Sterkaj: Armët e ’97 të legalizohen, pastaj të mblidhen

Feb 15, 2013 | 10:58
DEPUTETI I PS, PAULIN STERKAJ

Anëtari i Komisionit të Sigurisë, socialisti Paulin Sterkaj, theksoi për gazetën “Panorama” se qeveria duhet të ndërmarrë masa për të mundësuar mbledhjen e armëve të shpërndara në vitin ’97. Sipas deputetit të PS-së, maxhoranca aktuale duhet t’i nxitë qytetarët të dorëzojnë vullnetarisht armët që fshihen në mënyrë të paligjshme. Sipas Sterkajt, legalizimi i armëve që fshihen nga qytetarët do të rriste mundësinë që ato të identifikohen më lehtë nga strukturat e Policisë në rastet kur do të përdoren për qëllime kriminale.
Zoti Sterkaj, ju propozuat dy ditë më parë që qeveria të sjellë në Kuvend një ligj për të legalizuar armët pa leje që janë marrë nga depot në vitin 1997. Çfarë parashikon propozimi juaj konkretisht?
Projektligji “Për armët” nuk sjell asnjë risi në Parlamentin shqiptar. Në vitin ’97 qeveria e Partisë Demokratike ka hapur depot e armëve në të gjithë ushtrinë shqiptare dhe i ka dhënë armët popullit. Unë jam një prej dëshmitarëve okularë që kam parë deputetë në dyert e një magazine që u kanë dhënë qytetarëve armë në duar. Na vjen një ligj në Kuvend nga qeveria, që i ka ardhur dita që të ikë nga pushteti, dhe na sjell prapë një ligj që kërkon ta armatosë popullin. Çfarë sjell kjo? I armatosën në mënyrë të paligjshme dhe tani po kërkojnë t’i armatosin në mënyrë të ligjshme. S’ka nevojë populli shqiptar për armë. Ose t’i kenë të gjithë armët, ose mos t’i këtë askush. Por unë shqetësimin e madh e kam tek armët që gjenden në duart e shqiptarëve. Mendoj që Parlamenti, politika shqiptare dhe maxhoranca, sa mendon t’i pajisë me armë me leje, të shikohet për të bërë mbledhjen e armatimit, dhe kjo është një kërkesë nga aleatët tanë, që shqiptarët duhet të mbledhin armatimin që fshihet në banesa në mënyrë të paligjshme.
Si mund të realizohet procesi i mbledhjes së armëve pa leje që janë shpërndarë në vitin ’97?
Unë, edhe po të bëja propozim konkret, qeveria nuk do të ma miratonte, sepse jam në minorancë. Por propozimi im është që specialistët të gjejnë mënyrën që qeveria të gjejë mundësinë për të mbledhur armët nga duart e shqiptarëve, sepse ka forma nga më të ndryshmet. Se kur qeveria do të sjellë një projektligj, na thotë ne që këtë ligj e ka bërë dhe Kenia, Uganda; kur i intereson thotë që këtë ligj e ka miratuar dhe Serbia dhe këtë e ka Norvegjia. Qeveria duhet të gjejë forma për të stimuluar njerëzit që të dorëzojnë armët. Për shembull, në Meksikë kanë dorëzuar një armë dhe kanë marrë një laptop, dhe qeveria i ka dhënë edhe internetin falas për një vit. Qeveria është e fuqishme në ekonomi, ka rritje të mëdha ekomomike, dhe këto financa t’i përkthejë për të mbledhur armatimin, se po na vriten ditë për ditë njerëz nëpër rrugë me këto armë. Për mua fatkeqësia më e madhe është kur arma është e paregjistruar dhe mundësia për të identifikuar krimin është minimal. Kur arma është me leje, mundësia për të identifikuar autorin e krimit është maksimal.
Ju propozoni që të legalizohet çfarëdolloj armatimi që kanë shqiptarët, apo vetëm armët e lehta?  
