“Leonardin e ka lënë gruaja, por po i qëndron pranë sa për të kaluar këtë moment. Ai po shet një shtëpi që të korruptojë Drejtësinë”
Si një serial filmik, me sa duket çështja do të vazhdojë ende, ku pas një dosjeje të mbyllur do të hapet një tjetër deri në zbulimin e së vërtetës. Shumë janë treguar skeptikë për të vërtetën, por Prokuroria tashmë ka mbyllur hetimet mbi dosjen “Bombaj”, për denoncimin e përdhunimit dhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale me nxënësen e tij të mitur, duke e nxjerrë regjisorin e njohur të pafajshëm. Dhe pas kësaj, vajza denoncon sërish ish-profesorin, ndërsa Leonardi thuhet sa nga ana tjetër do të hapë një tjetër çështje kundër saj për shpifje. Personi i tretë i përfshirë në këtë histori, Stresi (Arkimed Lushaj), duke qenë në krahun e vajzës, nuk tërhiqet nga bindja se bëhet fjalë për një përdhunim. Pasi ka lexuar romanin e regjisorit Bombaj, ku ai është një personazhet kryesore me emrin Odisex, tregon gjithçka në lidhje me marrëdheniet e tij me vajzën.
Një libër frymëzuar nga një histori e vërtetë, ku ti je personazh kryesor. Cili ishte impakti i parë?
Si fillim, autori Leonard Bombaj ka bërë sakrilegj të madh që trininë e shenjtë “Në emër të atit, t’birit e t’shpirtit të shenjtë”, e ka përshtatur në titullin e librit të tij, për të fshehur mëkatin e rëndë që ai ka bërë me vajzën…
Që në fillim të librit, autori bën prezantimin duke të cilësuar «kokërruari 25-vjeçar» dhe vajzën «adoleshentja 16-vjeçare”. Po ti si e gjete veten aty?
Si e gjeta veten?! Në radhë të parë e falënderoj shumë Leonard Bombajn që na ka kushtuar libër dhe që do ngelem gjithmonë në faqet e tij. Është gjë e mirë për mua që të flitet, pavarësisht faktit nëse flitet për mirë apo për keq. E lexova romanin me shumë vëmendje pasi kam dashur të shoh dallimin midis vetes, Leonardit, vajzës dhe familjes së saj. Po prapë me keqardhje them që duket se autori, ndonëse e ka shkruar me dorën e tij, e gjen veten shumë në këtë libër.
Në ç’ kuptim e gjen veten Leonardi, dhe sa afër ngjarjes së vërtetë t’u duk historia e rrëfyer artistikisht?
Leonardi ka shkruar një libër shumë intrigant dhe ka ulur mjaft figurën e një vajze 15-vjeçare, së cilës po ia shkatërron jetën dita-ditës. Nga një fëmijë engjëll siç është ajo, në këtë libër ai e ka transformuar personalitetin e saj, ndërsa të lë të kuptosh se ai s’ka qenë gjë tjetër përveçse tutori i saj. Ndërsa e lexoja, përfytyrova një vajzë të vogël të dashuruar nga bisha dhe që e meritonte të titullohej si libër “E bukura dhe bisha”. Për më tepër, zgjidhja që i jep ai historisë në mbyllje të romanit, ku vetëshpallet i pafajshëm, m’u duk pa sens. Gjithsesi, libër interesant m’u duk, por nuk besoj se do ngelet gjatë në memorien e njerëzve.
Pjesët më tronditëse të librit të kanë pasur ty për protagonist, kujtojmë këtu edhe orgjinë në një pyll. Ka ndodhur vërtet kështu?
Këto janë komplet shpifje dhe imagjinatë. Absolutisht nuk ka ndodhur ajo skenë, madje as dhe të tjera që ai përshkruan në libër. E ka shkruar me shumë pervesitet atë libër. Nëse më teket mua, edhe unë mund ta bëj një të tillë, edhe unë mund të mendoj që dikush ka vrarë dhe përdhunuar e ta thur historinë me fantazinë time. Pa diskutim që është e drejta e tij, por duhet të bazohesh diku nëse merr përsipër të përshkruash një histori të vërtetë.
Të ka përmendur po ashtu për drogë e pervesitete. Ke thënë në ndonjë moment mjaft tani?
