin e Shkollës së Magjistraturës të miratojë listën përfundimtare me ndryshimet përkatëse, duke përfshirë konkurrenten Ina Hoxhaj në vendin e dytë”, thuhej në objektin e padisë.
Denoncimi i HOXHAJT
Në një intervistë për gazetën “Panorama” pak ditë pas skualifikimit të saj, Ina Hoxhaj u shpreh se gabimi i saj kishte qenë njerëzor dhe jo me qëllim për të bërë të identifikueshëm zarfin. “Komisioni i Vlerësimit ka korrigjuar fillimisht çdo provim, pa skualifikuar asnjë konkurrent, normalisht ngaqë nuk ka pasur shenja ose çuditërisht, ngaqë ka shkelur rregulloren, pasi nuk mundet kurrsesi që të vlerësohet diçka që është e pavlefshme, por sapo konstatohet një gjë e tillë, vendoset skualifikimi. Kështu, varianti më i besueshëm mund të jetë: pasi komisioni ka mbaruar vlerësimin, ngjan të kenë marrë vendim për skualifikimin e pesë kandidatëve, midis tyre edhe kandidatin e renditur të dytin. Kjo procedurë vetëm e rregullt dhe e bazuar në rregullore nuk mund të jetë”, u shpreh Hoxhaj për “Panorama”.
Precedenti
Ina Hoxhaj do të gjendej në vendin e dytë të listës me 18 fitues të Shkollës së Magjistraturës së këtij viti, nëse do të vlerësohej edhe në fazën e dytë të testit të pranimit. Ajo harroi rregulloren e provimit në zarfin e përgjigjeve, por njësoj si ajo kishin vepruar edhe katër studente të tjera. Veç kësaj anomalie, një tjetër problematike e konkursit të pranimit ishte zhvillimi në një ambient privat në autostradën Tiranë-Durrës dhe më tej lënia jashtë zonës së fituesve e një tjetër kandidateje se ishte vetëm 2.5 pikë larg pragut që vendosi shkolla, duke mos respektuar 18 kuotat, që ishin shpallur të nevojshme nga vetë KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme.
Armand Bajrami











