Një klip, që më shumë se historisë së një kënge, i ngjason një filmi aksion. Arkimed Lushaj dhe miku i tij këngëtar Emiljano, kanë tërhequr vërtet vëmendjen e kalimtarëve në rrugë, ndërsa janë shfaqur në qendër të Tiranës si dy grabitës të vërtetë bankash, të mbuluar me maska dhe me armë në dorë. Kënga që titullohet “Bad Boys in town”, është xhiruar këto ditë në Tiranë dhe Kosovë, ku Stresi dhe Emiljano, së bashku me dy këngëtarë të tjerë, sjellin këtë vjeshtë një klip që tërheq vërtet vëmendjen. Bëhet fjalë për një këngë në stilin amerikan, ku reperat vendosin të tregojnë eksperiencat e tyre në jetë, që siç ata vetë pohojnë, janë nga më të paimagjinueshmet. Kënga po realizohet në studion muzikore MBT, kurse për sa i përket historisë së sjellë në të, ata tregojnë se janë bazuar diku. “Ne përdorëm grabitjen e bankave si aventurë të këtij klipi, se aty e gjetëm veten më shumë dhe menduam se do dilte diçka interesante”. Reperi Emiljano pohon për idenë e këtij klipi : “Nëse flas për vete, gjithë jeta ime ka qenë një aventurë në mërgim, ku për lekë kam bërë çdo gjë. Nuk dua të specifikoj imtësisht por, nëse u referohemi grabitjeve, të paktën unë edhe Stresi kemi qenë të akuzuar në jetë”, shpjegon Emiliano. Më tej, ai shton se: “Në Itali kam bërë dy vjet burg, ndërsa Stresi vazhdon ende me gjyqe të tjera, ndaj bëmë një klip të tillë, sepse në jetë me të vërtetë na ka ndodhur të bëjmë gjëra të këqija me dashje e pa dashje. Gjithsesi, tashmë që i konsiderojmë si aventura që i takojnë vetëm të shkuarës, por që kanë ndodhur dhe nuk mund të fshihen, vendosëm t’i përdorim për këngët .