Për të gjitha që më ka akuzuar në libër, janë shpifje. Unë kam mesazhet e tij që ia ka dërguar babait tim dhe që ruhen ende në aparatin celular, që mund të jenë dhe prova për Prokurorinë. Kur ndodhi konflikti, ai i dërgonte mesazhe tim eti me fjalët përulëse “Ju jeni familja më e mrekullueshme, faleminderit që më nxorët nga kjo situatë… Ju kam borxh gjithçka, djalin e ke artist… “ etj. Madje, babai im i kishte thënë që ta telefononte sa herë të kishte ndonjë problem.
Më pas si vazhdoi marrëdhënia e familjes sate me Leonardin?
Babai im është zhgënjeyr jashtë mase, pasi para kësaj ai ka ardhur, e ka takuar, kemi folur dhe në telefon dhe për çdo problem që ka pasur, babai im i është përgjigjur. Por në një moment u ndërtua një intrigë njëjavëshe nga ai, u bë një lloj gjyqi pas arrestit, që s’u mor vesh se si. Gjithsesi, çështja do marrë fund për një muaj dhe organet e shtetit do e mbyllin këtë histori. Kush ka faj, do dënohet për çdo gjë.
Në roman ti përshkruhesh si një nga të dashurit e vajzës. Cila ka qenë marrëdhënia jote me 15-vjeçaren në të vërtetë?
Jo, nuk kam pasur lidhje intime me vajzën. Mund t’ju them se e kam takuar 3-4 herë në studion time dhe kaq ka ngelur njohja. Madje, kushëririn e saj të parë unë e kam shokun tim më të ngushtë, dhe arsyeja e miqësisë sonë ka qenë ai. E theksoj që vajza s’ka pasur lidhje asnjëherë me mua, pasi nuk jam unë përdhunuesi i të miturve. E kam respektuar si motrën time të vogël dhe e kam ndihmuar.
E ke takuar tani pasi është botuar libri, keni biseduar?
Jo, nuk kemi pasur rast të takohemi. Por pas përfundimit të librit, realisht më erdhi keq për vajzën, që ai e kishte poshtëruar aq shumë.
Prokuroria e shpall Leonardin të pafajshëm, ndërkohë që vajza vazhdon të këmbëngulë se është përdhunuar. Ti çfarë mund të thuash?
E theksoj që ajo vajzë është përdhunuar seksualisht nga ai. Madje, unë di që Leonardi ka nxjerrë në shitje shtëpinë e tij te liqeni për të paguar e për të korruptuar Drejtësinë, në mënyrë që të dalë i larë nga kjo çështje.
Ndërkohë që pikëpyetja që ngrihet mbi “përdhunimin”, është se pse vajza e ka mbajtur të fshehur për kaq kohë?
Të mashtrosh një fëmijë 13-vjeçar është shumë e lehtë, sidomos kur këtë e bën një regjisor si Leonardi, i cili si orator merr notën 10. Çdo fëmijë 13-vjeçar mashtrohet shumë kollaj dhe në mënyrën më të bukur. Edhe vajza është mashtruar në këtë rast.
Sa herë e ke takuar Leonardin ti vetë?
Një herë të vetme.
Dhe si si do ta përshkruaje si mashkull, nëse do të kërkonin kësaj here ty një gjë të tillë?
Ai është mashkull i etur për seks, po e theksoj, i etur për seks.
Ku bazohesh në këtë konkluzion për të?
Bazohem në intuitën time. Kjo etje e tij për seks dallohet në sytë e tij. Unë jam rritur në rrugë, dhe në momentin e parë që e kam parë në sy, kam dalluar mashkullin tipik ordiner. E them me bindje këtë, pasi kam aq eksperiencë nga jeta sa të dalloj njeriun e mirë dhe të keq.
Si ndodhi që re në kontakt me këtë histori, mund të na e tregosh rrëfimin e vajzës?
Po, ka qenë një ditë kur vajza erdhi në studion time, dhe pashë që po kalonte momente të vërteta mërzie. E pyeta çfarë e shqetësonte dhe ma tregoi mua çfarë i kishte ndodhur me profesorin e saj.
Pse ta rrëfeu pikërisht ty këtë sekret të rëndë të jetës së saj?
Kishte krijuar shumë besim tek unë në atë kohë. Ishte një periudhë kur u afruam shumë, pasi ajo ishte dhe një nga fanset e mia dhe më kishte idhull. Unë e respektoja për këtë, përveç faktit që asnjëherë nuk kam abuzuar me fanset e mi, aq më tepër me të që kishte ardhur në studio si kushërira e shkokut tim të ngushtë. E mendova historinë që më tregoi, dhe sedra ime prej mashkulli më bëri të veproja shpejt e ta ndihmoja në rrugën që edhe u mediatizua.
Për disa mund të konsiderohet një veprim i nxituar nga ana juaj, duke i shkuar befasisht Leonardit në shtëpi. U pendua vajza ndonjëherë, po ti?
Asnjëherë nuk u pendua, dhe as është penduar deri në këto momente që po flasim. As unë nuk jam penduar fare, sepse e kam bërë për diçka të mirë.
Ndërkohë në libër përshkruhet si një vajzë intrigante, shumë e hedhur dhe me eksperienca të shumta me djem. Sa i ngjan personazhit real ky portretizim artistik i vajzës?
Aspak. Këto janë komplet detaje të imagjinatës së tij të shfrenuar.
Po të dashur kishte ajo?
Jo, nuk kishte të dashur. Të vetmin të dashur të imagjinatës ka pasur Leonardin.
E adhuronte profesorin e saj, siç thuhet në libër?
Këto nuk mund t’i pranoj aspak, janë thjesht justifikime për vetëshfajësim nga Leonardi. Dua të them se kur akuzohesh për përdhunimin e një të miture 13-vjeçare, do kthesh tokën përmbys që të mos fajësohesh, sepse është një nga akuzat më të rënda për një mashkull. Edhe mua po të më vinte një akuzë e tillë, do ktheja jo tokën, por dhe qiellin përmbys, që të mos e mbaja mbi supe këtë akuzë.
Në këtë histori, Leonardi ka pasur të besuarën kryesore, bashkëshorten e tij, e cila po e mbështet ende. Si e gjykon përkrahjen e saj?
Nuk besoj se ajo e ka besuar variantin e tij. Sa për gruan, unë di që ajo e ka lënë Leonardin, pra janë ndarë, dhe kjo dalje mediatike e tyre sikur janë bashkë, bëhet vetëm për të kaluar këtë situatë. Kam dëgjuar që janë ndarë dhe ajo thjesht po e mbështet për hir të fëmijve dhe viteve që kanë kaluar bashkë.
Mendon se është dëmtuar vërtet jeta e vajzës?
Jeta e vajzës është shkatërruar, por do përmirësohet. Ajo u qëndron njësoj besnike dëshmive që nga fillimi i çështjes. Ndërkohë që para pak ditësh ajo ka bërë denoncim sërish në Rajonin Nr. 4 të Tiranës, për të dëshmuar kundër kamerës që e detyruan të regjistronte duke folur mirë për Leonardin.
Po jeta e Leonardit është shkatërruar pas kësaj historie?
Natyrisht që po. Kjo akuzë e bërë ndaj tij është shumë e rëndë dhe, e theksoj, që i duhet të kthejë botën përmbys që të dalë i pafajshëm. Besoj se jeta e tij tashmë është shkatërruar plotësisht.
Do ia kushtoje ndonjë këngë kësaj historie?
Me qejf e kam, por do një realizim shumë të madh. Madje, më është dhënë një financim për ta mishëruar në krijim artistik këtë histori dhe kemi menduar ta realizojmë si një film, ku me aktorë profesionistë të luhet dhe skena e përdhunimit. Ky do të ishte filmi i parë me histori të vërteta.
Nëse do t’i ktheheshim historisë së treguar në libër, nga fillimi deri në fund autori merr parasysh dhe vdekjen. Vërtet duhet të ketë frikë ai?
Këto lloj deklaratash në vitin 2011 mua më duken fjalë pa sens fare, ose do i komentoja thjesht fjalë me të cilat ai kërkon mëshirë nga dikush. Do i thosha Leonardit që jetojmë në vitin 2011, ku fajtori gjykohet nga Drejtësia, dhe Drejtësisë ia kemi lënë të vendosë. Ai duhet ta pranojë që është fajtor. Kjo e vërtetë nuk mund të fshihet, sado ai të botojë libër, të përpiqet të dalë në ekran si i pafajshëm me gruan dhe fëmijët e tij.