Unë mendoj që shqiptarët kanë që nga armët e brezit deri te kallashi. Nuk mendoj për ata që kanë kundërtank, se ata që kanë të tilla armatime janë terroristë. S’i duhet kujt kundërtanku në shtëpi. Por armët e lehta që gjenden të fshehura, për mua duhet të jenë shqetësimi i politikës dhe i çdo shqiptari dhe të bëhet çdo gjë për t’i mbledhur. Për këtë çështje unë kam marrë pjesë dhe në trajnime jashtë vendit, dhe mund të them që është një shqetësim dhe i vendeve europiane, që na është rekomanduar nga aleatët tanë, që armatimet duhet të mblidhen.
Ju nismën tuaj do ta propozoni në Parlament në formën e një amendamenti, apo më vonë në formën e një projektligji? Çfarë hapash do të ndiqni?
Do të zhvilloj konsultime me specialistë të tjerë dhe do të dalim në një konkluzion se si do ta bëjmë propozimin tonë, qoftë në formën e projektligjit që të gjejmë mundësinë që t’ia ofrojmë qeverisë, sepse ne vetëm nuk kemi mundësi ta miratojmë. Në qoftë se qeveria pranon, atëherë ne do ta mbështesim në Parlament. Për mua armët duhet të mblidhen. Nuk ka nevojë ky popull për armë, ky popull ka mjaft armë të paligjshme. Armët e paligjshme nuk kemi mundësi t’i identifikojmë. Nuk flas vetëm si deputet, por edhe si ish-oficer i Policisë që kam dhënë kontribut maksimal në këtë pikë për çarmatosjen e popullsisë.
Propozimi juaj për legalizimin e armëve nuk u mbështet dy ditë më parë në Komisionin e Sigurisë nga deputeti i PS-së, Gazmir Bizhga. Si e shikoni këtë qëndrim?
Ne nuk kemi pasur asnjë vendim politik për t’i legalizuar apo jo armët. Gjithsecili ka këndvështrimin e tij. Gazmir Bizhga përfaqëson një pjesë të elektoratit, unë përfaqësoj pjesën tjetër. Unë thashë mendimin tim në Komisionin e Sigurisë, unë e quaj këtë çështje si shqetësim, sepse Gazmir Bizhga nuk ka qenë ndonjëherë oficer policie. Unë kam drejtuar komisariate policie dhe forcat speciale. Në momentin që arma është e paidentifikuar, është më e rrezikshme se arma e identifikuar. Projektligji që ka sjellë qeveria nuk ka asnjë të re, vetëm për t’u dhënë licencën disa militantëve të qeverisë, për të importuar dhe për të eksportuar armë. Sot është PD-ja në maxhorancë dhe kërkon të armatosë militantët e saj për 101 arsye që ajo mendon. I kanë armatosur militantët më ’97-n në mënyrë të jashtëligjshme duke thyer depot, dhe po kërkojnë t’i armatosin dhe më 2013-n me ligj.
Mendoni se qëllimi i këtij projektligji është përdorimi gjatë fushatës elektorale i armatimit?
Nuk ka shans kush, por ashtu e mendojnë ata. Dhe i humburi, dhe i mbyturi në det mendon të kapet pas gjethes. Kjo është e pamundur, se shqiptarët nuk shkojnë në vëllavrasje për çështje politike. Mbase ndonjë formë ekstremiste, siç ishte rasti i ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi me vartësit e tij, që gjuajtën popullin më 21 janar, kjo është tjetër gjë. Por që të fusin shqiptarët në gjakderdhje, s’ka mundur kush historikisht.
Pra ju do të votoni kundër në Parlament ndaj projektligjit “Për armët”? Apo do të kërkoni që të reduktohen kategoritë që përfitojnë armatim.
Unë do të jem në mbështetje të Grupit të PS-së. Nëse Partia Socialiste ka një vendim, unë do të mbështes vendimin e saj. Nuk kam qëndrim kundër PS-së për armët. Unë, po të dua armë, e marr me leje. Kam 8 vjet deputet, s’kam marrë asnjëherë armë. Unë armë kam shpirtin, dhe forca më buron nga elektorati i Malësisë së Madhe, që më ka bërë të fortë edhe majtas, edhe djathtas, por tash do më bëjë majtas.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura